“Qasja ndaj papunësisë në Shqipëri sipas modelit Ohio”

“Qasja ndaj papunësisë në Shqipëri sipas modelit Ohio”

Fakulteti Ekonomik i SHLUJ “LUARASI”, organizon workshop-in me temë:

“Qasja ndaj papunësisë në Shqipëri sipas modelit Ohio”

nën drejtimin e lektorit amerikan

Mark CRAWFORD 

President i Bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë

Politikat e iniciuara për rimëkëmbje ekonomike kanë pjesën e tyre të riskut, por nëse ato japin rezultate, kthehen në modele për vendet e tjera. Shteti i Ohajos para 4 vitesh vuante pasojat e një deficit në buxhet, që arriti në vlerën e 8 miliardë dollarëve. Por strategjia që aplikoi Guvernatori John Kasich dha fryte, duke e nxjerrë vendin nga kriza, për rrjedhojë duke zbutur ndjeshëm shifrat alarmante të papunësisë. Praktika e ndjekur nga përtej oqeanit u prezantua dje nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Mark Crawford. Gjatë një seminari që Crawford zhvilloi me studentët e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Luarasi në ambientet e Hotel Prestige prezantoi shtyllat në të cilat u mbështet ekonomia e shtetit të Ohajos për të luftuar fenomenin e papunësisë.

“Tri pikat ku u mbështet modeli i Ohajos ishin thjeshtim i procedurave, ulja e tatimeve dhe së treti bëri rregullime në sistem, duke krijuar një institucion që do të menaxhonte financat dhe do të vepronte tërësisht i shkëputur nga qeveria”, u shpreh Crawford. Në vendin tonë, nga të dhënat e prezantuara nga INSTAT, apunësia është në nivelin 17%. Për presidentin e Dhomës  Amerikane të Tregtisë, qeveria është përgjegjësja kryesore, duke qenë se ka në duar instrumentet e duhura për të normalizuar situatën. Por, në raport me vendet e tjera të rajonit, ku përmendim Maqedoninë dhe Kosovën, kjo shifër është dyfish më e ulët. Shkak për këtë është fakti që në këta tregues nuk bëjnë pjesë të vetëpunësuarit në bujqësi. Gjatë seminarit, studentët treguan interes për modelin e ndjekur në shtetin e Ohajos, duke ngritur paralele me realitetin tonë ekonomik. Pyetjes se cili është çelësi për stabilitet financiar, Crawford iu përgjigj duke thënë se aktualisht tatohen pagat dhe kjo nuk është e rekomandueshme.

Në kushtet kur të ardhurat që gjenerohen nga njerëzit e pasur nuk varen nga pagat, por pasuritë e patundshme, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë parashtroi tezën për aplikimin e tatimit mbi këto asete. Ndryshimet e ndodhura sa I takon nivelit të taksave në vendin tonë, nuk mbeten po ashtu jashtë vëmendjes. “Si ka ndikuar ndryshimi i taksave te biznesi”, ishte një nga pyetjet që iu drejtua Crawford. Ndërsa e cilësoi nismën e qeverisë shqiptare të nxitur nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar  Ndërkombëtar, ai tha se mbetet ende për t’u parë mbi efektin që këto taksa do të kenë në ekonominë e vendit.

Crawford shtoi se do të ishte e udhës që përpara të tilla vendimmarrjeve të shihej niveli i taksimit në vendet e rajonit, pasi investitorët janë të njëjtë dhe një moskoherencë do të sillte largimin e tyre. Studentët shfaqën interes edhe për investimet amerikane në vendin tonë. Ata morën garancinë për rritjen e bashkëpunimit, duke qenë se rreziku politik që mbante peng investitorët është fashitur.