Ethem Ruka: Raundi i parë i regjistrimeve, universiteti “Luarasi” tejkalon pritshmëritë

Ethem Ruka: Raundi i parë i regjistrimeve, universiteti “Luarasi” tejkalon pritshmëritë

Kolegji Universitar “Luarasi” edhe këtë vit është destinacioni më i përzgjedhur i maturantëve që duan të ndjekin shkollën e lartë. Këtë e thotë vetë rektori i këtij universiteti, prof. dr. Ethem Ruka, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. Ai tregon se pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur në arsimin e lartë, me rritjen e mesatares për t’u pranuar në universitet, si dhe tkurrja e numrit të maturantëve që duan të ndjekin shkollën e lartë, nuk e ka zbehur interesin për të përfituar nga programet e këtij universiteti. Kjo tregohet që në raundin e parë të regjistrimeve, i cili ka kaluar shifrat e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Profesor Ruka thotë se kjo vjen si rezultat i programeve që ofrohen, pedagogëve me grada shkencore, si dhe cilësisë, që është dhe synimi kryesor i universitetit “Luarasi”.

Sa është numri i aplikimeve në universitetin “Luarasi” gjatë raundit të parë?
Para se të vijmë tek aplikimet, do të dëshiroja të theksoja që “Luarasi” ka bërë një punë shumë intensive në terren, që do të thotë takime me pothuajse pjesën më të madhe të shkollave të mesme të Shqipërisë, nga jugu deri në veri. Kemi takuar mbi 15000 maturantë, të cilëve u kemi folur për arsimin e lartë në përgjithësi, për rëndësinë që ka edukimi dhe padyshim për t’u shpalosur edhe vlerat që bart universiteti “Luarasi”. Përgjithësisht maturantët i kemi gjetur të painformuar saktësisht për zgjedhjen e shkollës së lartë, e veçanërisht për tregun e punës. Tani kemi mbjellë dhe presim që të korrim rezultatin e kësaj fushate intensive që kemi bërë me maturantët. Këtë vit kanë ndodhur disa ndryshime në arsimin e lartë, ndryshime që po vijnë dhe po thellohen nga një vit në tjetrin. Nëse arsimi i lartë sot ka gati 35 institucione të larta, publike dhe private, numri i maturantëve vjen duke u tkurrur nga viti në vit. Sipas të dhënave, vjet nga 30000 aplikantë maturantë, këtë vit ka zbritur në 23000, që do të thotë 7000 studentë më pak. Ndërkohë është rritur nota mesatare e pranimit, nga 6 që ishte vitin e kaluar, në 6.5 këtë vit. Kjo fashë kap një numër shumë të madh studentësh, të cilët janë penalizuar duke mos e vazhduar arsimin e lartë dhe që u mundëson të ndjekin arsimin e lartë profesional 2-vjçar. Gjithashtu, është rritur nota mesatare për profilet e mësuesisë, që ka shkuar në 7.5 dhe tendenca është që në vitin e ardhshëm mesatarja e pranimit të maturantit në shkollat e larta të ritet. Kjo gjë përbën problematika në numrat e aplikantëve në shkollat e larta dhe që e bën tregun tmerrësisht konkurrues. Gjithashtu, ka shumë studentë që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë dhe largohen nga lista e përgjithshme të maturantëve shqiptarë. Nisur nga ky fakt, këtë vit nuk është kaq e lehtë për të siguruar studentë. Megjithatë, “Luarasi” është mjaft i kënaqur deri tani, sepse në raport me vitin e kaluar, ne patëm gati 30% më shumë aplikime, megjithëse numri i aplikantëve është ulur, siç e përmenda dhe më lart. E gjithë kjo periudhë është një periudhë ethesh për të gjitha universitetet. Ne kemi krijuar të gjithë infrastrukturën e mundshme për të pritur të interesuarit që kërkojnë të regjistrohen në tri fakultetet që ne kemi, Drejtësinë, Ekonomikun dhe Teknologjinë e Informacionit. Fakulteti i Teknologjive të Informacionit është fakulteti më i ri që kemi ngritur tek “Luarasi” dhe për befasinë tonë, megjithëse është viti i dytë, numri i regjistrimeve është shumë premtues. Vitin e kaluar ne kemi marrë më shumë studentë se shumica e universiteteve të tjera private, jo vetëm te Teknologjitë e Informacionit, por dhe në Drejtësi dhe në Fakultetin Ekonomik. Në momentin që po flasim, ne kemi filluar procesin e regjistrimit, por para se të fillonte sezoni i regjistrimeve, ka pasur një numër të madh studentësh dhe prindërish që kanë kontaktuar universitetin “Luarasi”, të cilët kanë marrë informacion dhe kanë shprehur dëshirën që të bëjnë një parakontratë. Para se të fillonin regjistrimet, premtimet që na u bënë për t’u regjistruar te “Luarasi” ishin gati mbi 100% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Procesi i regjistrimit vazhdon akoma, çdo ditë ka fluks maturantësh që vijnë të interesohen, të studentëve që duan të transferohen nga një universitet tjetër, të studentëve që duan të bëjnë masterin. Është një tregues shumë pozitiv, sepse nga një studim paraprak që kemi bërë për mesataren e atyre që ne kemi regjistruar, të paktën tek “Luarasi” kanë ardhur studentë, të cilët kanë mesatare 8 dhe më lartë se 8. Kjo tregon që universiteti nuk është interesuar vetëm për numra, por është interesuar edhe për cilësi.

