Konferenca Shkencore me temë: “Statuti i Drishtit, dokument me vlera unike i trashëgimisë sonë për të drejtën, kristianizmin dhe historinë e Shqipërisë” 19 dhjetor 2014

Konferenca Shkencore me temë: “Statuti i Drishtit, dokument me vlera unike i trashëgimisë sonë për të drejtën, kristianizmin dhe historinë e Shqipërisë” 19 dhjetor 2014

Më datën 19 dhjetor 2014 Shkolla e Lartë universitare Jopublike Luarasi organizoi Konferencën Shkencore me temë:

“Statuti i Drishtit, dokument me vlera unike i trashëgimisë sonë për të drejtën, kristianizmin dhe historinë e Shqipërisë”.

Kjo Konferencë ishte kurorëzim i përpjekjeve të kahershme të stafit akademik të SHLUJ Luarasi dhe veçanërisht i Rektorit, Prof. Asc. Dr. Irakli Koçollari, i cili ishte drejtues i grupit organizator dhe i Bordit Shkencor të Konferencës.

Konferenca u zhvilluar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe u shoqërua me interesim të lartë nga rrethet e studiuesve juristë dhe albanologë, një pjesë e të cilëve kontribuuan me kumtesa me vlerë të çmuar dhe të cilat u ndoqën me interes të veçantë.

Në Konferencë ishin të ftuar dhe ndoqën me interes punimet e saj personalitete të fushave të ndryshme, studiues të së drejtës dhe historisë, akademikë, profesorë, studiues dhe kërkues të rinj në fushën e historisë së shtetit dhe të drejtës si dhe studentë të SHLUJ Luarasi.

Gjithashtu punimet e Konferencës i ndoqën edhe të ftuar të veçantë si ish- Presidenti Alfred Moisiu, Ish-Kryeministri Aleksandër Meksi, aktorë të jetës politike si ministra, deputetë si dhe një numër i madh gazetarësh të mediave të ndryshme të shkruara dhe elektronike.

Konferenca u përshëndet edhe nga Ambasadori i Republikës së Kroacisë në Tiranë, Shkëlqesia e tij, Z. Aleksandër Stipetiç, i cili duke uruar SHLUJ Luarasi për zhvillimin e Konferencës si dhe mirënjohjen për mundësinë për të folur në të, u ndal në rolin dhe figurën e albanologut të shquar kroat Milan Shuflaj, të cilit i atribuohet veç të tjerash edhe zbulimi i Statuti dhe Urdhëresave të Kapitullit të Kishës katedrale të Drishtit.

Mes të tjerash ambasadori Stipetiç theksoi:

Milan Shuflaj ishte i jashtëzakonshëm. Ai ishte një patriot kroat, aristokrat i lindur, me prirje politikani dhe shkencëtari, i drejtpërdrejtë, i guximshëm dhe gjithashtu një poliglot i mirëfilltë.

Kontributi i Shuflait në Albanologji mbetet një nga trashëgimitë e tij më të rëndësishme dhe një dëshmi origjinale për miqësinë mes populli kroat dhe atij shqiptar.

Guximi intelektual i Shuflait, dinjiteti dhe kurajoja e tij njerëzore ishin të admirueshme dhe që akoma edhe sot të frymëzojnë. Ai ishte i jashtëzakonshëm si qenie njerëzore dhe si dijetar.

 Pas fjalës përshëndetëse të amasadorit kroat dhe rektorit të SHLUJ Luarasi, Konferenca vijoi punimet në dy seanca ku u paraqitën 12 kumtesat më të përzgjedhura.

Më poshtë paraqitet një  përmbledhje e kumtesave që u referuan në Konferencë.

 

Prof. Dr. Luan Malltezi :

Vështrim mbi Komunat në Shqipëri në shek. XIII- XIV

 Komunat aristokratike lindën në qytetet e bregdetit dalmat në shek. XIII. Të kësaj periudhe janë Komunat e Raguzës, Kotorrit, Budvës, Zarës etj. Më 1272, Komuna e Raguzës shpalli edhe statutet mbi bazën e të cilaveqeverisej kjo komunë e rëndësishme tregëtare. Të të njëjtës periudhë janë edhe komunat e Tivarit, Ulqinit Shkodrës, Drishtit etj.

