Kundër trafikimit, “Luarasi” leksion me studentët

Kundër trafikimit, “Luarasi” leksion me studentët

Në kuadër të ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas, universiteti “Luarasi” zhvilloi një bisedë interaktive me stafin e organizatës “Të ndryshëm dhe Të barabartë”. Prej 11 vitesh, kjo organizatë ofron asistencë riintegruese për viktimat e trafikimit, abuzimit dhe dhunës në familje.

Studentët e universitetit patën mundësinë që të vënë përballë koncepte, që aktualisht po i marrin në Kodin e Procedurës Penale, me mënyrën se si procedohet në realitet me raste të ndryshme. Nga biseda me përfaqësues të organizatës, ata arritën të mësonin punën e vështirë për identifikimin e rasteve, profilin e atyre që bien pre e trafikimit, madje edhe të shfrytëzuesve. Sipas drejtuesve të “Të ndryshëm dhe Të barabartë”, procesi i riintegrimit të këtyre personave në shoqëri nuk është fort i lehtë, madje edhe me risk, për shkak të problemeve të sigurisë që kanë këta persona dhe që, për fat të keq, i ndjekin për një periudhë të gjatë. Organizata asiston rreth 80-100 persona në vit, shumica e të cilëve janë shqiptarë, por edhe të huaj, duke bërë që vendi ynë të përdoret si qendër tranziti trafikimi. “Edhe pse kemi në fokus viktimat shqiptare të trafikimit, kemi ofruar asistencë edhe për raste me kombësi të huaj, që janë identifikuar dhe shfrytëzuar në Shqipëri. Bëhet fjalë për raste femrash të huaja, që sillen këtu për të punuar nëpër qendra masazhi, estetikë apo punonjëse shtëpie”. Pas përmbledhjes së punës që bëjnë, ekspertet e qendrës iu përgjigjën kureshtjes së studentëve për çështje të ndryshme, duke filluar nga identifikimi i rasteve deri te sfidat me të cilat ato përballen në aspekte të tilla si punësimi, pranimi nga familja, komuniteti, stigmatizimi i vazhdueshëm për shkak të asaj që u ka ndodhur etj. Ndonëse aktiviteti i referohej sensibilizimit kundër dhunës ndaj gruas, në leksionin e mbyllur me studentët e “Luarasit” u fol edhe për viktimat e dhunës, rastet kur familjarët mund të kenë qenë të përfshirë në procesin e trafikimit, rastet e abuzimit me fëmijët e mitur etj.

http://www.panorama.com.al/kunder-trafikimit-luarasi-leksion-me-studentet/