Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës organizoi leksionin e hapur “Pronësia Intelektuale – Koncepti Juridik dhe Ekonomik, referuar nga ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave, me pjesëmarrjen e gjerë të studentëve të SHLUJ “Luarasi”.
Ky leksion i hapur u zhvillua në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale. Mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale nuk përbën më vetëm një çështje të një vendi, por është pjesë përbërëse dhe e pandarë e zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare. Realizimi me efektivitet i kësaj mbrojtje tashmë përbën një shqetësim mbarëbotëror, për arsye të mundësive të mëdha që ekzistojnë për realizimin e shkeljeve si rrjedhojë e zhvillimeve globale, përfshirë ato teknologjike.
Në këtë leksion të hapur u trajtuan çështjet:
- Pronësia Intelektuale si Koncept Juridik.
- Përse quhet Pronësi Intelektuale.
- Sa njihet Pronësia Intelektuale nga publiku i gjerë, impakti në treg.
- Ndarja e Pronësisë Intelektuale në dy degë: E Drejta e Autorit që menaxhohet dhe mbrohet nga Zyra Shqiptare e Të Drejtës së Autorit, dhe Pronësia Industriale që menaxhohet dhe mbrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave.
- Patentat për shpikjet.
- Kushtet për patentimin e një shpikjeje.
- Markat Tregtare.
- Mbrojtja e Markave Tregtare.
- Dizenjot Industriale.
- Të drejtat që lindin nga dhe pas regjistrimit.
- Pronësi Intelektuale dhe Kapital Intelektual – Koncepti Ekonomik.
- Kushtet e Pronësisë Intelektuale në vëndet në zhvillim.
- Sistemi i mbrojtjes nga konkurrenca e pandershme dhe shkelja e të drejtave.
- Aktualiteti në Shqipëri.
- Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale.
Sistemi i mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale është i bazuar në një rrjet bashkëpunimi ligjor dhe ndërinstitucional kombëtar dhe ndërkombëtar.
Tërësia e veprimtarisë në kuadër të implementimit të standardeve ndërkombëtare në mbrojtje të Pronësisë Intelektuale është sigurimi i të drejtave të Pronësisë Intelektuale, mirëfunksionimi i sistemit gjyqësor, si dhe një infrastrukturë moderne e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Në lidhje me Pronësinë Intelektuale, Strategjia Kombëtare sugjeron që sistemi duhet të inkurajojë transferimin e teknologjisë përmes tregut të transferimit të teknologjisë, në veçanti me shitjen dhe blerjen e teknologjisë së mbrojtur me patentë.
Këto elementë teorik dhe ligjorë me karakter ekonomik dhe moral, duhet të respektohen si një pjesë e rëndësishme e pasurimit të prodhuesve intelektualë. Në këtë këndvështrim, studentët luajnë një rol mjaft kyç në shpërndarjen e njohurive dhe sensibilizimin e gjerë mbi konceptet juridike dhe ekonomike të Pronësisë Intelektuale.