Cilat nga programet e studimit preferojnë më tepër maturantët në universitetin “Luarasi”?
Programet e studimit janë të gjitha të preferuara, sepse programet që ofron “Luarasi” janë programe, të cilat në fund e çojnë të diplomuarin në një destinacion të sigurt. Imagjinoni që çdo aktivitet në Shqipëri duhet të ketë një ekonomist, duhet të ketë një jurist, duhet të ketë dhe një teknolog informacioni. Këto tri fusha që janë të domosdoshme për të gjithë sektorin privat, por edhe për atë shtetëror, “Luarasi” i përmbush me shumë cilësi. Është një universitet, i cili ka besueshmëri të lartë në tregun e arsimit të lartë, diplomat e “Luarasit” janë të vlerësuara. Ne kemi indikatorë mbi të cilët flasim, nuk është thjesht një propagandë, për sa kohë gati 80% e atyre që diplomohen te “Luarasi”, në gjashtë muajt e para pasi kanë marrë diplomën, arrijnë të punësohen. Kjo është një shifër shumë konkurruese në krahasim me universitetet e tjera. Sa i përket pyetjes, mund të them që deri më tani Fakulteti i Drejtësisë është kampioni për regjistrime dhe që ka fluksin më të madh.

Sa ka arritur numri i maturantëve që janë regjistruar në universitetin “Luarasi” deri në këtë raund?
Nuk mund të jap një numër të saktë, sepse ai ndryshon në çdo moment, por deri tani mund të them se kemi kapur shifrat e vitit të kaluar dhe jemi shumë para në raport me vitin e kaluar. Fakti që kemi edhe dy raunde të tjera, raundin e dytë dhe raundin e tretë, jemi të bindur që numri do të jetë me të vërtet sinjifikativ për “Luarasin”. Pretendimi ynë është që programet e studimit që kemi në Drejtësi, Ekonomi dhe Teknologji Informacioni të marrim më shumë studentë se pjesa më e madhe e universiteteve të tjera private.

 
 

Ka pasur problematika gjatë procesit të regjistrimeve?
Jo, nuk ka pasur problematika të veçanta, detyra e stafit është që të presë në mënyrën sa më miqësore maturantët dhe të gjithë të interesuarit, t’u japin informacionet e duhura. I gjithë kati i parë i “Luarasit” është i okupuar me pedagogët, të ndarë sipas fakulteteve, ku ofrojnë jo vetëm informacione, por për të ndjekur të gjithë procedurën, në mënyrë që deri në lidhjen e kontratës gjithçka të shkojë perfekt. Sigurisht ka edhe nga ata që vinë, interesohen, ikin dhe në universitetet e tjera, por përgjithësisht të gjithë ata që kanë ardhur, mbasi kanë bërë një tur në të gjitha universitetet e tjera, përsëri kanë zgjedhur “Luarasin”. Përfitoj nga rasti t’u them që mos të lodhen, por ta zgjedhin menjëherë, nuk paguajnë para për taksinë, sepse në fund përsëri te “Luarasi” do të përfundojnë.