Komunat ishin të rrethuara me mure dhe qeveriseshin mbi bazën e statuteve dhe rregullave të vjetra të tyre. Në qendër të komunës ndodhej kështjella e vjetër e qytetit, ku ishin vendosur zyrat e pushtetit lokal. Brenda Komunës kishte institucione dhe autoritete klerikale si kisha, abaci, manastire etj.

Zhvillimi i qyteteve si komuna autonome u jepte atyre mundësitë hynin në marrëdhënie të drejtpërdrejta me komunat e tjera të kohës si persona juridikë për të zgjidhur probleme të karakterit ekonomik me interes reciprok.

Prof. Asc. Dr. Irakli Koçollari:

“Statuti i Drishtit një dokument i rrallë për trashëgiminë e panjohur të legjislacionit shqiptar, të drejtën kristiane dhe historinë e popullit tonë.”

Në shekullin e X, “Perandoria e shenjtë-universale europiane” ishte tronditur rëndë prej krizave të thella politike, që kishin përfshirë “Kontinentin plak” dhe aty nga fundi i shekullit të XII dhe fillimi i shekullit të XIII ajo jepte shenjat e fundme të shpërbërjes së saj. Përfundonte kështu një epokë disa shekullore e asaj që thirrej “Christendom”. E ashtuquajtura “skizma” që kishte filluar, gjente terrenin e përshtatshëm për realizimin e ndarjeve më të thella.

Pikërisht, në këto kohë, Europa  lindi, reformatorë kurajozë të së drejtës, që do t’u jepnin zgjidhje nevojave që kishin diktuar zhvillimet dhe terrenet e reja dhe të panjohura politike dhe administrative. Keta vizionarë hodhën ide novatore dhe hartuan legjislacionin e ri, të cilin e priste tashmë Europa në nevojë.

Kishte lindur kështu epoka e hartimit të akteve të reja ligjore, nën një koncept të ri rreth “të drejtës”, “sovranitetit” dhe “vullnetit të sovranit”. Pra, kishin filluar të hartoheshin “Statutet” e para ligjore të Mbretërive, Republikave, Civitates dhe Comunave europiane.

Pikërisht, në kohët kur hartoheshin “Statutet” e para ligjore nëpër Europë, atëmot fillojnë të hartohen edhe “Statutet” e qyteteve arbërore, të Shkodës, të Durrësit, Danjës, Tivarit, Drishtit, etj. Këto “Statute”, në thelb, nuk qenë gjë tjetër veçse Kushtetutat e para të tyre.

Gjetja dhe publikimi i “Statutit të Shkodrës” (i vitit 1346), i “Statutit të Drishtit” (i vitit 1468), i Tivarit, Danjës, si dhe pjesë nga “Statuti i Durrësit”, apo të ndonjë qyteti tjetër të Arbërisë mesjetare, e rendisin vendin tonë pa asnjë mëdyshje tanimë në radhën e vendeve me një trashëgimi ligjore të shkruar mesjetare, si pak vende të tjera në hapësirat gjeografike ballkanase dhe më gjërë.

Ato flasin qartë se populli ynë nuk vjen nga tradita të varfëra juridike të shoqërive tribale, apo komuniteteve klanore, në treva të thella rurale, të administruara vetëm prej traditës zakonore, kanunore orale.

Të gjitha këto prurje të reja, duhet të zënë vendin e duhur dhe të pasqyrohen denjësisht dhe realisht në tekstet e historinë së të drejtës shqiptare, duke e plotësuar, riformatuar, dhe pasuruar atë.

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi:

“Nga e Drejta Zakonore në të Drejtën Pozitive përmes Statuteve të Shkodrës.”

