Artikull në GAZETËN PANORAMA – 05.02.2017
Përpos zhvillimeve politike në vend, studentët e Drejtësisë në Kolegjin Universitar “Luarasi” kanë mundësinë të njihen edhe me ato në Europë, përmes modeleve të ndryshme qeverisëse të sjella nga ekspertët e huaj më në zë.
Këtë herë, “Auditorium” te “Luarasi” mirëpriti në një leksion të hapur profesorin e njohur të së drejtës kushtetuese e publike në Europë, Andreas Auer. I ardhur nga “vendi i referendumeve”, Zvicra, eksperti i ligjeve kërkon që edhe populli shqiptar të ushtrojë sovranitetin e tij, duke kërkuar referendume për çështjet që nuk bien dakord me qeverisjen, pavarësisht se një gjë e tillë nuk pëlqehet nga politika.
“Luftoni për të drejtën tuaj, bëjuni presion pushtetarëve, veproni!
Ushtroni sovranitetin tuaj! Ata duhet t’ju dëgjojnë! Politikanet kanë frikë se do të humbin fuqinë dhe njëkohësisht pushtetin e tyre. Kjo është një luftë për pushtet. Nga njëra anë është Populli, Parlamenti dhe Qeveria. Ata e humbasin disi pushtetin në këtë mënyrë, por duhet të dëgjojnë, të kuptojnë të drejtat dhe nevojat që ka populli i tyre”.
Për prof. Auer, referendumi është një e drejtë me rëndësi, pasi rrit përgjegjësinë e sjelljes qytetare, si dhe “frustron” politikën e një vendi. Referuar rastit shqiptar, që në historinë e tij njeh vetëm një referendum, prof. Auer e sheh si një mision mjaft të rëndësishëm e të vështirë bashkimin e popullit për një kauzë.
Por, mbi të gjitha, sipas profesorit zviceran, në Shqipëri mungon kuadri ligjor për referendumet. “Ju e keni të parashikuar referendumin në kushtetutën tuaj, por ju mungon ligji për referendumet, të cilat duhet të krijohen. Nuk është aspak e vështirë. Organizoni ligje të reja për referendumet, bëjini ato procese të lehta, në mënyrë që njerëzit të ndërmarrin vendime të rëndësishme për veten e tyre. Ju mund të mësoni nga ne, ku demokracia e drejtpërdrejtë funksionon”, këshillon eksperti zviceran. Vendi prej nga vjen, Zvicra, njihet si një vend shumë i dhënë pas referendumeve, ku qytetarët janë ata që thonë
fjalën e fundit për çështjet më të rëndësishme.
Nga viti 1848 e deri më sot, në Zvicër janë organizuar rreth 600 referendume federale, pra mesatarisht 34 referendume në vit. Ndërsa Kushtetuta shqiptare, në nenin 2 të saj, u jep qytetareve të drejtën për të organizuar apo për të marrë pjesë në referendume, por që prej miratimit të saj, nuk është bërë asnjë ligj i veçantë për të.
http://www.panorama.com.al/referendumet-profesori-zviceran-leksion-te-luarasi/