SFIDAT E INTEGRIMIT TË SHQIPËRISË NË B.E. Znj.Erisa Xhixho, Zv.Ministrja e Integrimit Europian

SFIDAT E INTEGRIMIT TË SHQIPËRISË NË B.E. Znj.Erisa Xhixho, Zv.Ministrja e Integrimit Europian

“Luarasi”, leksion mbi pesë prioritetet e integrimit në BE

Nën drejtimin e Znj. Erisa Xhixho, Zv.Ministrja e Integrimit Europian bashkëbisedim me studentët e “Luarasit”

Xhixho: Në një muaj, 4023 ankesa të regjistruara në portalin antikorrupsion

Reforma në administratën publike dhe në sistemin e Drejtësisë, lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe forcimi i të drejtave të njeriut janë 5 prioritetet kyçe që vendi ynë duhet të përmbushë për t’u hapur rrugë negociatave për në Bashkimin Europian. Zv.ministrja e Integrimit evropian, Erisa Xhixha, tha se afati për përmbushjen e këtyre detyrimeve është shtatori i këtij viti. Në një leksion të hapur me studentët e Universitetit “Luarasi”, Xhixho theksoi se deri më tani janë shënuar hapa konkretë nga qeveria në përmbushjen apo realizimin me sukses të pesë prioriteteve. “Reforma në administratën publike është tejet e rëndësishme jo vetëm në momentin që po kalon vendi ynë për hapjen e negociatave. Gjithmonë e më shumë është e domosdoshme ngritja e një administrate funksionale, njëkohësisht eficiente. Prioriteti i dytë është reforma në Drejtësi. Për këtë biem të gjithë dakord që ka probleme në mirëfunksionim, në përzgjedhjen e gjyqtarëve. Prioritet tjetër është lufta kundër korrupsionit. Është një reformë që kërkon gjithëpërfshirje. Ka pasur iniciativa konkrete në këtë drejtim. Para një muaji, ne gjithashtu lançuam portalin antikorrupsion. Nga të dhënat që kemi, kanë mbërritur rreth 4023 ankesa. Nga këto, 1897 kanë marrë zgjidhje, të tjerat janë në proces. Së katërti, është lufta kundër krimit të organizuar. Dhe së fundmi janë të drejtat e njeriut dhe mbështetja e grupeve vulnerabël”, tha zv.ministrja.

Dekriminalizimi

Dekriminalizimi i Parlamentit është një çështje sa aktuale, edhe e nxehtë. Zv.ministrja Xhixho shprehu mbështetjen e saj për nismën, duke e cilësuar me rëndësi “pastrimin” e institucionit legjislativ nga individë të inkriminuar. “Jam shumë dakord që njerëzit e papërgjegjshëm, njerëzit e lidhur me krimin apo njerëz të cilët kanë precedentë jo të besueshëm në shoqëri, nuk duhet të jenë pjesë e arenës publike dhe funksionale. Është një proces pa kthim dhe është shumë i rëndësishëm edhe prej sinjaleve pozitive që vijnë nga Bashkimi Europian”, u shpreh Xhixho.

Kushtetuta

Zv.ministrja u shpreh edhe pro ndryshimeve kushtetuese. Por, sipas saj, ato duhet të jenë të mirëmenduara dhe jo si ato të cilat u bënë në 2008-n, pasojat e të cilave po reflektohen në ditët e sotme. Përpara studentëve të “Luarasit”, Xhixho ndau edhe eksperiencën e saj gjatë kohës së studimeve master që kreu në Londër. Prej 6 muajsh ajo mban postin e numrit dy të Ministrisë së Integrimit. Ndërkohë, prej vitit 2008 ka punuar si lektore në Fakultetin e Drejtësisë së Tiranës.