Kur fillon raundi i dytë i regjistrimeve dhe kush ka të drejt të aplikojë sërish?
Raundi i dytë i regjistrimeve fillon në datën 19 dhe vazhdon deri në datën 23 shtator. Është një periudhë e kufizuar, aty mund të rikonkurrojnë të gjithë sepse, raundi i parë ka të bëjë me zgjedhjen e 10 universiteteve, por mund të ketë studentë, të cilët nuk kanë fituar asnjë nga universitetet apo profilet e studimit që ata kanë zgjedhur në formularin A1Z. Kjo nuk do të thotë që këtyre u ikën e drejta që të rizgjedhin përsëri universitetet, mbasi ka kaluar faza e parë e regjistrimit në universitetet publike dhe private. Gjithashtu, kam konstatuar që ka edhe studentë të cilët janë treguar indiferentë, nuk kanë aplikuar fare, u ka shpëtuar ajo periudha e aplikimit të raundit të parë. Ata mund ta rishfrytëzojnë këtë periudhë, ne kemi pasur shumë studentët që kanë ardhur këtu, kanë shprehur dëshirën të studiojnë te universiteti “Luarasi”, por për arsye të ndryshme nuk e kanë zgjedhur dhe kanë bërë një kontratë paraprake me “Luarasin” për të zënë vendin, sepse edhe këtu plotësohen kuotat dhe ata mund të aplikojnë në raundin e dytë, ku pastaj mund të vijnë të mbushim kontratën përfundimtare.

Pse studentët e rinj duhet të zgjedhin universitetin “Luarasi”?
Universiteti “Luarasi” në radhë të parë duhet të zgjidhet sepse është një nga universitetet më të mira të Shqipërisë. Është një universitet i akredituar me mbi 6 vite dhe të tillë janë vetëm 4 në Shqipëri. Të gjitha universitetet e tjera janë të akredituara me 5, 4, 3, 2 dhe 1 vit. Dëshiroj të bëj një parantezë që maturantët nuk e njohin fare arsimin e lartë, nuk dinë të dallojnë universitetet mbi bazën e akreditimit. Kjo ka qenë një nga objektivat e mia për t’u shpjeguar gati 15000 maturantëve, për të dalluar se cili është universiteti më i mirë dhe universiteti më pak i mirë, pastaj është e drejta e studentit se kë duhet të zgjedhë. Shkurt, “Luarasi” sot në tregun e arsimit të lartë është një nga universitetet më të mira të Shqipërisë. Fjala i përsosur mund të jetë një superlativë, ne nuk kemi as Oksfordin dhe as shkollat më të mira të botës në Shqipëri. Ne gjithmonë flasim krahasimisht me universitetet që ka Shqipëria dhe në këtë treg, sigurisht “Luarasi” zë një vend të nderuar. Kjo është arsyeja e parë se pse duhet ta zgjedhin “Luarasin”. Arsyeja e dytë se pse duhet të zgjedhin “Luarasin” është sepse trupa akademike është shumë e mirë, infrastruktura është shumë e rëndësishme, por godina është godinë. Ajo që e bën universitetin të mirë janë pedagogët, janë mësimdhënësit. Stafi i “Luarasit” është një staf i zgjedhur, me tituj, grada shkencore sipas pozicioneve të ndryshme dhe që është i përkushtuar për edukimin e studentëve. Fakti që diploma e “Luarasit” ka vlerë në treg dhe këtë e matim me shkallën e punësimit, tregon që puna e pedagogëve është një punë me të vërtet e shkëlqyer. “Luarasin” duhet ta zgjedhin për infrastrukturën, që nuk është një gjë e vogël.

Intervistën e plotë e lexoni në Gsh.al