Artikull në GAZETËN PANORAMA – 17.01.2018
PROF. AS.DR. REZANA KONOMI
Ditët e fundit, nëpër me dia, po flitet për shkeljet e konstatuara nga ministria përgjegjëse, lidhur me koncesionin e kontrollit teknik të automjeteve. Në dukje, gjithçka është në përmbushje të detyrimit ligjor që ka shteti kundrejt çdo të drejtë ekskluzive, e cila krijon situatë monopol në treg, me qëllim mbikëqyrjen e tij. Por, dritëhijet edhe në këtë rast nuk mungojnë. Të jenë reale apo si gjithmonë mosbesimi na bën dyshues kundrejt çdo veprimi që ndërmerret, edhe kur ai është i vonuar.
Pyetjes: pse tani ky reagim, kur afati i koncesionit përfundon në vitin 2019, i lë vendin hamendësive dhe rishikimit të jetëgjatësisë se tij, si dhe analizës së sjelljes së deritanishme të koncensionarit nga njëra dhe të mosveprimit të shtetit nga ana tjetër. Precedentët për të paragjykuar nuk mungojnë, rasti i Koncesionit të Rinasit dhe të deklarimeve publike për rishikim apo mundësi të hapjes së tregut, kanë qenë evidente, ndërsa realiteti vazhdon të jetë i njëjtë.
Le t’i kthehemi kolaudimit të automjeteve, shërbim, i cili deri në vitin 2009 ka qenë një monopol shtetëror, derisa qeveria miratoi kontratën koncensionare, sipas së cilës, tregu i shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve do të ishte sipas modelit të centralizuar, me një ndërmarrje të vetme private nga kompania “Societe Generale de Surveillance”. Sipas marrëveshjes koncensionare, palët do të ridiskutojnë për mundësinë e vazhdimit të saj pasi të përfundonte afati 10-vjeçar.
Por, si gjithmonë, djalli fshihet në detaje. Sipas kësaj marrëveshjeje, funksionet rregullatore do të kryhen nga autoriteti kontraktues (në atë kohë MPPTT), ndërsa ato financiare nga koncensionari SGS. Që në krye të herës, miratimi i koncensionit (por që nuk është vetmi) ka shkelur ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sipas të cilit Autoriteti i Konkurrencës duhet të jepte rekomandimet e tij paraprake për të shmangur abuzimet monopolistike, përderisa koncesioni, si e drejtë ekskluzive, krijonte kufizime sasiore për hyrjet në treg, si dhe kufizonte zgjedhjen konsumatore.
Gjithashtu, gjate miratimit të tij, si në të gjitha rastet e koncesioneve apo partneritetit Publik/Privat, u shkel Direktiva e BE lidhur me rregullat e reja për koncesionet, sepse në asnjë rast parimi i transparencës dhe zbatimi i kriterit “për tenderin me avantazhin me të mirë ekonomik” gjatë procedurave të konkurrimit nuk u bënë evidente dhe të njohura publikisht. Duket se informimi dhe transparenca kanë qenë gjithmonë, në çdo kohë, nga çdo qeveri, armiqtë kryesore të funksionimit të “shtetit ligjor”.
Që kur ky koncesion filloi aktivitetin e tij, shqetësimet publike nuk kanë munguar. Problematikat permanente shkaktoheshin nga mungesa e pikave të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm vjetor, sidomos për rrethet e mëdha, kryesisht Tiranë, që ka sjellë si pasojë radhë të gjata, tarifat e kolaudimit në Shqipëri, të cilat rezultojnë se janë më të larta se ato të aplikuara para nënshkrimit të kësaj marrëveshje (janë rritur), por edhe se tarifat, në shumë nga vendet e BE, (ndërkohë që kontrolli teknik i automjeteve në vende të ndryshme të BE dhe të botës, ofrohet i decentralizuar, ku kontrolli teknik kryhet nga disa operatorë, të cilët kryejnë dhe shërbimin e servisit), pa diskutuar për cilësinë e shërbimit.