Deri në fillimet e shek. XIV, burimet historike dëshmojnë se marrëdhëniet e brendshme e të jashtme në Shqipërinë e atëherëshme rregulloheshin nëpërmjet të drejtës zakonore (usus, consuetudines). Elemente të së drejtës feudale, kryesisht bizantine, kishin penetruar gjithashtu në të drejtën zakonore. Historia e së drejtës pozitive shqiptare fillon aty nga mesi i shek. XIV, me hartimin e Statuteve të Shkodrës, e më vonë me ato të Tivarit, Ulqinit, Durrësit e Drishtit. Statutet në fjalë i përkasin tipit të statuteve venecianë e dalmatinë, produkt i qyteteve me një zhvillim të lartë social e politik. Por, ato reflektojnë edhe ndikime të qarta, si nga e drejta feudale bizantine e serbe (Kodi i Stefan Dushanit), ashtu edhe nga e drejta zakonore vendase. Kjo e fundit i kushtëzonte në mënyrë të veçantë sjelljet e banorëve të malësive, siç rezulton qartë në disa raste kriminale të veçanta, për të cilat akuzoheshin emigrantë shqiptarë në Venedik apo në Ankona të Italisë dhe që pasqyronin rrënjët specifike kulturore të malësorëve shqiptarë, ku bënte pjesë edhe kodi i hakmarrjes.

 

Phd. Candidate  Ilirjana Nano:

“”Noteri publik funksioni dhe roli i tij në Arbërinë mesjetare sipas Statuteve të Drishtit dhe Shkodrës.”

Statutet e Drishtit dhe të Shkodrës me prurjet e shumta, në lëmejtë e së drejtës “positive”, të drejtës “laike” dhe asaj “kanonike”, me materien e tyre të panjohur më parë, i sjellin Historisë së Shqipërisë në përgjithësi dhe Historisë të së Drejtës Pozitive shqiptare në veçanti prova dokumentare me një vlerë të paçmuar.

Në referatin tonë, ne kemi kthyer vëmëndjen vetëm tek njeri prej institucioneve të rëndësishme që kishin strukturat shtetërore mesjetare arbërore, dhe që nga këto dokumente – Statutet, bëhet e qartë si ai ka qënë funksion dhe hallkë mjaft e rëndësishme  në strukturat e shtetit për kohën, i organizuar dhe i rregulluar ligjërisht me kompetenca, të drejta dhe detyrime të qarta.

Është fjala për institucionin e “noterit publik ”, i cili gjen pasqyrim, ka vend të rëndësishëm dhe luan një rol unik në jetën dhe veprimtarinë ligjore të shtetit apo organizmit shtetëror të principatave të Arbërit.

Ai mund të konsiderohet një lloj garanti sa i institucioneve laike po aq edhe atyre kishtare. Në personin e tij ngjizen saktësia, vërtetësia, besueshmëria dhe në mënyrë të padiskutueshme edhe morali i lartë.

Prof. Dr. Shaban Sinani & Phd Candidate Danja Sinani:

“Statutet e Tivarit, sprovë për rikodifikim.”

Humanizmi europian solli dukuri të reja edhe në traditën e shkrimeve, e cila deri në atë epokë sundohej prej teksteve biblikë. Mbi të gjitha, u bë e mundur që shkrimet laike të shkëputeshin si një traditë e re më vete. Në këtë mënyrë, lindi një proces i ri kodifikimi, i njohur me emrin ius statuendi, ose ndryshe e drejta statutore. Kjo e drejtë ishte një gjurmë e rëndësishme zhvillimi mendor dhe civilizues jo vetëm për kontinentin e vjetër, por edhe për Mesdheun e Adriatikun në veçanti.

Nga pikëpamja e tipologjisë së rendit juridik, rregullimi urban sipas Statuteve të Tivarit lidhet me pozitën gjeopolitike të qyteteve bregdetare të Adriatikut, që kishin për tendencë të zhvillonin një të drejtë statutore mesdhetare, sipas variantit venecian, si qytete republika, duke ruajtur veçanësi të shumta lokale dhe tradicionale.

Statutet e Tivarit u redaktuan për herë të fundme në dekadat e para të shek. XIV. Origjinali i tyre nuk është gjendur deri më sot, por prej notariatit të qyteteve dalmatine, si Kotorri, Budva e Ulqini, mund të bëhet i mundur një tekst pothuajse integral, i mjaftueshëm për t’u studiuar.

Kjo është arsyeja pse kemi përdorur termin rikodifikim, në kuptimin e rindërtimit të këtyre statuteve prej gjurmës që kanë lënë në aktet juridike, ku janë përmendur si referencë, si precedent apo si krahasim me statute të tjera.

