Kreu i Bordit të AMF-së, leksion me studentët e “Luarasit”

Kreu i Bordit të AMF-së, leksion me studentët e “Luarasit”

Siguracioni i makinave, sa do të paguhet me skemën e re 

Melani: Skema e drejtë, tarifa në varësi të riskut për aksident

Zbardhet skema e re për çmimin e sigurimit që duhet të paguajnë të gjithë ata që kanë një makinë. Ndryshimet në ligjin për sigurimin e makinave, që hyjnë në fuqi nga 1 janari i 2016-s, penalizojnë ata që kanë kryer një aksident, disponojnë makinë të vjetër apo edhe nëse kanë pak kohë që kanë marrë patentën. Kreu i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Pajtim Melani, ka shpjeguar skemën e re në një leksion tek Universiteti “Luarasi”. Duke e cilësuar një sistem pak të vështirë për t’u implementuar në Shqipëri, Melani e cilësoi skemën e re bonus-malus, ku paguan më shumë ai që ka më tepër risk për të bërë aksident, një lidhje të drejtë.

Skema e re

Aktualisht, çmimi i sigurimit të makinave, i detyrueshëm me ligj, është fiks. Pra, në rast se do të sigurosh automjetin, çmimi që ofrojnë kompanitë është përgjithësisht i njëjtë. Ai ndryshon vetëm nga cilindrata e makinës. Në ligjin e ri, parashikohet që çmimi të ndryshojë sipas sjelljes së shoferëve, ose siç njihet ndryshe, sistemi “Bonus Malus”. AMF parashikon që shoferët të ndahen në 18 kategori të ndryshme. Për çdo kategori, është vendosur edhe një koeficient. Ky koeficient është më i lartë për ata shoferë që bëjnë aksidente dhe më i ulët për ata që nuk bëjnë të tilla. Në këtë mënyrë, ndryshon edhe çmimi i siguracionit. Në ligj parashikohet që një shofer i ri, dhe përgjithësisht të gjithë shoferët, pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të hyjnë në klasën e 13-të. “Klasa hyrëse do të jetë “13” për vitin e parë të zbatimit të sistemit “bonus-malus”, e cila do të aplikohet mbi primin e rrezikut me koeficient me vlerë të barabartë me 1”. Për klasat nga 1 në 12, koeficienti do të zvogëlohet, ndërsa për klasat nga 14 deri në 18 do të rritet.

Në ligj janë parashikuar edhe si do të bëhet zhvendosja e shoferëve nga një klasë në tjetrën. “Ulja e klasës së riskut me një klasë në rastet e të siguruarit që nuk shkakton asnjë aksident gjatë vitit të kontratës. Rritjen e klasës së riskut me 2 klasë nëse i siguruari bën dëm gjatë vitit të kontratës, dhe 5 klasë nëse bën dy dëme”. Përbri shkrimit, gazeta boton edhe tabelën e koeficientëve sipas çdo klase. Për klasën e parë, koeficienti është 0.5, ndërsa për klasën e 18-të shkon në 2.

Arsyetimi

Nga pikëpamja e riskut për aksident, do të caktohet çmimi që duhet të paguajë çdo shofer për të siguruar makinën. Kështu, çdokush që i drejtohet një kompanie për të marrë një policë sigurimi, do të ketë një koeficient të tijin, por jashtë nuk do të lihen dhe faktorë të tjerë. “Me ligjin e ri, do të merret historiku i dëmeve që mund të ketë shkaktuar drejtuesi i makinës, por gjithashtu njihet dhe klasa e meritës. Dikush që ka shumë kohë që drejton mjetin dhe nuk ka bërë aksident, ka një meritë shumë më të madhe se ai që ka bërë aksident dhe sapo e ka marrë patentën”, shpjegoi Melani gjatë leksionit me studentët e “Luarasit”. Duke vijuar me faktorët probabël për aksident, kreu i Bordit të AMF-së përmendi shumë tregues, mes tyre vjetërsia e shoferit, makinës apo vendndodhjes së saj. “Sot, paguajnë njëlloj si ata që kanë bërë dhe ata që s’kanë bërë asnjë aksident. Kur vete të marrësh një policë sigurimi, nuk të pyet kush nëse je shofer i ri apo i vjetër apo makina është e re apo e vjetër. Nënkuptohet që probabiliteti i defektit apo aksidentit është i ndryshëm. Edhe vendndodhja ndikon gjithashtu. Tirana sot me këtë ngarkesë ka probabilitetin shumë më të madh të aksidenteve, sesa një qytet tjetër në Shqipëri”. Me ligjin e ri, nëse dikush bën një aksident, do t’i duhen të paktën pesë vite që çmimi për policën e sigurimit të shkojë në nivelin që ishte. “Besoj ky është sistemi që do të jetë shumë i vështirë për t’u implementuar sepse ne nuk jemi mësuar me këto lloj rregullash. Por në asnjë vend të botës nuk funksionon kështu. ‘Sipas kokës kapelën’, domethënë sipas riskut që mbart, do të paguash dhe primin e sigurimit për dëmin që mund të shkaktosh”, nëvizon Melani. Sistemi i ri, sipas tij, përpiqet të ndërgjegjësojë drejtuesit e mjeteve për dëmet që ata mund të shkaktojnë. Kur flitet për dëme, nuk llogariten shumë ato materiale, por dëmet në njerëz që kapin shuma të mëdha dëmshpërblimi. “Sistemi bonus-malus është i tillë, në kuptimin që dikush që ka bërë më shumë aksidente, duhet të ketë më shumë limite përgjegjësie, pasi bëhet fjalë për qindra milionë lekë”. Një tjetër risi që sjell ligji është shkurtimi i afateve të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim. Për dëme pasurore me karakter material, kur shkalla e dëmit vlerësohet deri në 200 mijë lekë, afati i trajtimit të kërkesës duhet të kryhet brenda dy javëve. Ndërsa procedura e trajtimit të dëmeve është dyfishuar nga 30 në 60 ditë, por nga ana tjetër, është shkurtuar koha e procesit gjyqësor. Sipas Melanit, kjo do të prekë shumë njerëz, ndërsa efektet do të shihen në kohë.

