Studentja e Harvardit leksion të hapur me të rinjtë e “Luarasi”

Universiteti i Harvardit e ka përzgjedhur shqiptaren Teuta Turani midis studentëve më të mirë në botë.

Por, përpara se të nisë studimet master në një prej universiteteve më të lakmuara, ekselentja shqiptare ka zgjedhur të ndajë eksperiencën e saj të aplikimit njëvjeçar me të rinjtë e “Luarasi” për t’u mësuar atyre se si t’i prezantojnë arritjet në mënyrën e duhur për të qenë fitues.

“Qëllimi im është t’i ndaj me studentë që kanë qëllim të apliklojnë si në Harvard apo në universitete të tjera të ngjashme, të cilat pranojnë një përqindje të vogël të aplikuesve. Përmes këtij work-shopi synoj të rris aksesin e studentëve shqiptarë në këto universitete dhe këtë ta bëj duke informuar që ata të jenë sa më të përgatitur për pjesën e aplikimit”. Për të qenë pjesë e një prej kolegjeve më të mira të botë nuk mjafton vetëm një mesatare e lartë, por janë shumë elemente, të cilat ose të bëjnë fitues ose të penalizojnë.

Për rektorin e “Luarasi”, prof.dr Arben Malaj shumë të rinj humbasin të drejtën e studimit, pasi nuk formulojnë dot aplikimin në mënyrën e duhur. Për këtë, Malaj prezantoi nismën e fundit të ndërmarrë nga universiteti dhe ekselentët që studiojnë jashtë Shqipërisë.

 

“Shpesh për procedura të vogla, studentë të mirë humbasin mundësinë që të shkojnë në universitetet më të mira. Në websitin e “Luarasi” do të ketë një hand book me këshilla konkrete si mund të bësh kujdes në aplikim që të maksimizosh rezultatin. Ideja jonë është që të krijojmë një pikë të veçantë kontakti për çdo student, ku Teuta bashkë me studentë të tjerë bëjnë internship falas për studentët që duan të aplikojnë”, sqaroi prof.dr Malaj.

Teuta Turani është produkt i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje, pasi ka qenë për dy vite e punësuar aty. Kjo periudhë, bashkë me një udhëtim afatgjatë në Lindjen e Mesme, e ka ndihmuar atë të qartësojë idetë drejt asaj çfarë dëshironte. Pas aplikimit në disa prej universiteteve më në zë në botë, në të cilat është shpallur fituese, ajo zgjodhi Harvardin. Në muajin gusht, Teuta do të nisë studimet “Master” në politika publike, në profilin e ekonomisë.

http://www.panorama.com.al/studentja-e-harvardit-leksion-te-hapur-me-te-rinjte-e-luarasi/