  

Dr. Ardian Kalia

“Organizimi i pushtetit gjyqësor  sipas Statuteve të Shkodrës.”

Duke u ndalur në një nga dokumentet e vjetër mesjetarë të bërthamave të para shtetërore shqiptare, sikundër kanë qenë qytet shtetet medievalë, midis të cilëve edhe Shkodra, apo Scutari siç quhej gjenerikisht nga qytetërimet kufitare të Europës së asaj kohe, në trajtimin tim dua të ndalem në një nga momentet më të rëndësishëm rregullues apo, disiplinues së këtij akti, i cili ka të bëjë me mënyrën e administrimit dhe të dhënies së drejtësisë në atë kohë. E thënë ndryshe, në terma teknikë ligjorë dëshiroj të nënvizoj mënyrën e organizimit të pushtetit gjyqësor sipas Statutit të Shkodrës si dhe parimet bazë mbi të cilat mbështetej e drejta në njësi të tilla me karakter shtetëror.

parimet e përgjithshme të të drejtës dhe të organizmit gjyqësor nuk mund të konsiderohen të shkëputura nga ajo çka parashikohej në Statutet që vepronin në qytet shtetet e tjera të periudhës së Mesjetës. Çmoj të theksoj  në këtë kuadër, ndikimin e madh që ka patur në parimet e organizimit të të Drejtës, e drejta Romake, e Drejta bizantine dhe mbi të gjitha Consuetudine apo, e drejta zakonore.

Dr. Ermal Baze:

“Statutet e Shkodrës: simbol i qytetërimit perëndimopr mesjetar në Shqipëri

Statutet e Shkodrës, të zbuluar në vitin 1997 në fondin e bibliotekës së muzeut qytezës Correr të Venecias nga gjuhëtarja italiane L. Nadin dhe albanologu zviceran O. J. Schmitt, si dhe të perkthyera në mënyrë mjeshtërore nga medievisti i njohur shqiptar Prof. P. Xhufi, bëjnë pjesë në gjerdanin e statuteve që rregullonin jetën e qyteteve të zhvilluara mesjetare në të dy anët e Adriatikut.  Zbulimi dhe botimi i tyre shënon një gur kilometrik për historinë mesjetare të Shqipërisë.

 Statutet e Shkodrës të hartuara në venecianishten e shekullit XV, përbëhen nga 279 krerë, 268 nga të cilët i përkasin dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XIV, 6 shtojca viteve 1391 – 1393 si dhe 5 dispozita të periudhës veneciane 1457-1469. Të modeluara kryesisht sipas konfiguracionit të qyteteve dalmatine të Adriatikut dhe nën ndikimin e pjesshëm të botës sllavo-bizantine, Statutet e Shkodrës përbëjnë një burim me vlerë të pazëvendësueshme për njohjen “de visu” të jetës qytetare shkodrane në Mesjetë, sepse duke u hartuar ne terrenin shqiptar mbajnë karakterin autentik të një materiali dokumentar vendas.

Statutet e Shkodrës përmbajnë një frymë të fortë evropiane, ku qysh në kreun e parë të tyre mishërohet parimi i njohur i qytetërimit mesjetar evropian: “ajri i qytetit të bën të lire”. Në fakt, ky nen sanksionon të drejtën e azilit e të mbrojtjes së çdo personi, që futej në Shkodër për t`i shpëtuar përndjekjeve të pushtetit feudal. Por ky nuk është neni i vetëm, që kujton dokumentet moderne mbi liritë dhe të drejtat e njeriut. Këto liri e të drejta sanksionohen në një sere nenesh të statuteve, ku trajtohen e drejta e jetës, e drejta e pronës, e drejta e trashëgimisë, e drejta për t`u mbrojtur, e drejta për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, deri edhe e drejta për privacy. Statutet e Shkodrës iu kushtojnë një mbrojtje të posaçme shtresave më të pambrojtura të shoqërisë: fëmijëve, grave, pleqve e të huajve.

