Senati Akademik është organi kolegjial më i lartë akademik i institucionit, përgjegjës për përmbushjen e misionit të KU “Luarasi”
Senati përbëhet nga dhjetë anëtarë të personelit akademik të cilët përfaqësojnë dy njësitë kryesore të KU “Luarasi”, në raportet 50% ÷ 50%, si dhe tre studentë.
Anëtarët e senatit zgjidhen nga asambletë e personelit akademik të njësive kryesore, përmes një votimi të përgjithshëm, për një mandat katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, midis anëtarëve të personelit akademik me kohë të plotë, të vetëkandiduar. Anëtarët e senatit i përkasin kategorisë “Profesor” ose kanë gradën shkencore “Doktor” (“PHD”), të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së. Në mungesë të personelit akademik të kategorive të sipërpërmendura dhe, për efekt përfaqësimi, mund të kandidojë edhe lektori, kur ky i fundit mban gradën shkencore “Doktor”.
Nuk mund të kandidojnë për anëtarë të senatit, anëtarët e personelit akademik të cilët:
a) janë në ndjekje penale dhe ndaj tyre është dhënë masë e sigurimit personal;
b) janë dënuar për vepra penale me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c) ndaj tyre është dhënë masë disiplinore.
Përfaqësuesit e studentëve në Senat zgjidhen nga Këshilli Studentor mbi bazën e votimit, sipas përcaktimeve në rregullore.
Senati kryesohet nga Rektori dhe mblidhet periodikisht. Mbledhja e senatit thërritet nga Rektori, në seanca të zakonshme, jo më pak se katër herë në vit. Rendi i ditës i propozuar prej tij dhe materialet për diskutim i vihen në dispozicion anëtarëve të senatit jo me vonë se pesëmbëdhjetë ditë përpara datës së zhvillimit të mbledhjes. Me miratimin e Senatit, në rendin e ditës mund të përfshihen për shqyrtim edhe çështje të tjera të cilat propozohen nga anëtarët e senatit.
Senati mund të mblidhet edhe në seanca të jashtëzakonshme me thirrjen e Rektorit, për të diskutuar mbi çështje të natyrës emergjente. Në këtë rast rendi i ditës i propozuar dhe materialet për diskutim i vihen në dispozicion anëtarëve të senatit jo më vonë se pesë ditë përpara datës së zhvillimit të mbledhjes.
Senati i zhvillon mbledhjet e tij nëse sigurohet kuorumi i nevojshëm prej 2/3 të anëtarëve dhe merr vendime për çështje brenda kompetencave të tij me shumicë të thjeshtë (50% + 1) të votave të anëtarëve pjesëmarrës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në statut.
Mandati i anëtarit të senatit përfundon me mbarimin e afatit katër vjeçar. Mandati ndërpritet përpara përfundimit të afatit kur anëtari i senatit:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
b) jep dorëheqjen;
c) është në pamundësi për të kryer detyrën;
ç) janë konstatuar shkelje të rënda të ligjit ose kodit të etikës.
Ndërprerja e mandatit për rastet e parashikuara më sipër konstatohet me vendim të shumicës prej 2/3 të anëtarëve të senatit.
Në rastet kur mandati i anëtarit të zgjedhur ndërpritet përpara përfundimit të afatit, vendi i tij zihet nga kandidati i radhës në listën e rezultatit të zgjedhjeve. Mandati i anëtarit të ri është plotësues dhe zgjat deri në përfundimin e mandatit katër vjeçar të senatit.
Në rastet kur zëvëndësimi bëhet i pamundur dhe numri i anëtarëve të senatit bie nën 2/3 organizohet votim i përgjithshëm për plotësimin e vendeve vakante, sipas përcaktimeve të këtij statuti.
Vendime të Senatit Akademik
Mbledhje e Senatit dt. 23.11.2016
Mbledhje e Senatit dt. 23.12.2016
Mbledhje e Senatit dt. 16.02.2017