Takimi i përvitshëm i rrjetit të studentëve të diplomuar Alumni Luarasi

Më datën 26 Shkurt 2015, ditën e enjte, ora 18.00, në ambientet e Hotel Prestige në Tiranë u zhvillua takimi i përvitshëm i rrjetit të studentëve Alumni Luarasi.

Në këtë takim morën pjesë ish – studentë të diplomuar ndër vite në Shkollën e Lartë Universitare Jopublike Luarasi në të dy ciklet e studimit: Bachelor dhe Master.

Mes atmosferës shumë të ngrohtë, miqësore dhe përmalluese, ish studentët u takuan mes tyre dhe me pedagogët e universitetit.

Në këtë takim kishte përfaqësues të të gjithë brezave të studentëve të shkolluar te Luarasi, mes tyre një pjesë e madhe të punësuar në institucionet publike qëndrore dhe vendore, në profesione të lira të avokatit dhe noterit, në gjykata dhe prokurori, në institucione private si dhe nga ata që vijojnë studimet në ciklin e tretë (doktoraturë) brenda dhe jashtë vendit.

Për nder të studentëve,  Presidenti i Hysenbelliu Grup, Z. Irfan Hysenbelliu, dhe zv. Presidentja e Grupit, Znj. Fabiola Hysenbelliu, të pranishëm në këtë event, organizuan së bashku me stafin akademik një kokteil.

Fjalën përshëndetëse e mbajti Rektori i SHLUJ Luarasi. Prof. Asc. Dr. Irakli Koçollari. Ai veç mirëseardhjes, vlerësoi arritjet e ish studentëve dhe i inkurajoi për suksese të mëtejshme.  Rektori gjithashtu i siguroi studentët e rrjetit Alumni Luarasi për mbështetjen e vazhdueshmë të institucionit.

Më tej, përshëndeti në emër të studentëve të brezit të parë të diplomuar, Znj. Anila Dollani, e cila riktheu para të pranishmëve emocionet e para të saj në këtë shkollë, për të vijuar me përvojën e arritur deri tani në Ministrinë e Integrimit ku është e punësuar prej tetë vjetësh.

Në vijim, përgjatë zhvillimit të takimit, disa prej ish studentëve të diplomuar ndanë me kolegët e tyre përvojat e deritanishmë në karrierë dhe jetë. Mes tyre Blerina Shkurti, Endri Shabani, Bojana Fatkoja , Ervin Sherifaj, Rael Qeleshi, Dritan Malaj, Arbër Kushe etj.

Në përfundim të takimit studentët u përcollën me ngrohtësi nga stafi akademik i SHLUJ Luarasi me dëshirën që takimi i ardhshëm të mos jetë larg.