Phd. Candidate  Folitjona Puraveli & Phd Candidate Inesa Adhami:

Korrupsioni dhe ndikimi i tij në shoqërinë shqiptare prej shekullit XIV-XV e deri në kohët moderne

 “Korrupsioni dhe Vjedhja”, kanë qenë dy nga figurat më të vjetra të krimit, të cilat linden bashkë me organizimet e para të tribuve, ndërsa këto t ëfundit shkonin drejt formimit të insistucionvee të para shtetërore.E thënë ndryshe ky ishte morali i kohës, këto ishin parimet që udhëhiqnin monarkitë mesjetare, pushtetet e tyre absolute dhe sistemet e tjera politike në territoret gjeografike europiane. Kjo ishte klima politike dhe morale, që dominonte bashkë me Europën edhe hapësirat gjeografike ballkanase. Me vonë “Epoka e Rilindjes”, e cila shpalli idetë kurajoze të humans dhe fuqisë së individit, “Magna Carta” e hartuar në Britaninë e Madhe më 1215, si dhe mjaft lëvizje të tjera me karkater kulturor dhe politik kishin lëkundur dhe sulmuar pushtetet absolute të monarkëve, moralin dhe korrupsionin e tyre. Pikërisht, në këto kohë, nëpër territoret e Monarkive, Republikave dhe Principatave europiane filluan të hartohen ligjet dhe Statutet e para të këtyre subjekteve, të cilat kodifikonin ngushtimin e pushteteve të mbretërve. Një statut i tillë, i hartuar pikërisht në këto kohë, është edhe “Statuti i Shkodrës”, i cili ruan standartet e Statuteve të Europës Perëndimore dhe më konkretisht të Statuteve të Venedikut. Statuti fokusohet në korrupsionin dhe vjedhjen e shtrirë tek nënpunësit e administrates e më gjerë.

Prania e një numri të madh dispozitash, të cilat parashikojnë penalitete për subjektet e këtyre krimeve tregon veç të tjerave edhe faktin se të dyja këto krime kanë qënë një fenomen social shqetësues për kohën, në Shkodër, por edhe më gjërë nëpër territoret e Arbërisë. Sanksionimi i tyre ne këtë Statut është në të njëjtën kohë tregues i masave që ka marrë shoqëria e kohës për parandalimin e ketyre fenomeneve kriminale të vjetra po aq sa edhe vetë shteti, e qe vazhdojnë të na shoqërojnë edhe në kohët moderne.

Phd. Candidate  Dorjan Koçi:

“Të dhëna mbi kohën e hartimit dhe mesazhet e kodeve mesjetarë.”

Arbëria Mesjetare ishte një koncept që në rrafshin kulturor përfshinte tre shtresëzime të ndryshme kulturore të ndërthurrura me njëra-tjetrën. Së pari ishte kultura arbëre, një përzierje e traditave më të mira vendase me kulturën e huaj që  ishte imponuar nga lart-poshtë në formën e pushtimeve të drejtë për së drejta qofshin këto latine, bizantine apo sllave, por edhe një shtresë tjetër arbërore-romane dhe arbërore-bizantine-romane-sllave të krijuara prej një bashkëjetese të gjatë me kufij etnikë të papërcaktuar qartë.

Pjesë të rëndësishme të kësaj kulture mesjetare ishte sigurisht e dhe kultura e ligjeve , juridiksionit dhe rregullimit të marrëdhënieve me të tretët si brenda një territori por dhe në marrëdhenie me entitete të tjera shtetërore fqinje.

Në këtë kontekst statutet e Shkodrës dhe të Drishtit të botuar rishtazi para 4 dhe 6 vjetësh në shqip japin një mundësi tjetër historianëve të së drejtës për të studiuar , shqyrtuar dhe arritur në konkluzione të pjesëmarrjes së popullsisë arbëre në procesin e njohur të themelimit të komunave si qendra qytetare të administruara me ligjet e veta në Mesjetë. Një interes më të madh në këtë drejtim fiton studimi i Statutit të Drishtit, një qendre qytetare tashmë të zhdukur, por dikur shumë të rëndësishme të qytetërimit tonë mesjetar.

Dr. Naim Mëçalla:

“Instituti i mosnjohjes dhe preçedentit gjyqësor në Statutet e Shkodrës nga një këndvështrim krahasues.”