Shembull: Sa do të paguhet siguracioni

Për ta bërë më të thjeshtë. Sot çmimi i sigurimit të një makine është 16 mijë lekë në vit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ai do të llogaritet sipas historisë së aksidenteve të shoferëve nëpërmjet formulës së mësipërme. Kështu, në rast se një shofer nuk ka bërë asnjë aksident nga data 3 mars, ai klasifikohet në klasën e 13-të, që i përket koeficienti 1. Pra siguracioni i tij do të jetë 16 mijë lekë (16.000 x 1). Në rast se një shofer ka bërë aksident, ai do të rritet në klasë. Pra në këtë rast shkon në klasën e 15-të. Rrjedhimisht edhe çmimi i siguracionit rritet. Klasa e 15-të ka një koeficient 1.3. Shoferi do të duhet të sigurohet jo më për 16 mijë lekë, por për 20.800 lekë (16.000 x 1.3). Pra 40800 lekë më shtrenjtë. Në rast se një shofer nuk bën asnjë aksident gjatë një viti, atëherë ai ulet një shkallë, dhe nga klasa e 13-të, shkon në klasën e 12-të. Koeficienti i klasës së 12 është 0.94. Në këtë rast, çmimi i siguracionit do të jetë 15040 lekë. Pra më i ulët. Shoferët do të ndahen në 18 klasë, sipas historikut të aksidenteve. Në rast se nuk bën aksident, ngjitesh një klasë më lart, dhe fiton ulje të çmimit të siguracionit të makinës

Siguracionet, 4-5 mijë raste në gjyq

Dëmet e prapambetura, brenda 2016-s shlyhen të gjitha

Një nga gangrenat më të mëdha të tregut të siguracioneve në vend janë vonesat në pagesën e dëmeve që shkojnë deri në 10 vite. Janë të shumta rastet kur kompanitë vonojnë, s’paguajnë fare, apo kur çështja shkon në gjykatë, e cila kërkon shumë kohë për të zgjidhur konfliktin. Nga ana tjetër, janë spekulimet në rastin e aksidenteve, ku ndërmjetës ligjorë apo palë interesi kërkojnë të përfitojnë në mënyrë abuzive. Dhe një treg i vogël si Shqipëria numëron jo pak, por plot 4-5 mijë të tilla, të cilat kapin një vlerë prej 110 milionë eurosh. Ligji i ri parashikon zhdukjen e këtij fenomeni, duke detyruar kompanitë të paguajnë, si dhe rregullohen marrëdhëniet me ndërmjetësit. “Ligji i ri do të akselerojë edhe financat e kompanive lidhur me pagesën e dëmeve, pasi do të detyrojë të paguajë më shumë atë që shkakton dëme, dhe raporti të jetë më i ndershëm mes asaj që paguajmë dhe asaj që marrim si shërbim. Po ashtu, kemi vendosur një limit për shumën që duhet të marrë avokati nga dëmi, që është jo më shumë se 5% e vlerës”, shpjegon kreu i Bordit të AMF-së. Referuar kësaj të fundit, gjatë leksionit në Universitetin “Luarasi”, Melani u përmendi studentëve raste ekstreme ku në fund të një çështjeje, mbrojtësi ligjor ka marrë 70% të shumës, ndërsa i dëmtuari vetëm 30%. Po ashtu, parashikohet që përpara se çështja të shkojë në gjykatë, të ketë një lloj sqarimi mes palës së dëmtuar dhe kompanisë së sigurimit. Nëse kjo arrihet brenda 6 ditëve, nuk është nevoja t’i drejtohemi këtij organi. Përveç pagesës së dëmeve të shkaktuara rishtazi, Bordi ka miratuar një vendim që shoqëritë të plotësojnë një fond kompensimi prej 1.2 miliard lekësh të rinj, duke realizuar në tri vite pagesën e të gjitha dëmeve të prapambetura. Tashmë është viti i dytë, ndërsa në 2016-n pritet të shlyhen të gjitha detyrimet në të shkuarën.