Studentët e “Luarasi”, analizë buxhetit me ekspertët

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 24.12.2016

Një javë pas votimit në Kuvend, edhe studentët e Kolegjit Universitar “Luarasi” thanë fjalën e tyre për buxhetin e vitit 2017. Ambientet e universitetit u kthyen dje në arenë debati e diskutimesh mes studentëve të Fakultetit Ekonomik në prezencën e analistëve dhe ekspertëve më të mirë të ekonomisë, një risi e organizuar nga pedagogu Prof.ass.Dr Mateo Spaho.

“Studentët e ‘Luarasit’ kanë analizuar buxhetin e vitit të ardhshëm me pika të përgjithshme duke u ndalur në elementët më të rëndësishëm.

Tre grupe me studentët më të mirë kanë marrë të dhënat makroekonomike të Shqipërisë sa i përket financimit në arsim e shëndetësi, borxhit publik dhe rritjen ekonomike”, nënvizoi Spaho, një nga ekspertët ekonomikë për Tiranën.

Nisur nga përvoja shumë e gjatë në sferën e financave dhe ekonomisë në përgjithësi, rektori i “Luarasit”, Prof.dr. Arben Malaj, u ndal në nevojën që studentët të jenë të edukuar nga ana shkencore, por pa harruar integritetin dhe përgjegjësinë sociale.

“Duhet të mësoni që njohuritë tuaja t’i testoni, se si i lexoni dhe sa aktivë jeni për të nxitur një debat publik për këto dokumente shumë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Në të gjithë debatet që bëhen sot në botë ka dalë në plan të parë debati lidhur me etikën. Babëzia në industrinë financiare konsiderohet një nga faktorët që ka përshpejtuar dhe thelluar krizën globale. Kështu që në edukimin tuaj profesional ju keni nevojë për një edukim më të mirë lidhur me integritetin dhe përgjegjësitë sociale që do të keni nesër, qoftë si punonjës në një industri të caktuar, qoftë edhe si drejtues të saj në të ardhmen. Se ‘Luarasi’ nuk prodhon vetëm studentë, por edhe liderët e ardhshëm”.

I ftuar në panel për të folur për lidhjet midis ekonomisë dhe moralit për të ndërtuar një vend të mirëqenies, pastori Akil Pano theksoi se shoqëria shqiptare duhet të ndërtohet mbi bazën e drejtësisë dhe të dhembshurisë. “Dëgjojmë shpesh të flitet për shtetin e së drejtës, por drejtësia pa kolonën e moralitetit nuk mund të jetë e tillë. Një shtet i drejtë duhet të jetë i dashur me qytetarët e tij. Do të doja që vendimmarrësit tanë të mendojnë mbi pyetjen sa morale janë ligjet që po vendosin, dhe sa i moralshëm është ky buxhet që kalohet”.

BURSA SOCIALE

Kjo frymë që apelohet në mjediset e universitetit nis që aty. “Luarasi” e dha shembullin e tij. Me ndihmën e Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje iu akordua një bursë e plotë një prej studenteve më të mira, familja e së cilës është në nevojë financiare. Drejtori ekzekutiv i IPPM, Ledjon Shahini, i dorëzoi studentes Hasie Kotarja çekun me 50% të bursës, ndërsa gjysma tjetër mbulohet nga “Luarasi”.

Ai apeloi që ky model të ndiqet nga biznese të ndryshme. “Është një nga gjërat më të mira që mund të bëjë si biznesi, si shoqëria në përgjithësi, t’u vijë në ndihmë studentëve, me qëllim që të kemi të rinj të kualifikuar në të ardhmen dhe që treguesit ekonomikë për të cilët folëm, të përmirësohen. Ne synojmë që këtë iniciativë ta vijojmë edhe në vitet e tjera”.

Universiteti “Luarasi” ka në bazat e tij edhe një profil social, të cilin kërkon ta zhvillojë më tej. Përveç bursave për ekselencën, çdo vit u vihet në ndihmë nëpërmjet skemave të ndryshme studentëve në nevojë. Sakaq gazetari ekonomik, Fatos Çoçoli, nënvizoi prioritarizimin dhe adresimin e shpenzimeve publike drejt atyre sektorëve me më shumë mundësi për rritje dhe punësim.

 

http://www.panorama.com.al/studentet-e-luarasi-analize-buxhetit-me-ekspertet/