Nisur nga ky shqetësim publik, Autoriteti i Konkurrencës, që në vitin 2014 realizoi një monitorim në këtë treg duke u fokusuar te sjellja e koncencionarit ndaj tarifës së shërbimit, të cilat miratohen nga Ministria përgjegjëse, si dhe analizoi nëse ekziston një justifikim ekonomik i rritjes së tarifës përkundrejt performancës së koncensionarit, lidhur me rritjen e cilësisë së shërbimit dhe garancinë teknike për kontrollin teknik të automjeteve. Sipas kontratës koncesionare, nenet 8.2.1 dhe 8.2.2: “ndryshimi i tarifave të kontrollit rishikohet nga koncesionari çdo tre vjet dhe miratohet nga Ministria e Transportit, ndërkohë që koncesionari, çdo muaj, duhet të raportojë pranë Njësisë se Monitorimit të Projekteve pranë këtij dikasteri në lidhje me planin e biznesit dhe zbatimin e detyrimeve kontraktuale.
Pyetja që shtrohet është: A e ka ushtuar këtë detyrim Njësia përgjegjëse, nëse po, a ka konstatuar përgjatë gati 9 viteve shkeljet që sot bëhen publike? Nuk mund të mendohet se gjithç- ka lind nga hiçi dhe sot, papritur, Ministria përgjegjëse evidenton se ky shërbim çalon te burimet njerëzore dhe specialistët e duhur, si dhe aparaturat që duhet të certifikojnë anën teknike të automjeteve, të cilat, sipas saj, nuk janë në standardet e nevojshme ligjore.
Ndërkohë, po kjo ministri gjatë jetëgjatësisë së këtij koncesioni, nga raportet që ka pasur, ka vërejtur se SGS ka realizuar investime në pajisje dhe software, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Transportit si dhe direktivat e BE, dhe ka sjellë eksperiencën më të mirë të ndërmarrjes “mëmë” më specialistë dhe pajisje. A mund të pranohen që këto të meta, aktualisht të evidentohen nga i njëjti organ, që ka raportuar të tjera të dhëna, sot fare pranë mbarimit të kontratës kur koncensionari ka 9 vite që operon në treg me po këto standarde?
Një përgjigje mund të ishte që: Ministria që duhet ta mbikëqyrtë nuk ka qenë e jona (d.m.th e maxhorancës të çdo kohe) ka qenë e aleatëve në qeverisje. Jam gati e sigurt, që kjo do të jetë retorika e ndonjë politikani që do rendë të justifikojë partinë në pushtet për mosveprim dhe për rrjedhojë, të heqë dorë nga përgjegjësia ligjore. Unë, si qytetare, si konsumatore e shërbimit, si taksapaguese, nuk më duhet se kush e drejton atë apo këtë dikaster, sepse shteti, në perceptimin publik, është një i tërë, i pandarë, pavarësisht copëtimit që i bëhet nga marrëveshjet e fshehta ose të deklaruara të politikanëve gjithfarë sojesh, apo për heshtjet e verbëritë e qëllimshme për shkaqe korruptive.
Autoriteti i Konkurrencës, që në vitin 2014, krahas problematikave që ka konstatuar në këtë treg, ka kërkuar mundësinë e liberalizimit të tregut, por as ky institucion nuk është dëgjuar dhe konsideruar sepse dje dhe sot, koncesionet janë të paprekshme, të mbrojtura dhe të garantuara për të vijuar punën qetësisht deri në fund të afatit, “qentë lë të lehin karvani shkon përpara”. Nuk mbarojnë me kaq abuzimet e këtij koncensionari, por jo vetëm të tij.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së koncesionit, Njësia e Trajtimit të Koncesioneve monitoron dhe mbikëqyr ushtrimin e kësaj të drejtë ekskluzive dhe sipas marrëveshjes, kompania SGS detyrohet t’i paguajë autoritetit kontraktues (shtetit shqiptar) një tarifë koncesioni 5% të xhiros vjetore (para tatimfitimit) që koncensionari e mbledh nga tarifat e kontrollit dhe të rikontrollit (duke përjashtuar TVSH), si pas deklarimeve financiare. Fatkeqësisht, as kjo e ardhur nuk është mbledhur nga shteti shqiptar, sepse çdo koncensionar që vjen në vendin tonë të vogël, për rastësi apo për çudi, del gjithmonë me humbje, të cilat shteti ia njeh ligjërisht dhe justifikon mosarkëtimin e tyre.