Statutet e Shkodrës, si një tërësi aktesh normative të kodifikuara që rregullonin jetën e brendshme të qytet – komunës mesjetare të Shkodrës, parashikonin në norma të veçanta edhe institute me karakter penal të tilla si, institutin i mosnjohjes së normave Statutore, të precedentit gjyqësor, të dënimit, etj..  Në këtë punim do të trajtohen nga një këndëvështrim krahasues Instituti i mosnjohjes dhe ai i precedentit gjyqësor.

Instituti i mosnjohjes parashikohet shprehimisht në Kreun 5 të Statutit. Në këtë dispozitë penale përcaktohet parimi i mosnjohjes së ligjit që nuk bën shkak për përjashtimin nga përgjegjësia penale. Kjo dispozitë penale është mishërim i parimin të së drejtës romake mosnjohja e ligjit nuk është justifikim (Ignorantia juris non excusat). Ndërsa në në Kreun 286 të Statutit njihet nocioni i precedentit gjyqësor, duke parashikuar zgjidhjen e rasteve juridike të papërcaktuara në Statut. Ky institut si një tipar i sistemeve të së drejtës zakonore dhe karakterisikë e të drejtës anglosaksone, parashikohet në një dispozitë të veçantë të Statutit. Gjykatësit, si zbatues dhe interpretues të normave, në këtë rast bëhen me të vërtetë krijues të tyre, por me kusht që vendimet e gjykatësve të futen në Statut duke respektuar parimin e ligjshmërisë.

Përfshirja e këtyre instituteve në Statutet e Shkodrës, si elementë të rëndësishëm i shtetit ligjor, tregojnë se ky dokument ligjor, ka vlera të vërtetë juridike, është një kod i plotë ligjor, me përmasat dhe misionin e një Kushtetute të mirëfilltë. Kjo tregon kulturën e lartë qytetare dhe juridike të  Shkodrës, e cila ndër të parët dhe të rrallët në Europë, harton Kushtetutën e saj, me standarte të larta.

Dr. Edmond Malaj

“Kleri në Drishtin Mesjetar sipas statuteve të Kapitullit të Katedrales së këtij qyteti”

Në kumtesën “Kleri në Drishtin Mesjetar sipas statuteve të Kapitullit të Katedrales së këtij qyteti” bëhet fjalë për organizimin tek klerikët në kanonikën e Kapitullit të Katedrales së Shën Mërisë së Drishtit, duke iu përmbajtur krejtësisht statuteve të tyre, të cilat i disponojmë të përkthyera në shqip në dy versione. (Këto statute janë botuar të përkthyera për herë të parë në vitin 1971 në Prishtinë, dhe për herë të dytë të botuar në Tiranë në vitin 2009). Aty të merren në shqyrtim disa aspekte nga jeta e tyre në bashkësi” duke nisur që nga përzgjedhja e tyre për tu bërë pjesëtarë të kanonikës së këtij kapitulli, e deri në përjashtimin nga ky kapitull, gjë që ndodhte jo vetëm si shkak dënimi, por edhe për arsye shugurimesh në tituj më të lartë kishtarë (për shembull, kur ndonjëri prej tyre bëhej ipeshkëv, etj.). Kumtesa, dhe më vonë edhe artikulli  i plotë, do të ketë si trajtesë dhe objekt hulumtimi të gjithë tekstin e Statuteve të përbërë nga 53 kapituj (nene), duke i ndarë ato sipas çështjeve dhe problematikave të ndryshme në lidhje me klerikët e këtij kapitulli. Përveç kësaj do të bëhen sqarime, se çfarë ishin këta kanonikë, dhe se këto statute nuk kishin të bënin fare me administrimin e qytetit. Ky sqarim është i rëndësishëm sepse, qoftë nëpër medie qoftë nëpër “studime” të ndryshme gabimisht i lidhin këto statute me organizimin dhe administrimin e Drishtit mesjetar, i cili për këto punë duhet të ketë pasur statute të tjera, por që tekstin e tyre nuk e njohim akoma. Pra “Statutet së Kapitullit të Katedrales së Drishtit” bëjnë pjesë plotësisht në të Drejtën Kishtare të Kishës Katolike Romane.