Natyrisht, që kjo ndodh jo se shteti shqiptar është kaq zemërgjerë dhe i pasur, por këto të ardhura diku shkojnë, për qokë apo për nder të atij, që me pasurinë publike dhe duke shkelur interesat publike, bën ndere për vete dhe partinë që i përket, duke bërë qeder për shtetasit dhe qytetarët e mjerë, që asnjëherë, nga asnjë koncesion, jo vetëm që nuk përfiton, por penalizohen në çmime me të larta dhe në shërbime aspak dinjitoze. Pyetjet që mund të lindin janë të shumta dhe jam e sigurt se këto pyetje vlejnë për çdo koncesion tjetër, që koha dhe vendi u jep të njëjtin fat.
Koncensionarë të ardhur me trumpeta dhe të larguar më “humbje të mëdha financiare”. Vetëm që më duhet të bej sikur nuk kuptoj që të mund t’i afrohem pak logjikës së mosveprimit të shtetit shqiptar. Kur rezultojnë me humbje, përse vazhdojnë aktivitetin koncesionarët? Bilancet që dorëzojnë a kontrollohen nga organet tatimore, të cilët janë shumë të devotshëm për të shkuar derë me derë nëpër biznese të vogla dhe lokale kafe lagjesh, por fatkeqësisht, nuk gjejnë kohë për të trokitur te koncesionarët.
Kjo është një histori që përsëritet me çdo koncesion dhe si për çudi të gjitha të metat dhe shkeljet e tyre konstatohen pak para se afati i kontratës koncensionare të përfundojë. Kjo mund të këtë një shpjegim, ndoshta djallëzor, por gjithsesi më i besueshëm se çdo përrallë që dëgjohet nëpër diskurse politike apo panele analistësh. Ose kjo bëhet sa për të larë gojën se shteti vëzhgon dhe bën sikur penalizon këdo që shkel ligjin, pikërisht në fund kur koncensionari ka përfituar dhe abuzuar ç’ka dashur, ose përdoret si argument në negociata me koncensionarin për t’i zgjatur ose jo afatin e kontratës, natyrisht nëse “sillet mirë dhe është i kuptueshëm”.
Dhe meqë jemi pothuajse në fund të afatit të kontratës, a mund t’ju pyesim ju pushtetarë dhe shtetarë që keni në dorë fatin e kombit dhe të shtetasve tuaj, a i shërbeu ky koncesion interesave publike, a ishte efektiv dhe i nevojshëm dhe a duhet të koncesionohej ky shërbim, kur në fund, në vend të lapidarit, po i hapet gropa e varrosjes? Pikërisht, arsyeja e “dështimeve” të një- pasnjëshme të koncesioneve, abuzimit që ata bëjnë me interesat publike, por me pagë- zimin e shtetit shqiptar, na bën mosbesues ndaj çdo të tilli, të ri apo të vjetër dhe prandaj, sa herë dëgjohet një artikulim partneritet publik/privat apo koncesion, jemi alertë dhe gati të akuzojmë dhe të paragjykojmë çdo shërbim, i cili mund t’i transferohet një subjekti privat të huaj apo vendas.
http://www.panorama.com.al/po-tani-kush-e-ka-radhen/