Konferenca “Institucionet politike-juridike dhe e drejta në 100 vjet shtet te pavarur Shqipëtar” 16.11.2012

“Luarasi” sjell 100 vjet shtet i së drejtës

Shteti dhe e drejta në një shekull. Në prag të festimit të 100-vjetorit të pavarësisë, universiteti “Luarasi” mbajti dje konferencën shkencore, e cila nuk u ndal vetëm në historikun e praktikën e saj që prej krijimit të shtetit shqiptar. Gjatë këtij simpoziumi, ku referuan ekspertët më të mirë të fushës, u parashtruan sfidat që ka sot Drejtësia shqiptare e, për rrjedhojë, e gjithë shoqëria. “100-vjetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë para një detyre madhore: të pajtojë forcën me të drejtën.

E drejta pa ligjin nuk ekziston, por edhe ligji pa të drejtën nuk duhet të dalë e të zbatohet. Nëse ligji dhe shteti kanë bashkëjetuar qetësisht, sepse i pari është produkt i të dytit, e drejta nga njëra anë, dhe shteti e ligji nga ana tjetër, kanë qenë vazhdimisht në tension”, tha rektori i universitetit “Luarasi”, Kristaq Traja. Konferencën e përshëndeti Prof. Dr. Aleks Luarasi, “Rektor nderi” dhe themelues i universitetit “Luarasi”. “Është e domosdoshme që të sundojë ligji, dhe jo individët.

Shteti dhe shoqëria mund të jenë të drejtë vetëm kur ekziston një pushtet, i cili të ketë mundësinë dhe aftësinë të ndalojë atë formë pushteti që bën ligje kundër së drejtës”, u shpreh Luarasi. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Irakli Koçollari, në referimin e tij u ndal në trashëgiminë ligjore që gjeti shteti i ri dhe i pavarur shqiptar pas shpalljes së pavarësisë. Të tjerë pjesëmarrës që referuan gjatë konferencës ishin pedagogë të Universitetit të Tiranës, përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Ministrave.

Nga sa u bë me dije gjatë konferencës, studimi i historisë së shtetit dhe së drejtës shqiptare tregon për një sërë tiparesh specifike të saj. Një veçori, sipas ekspertëve, është se nëse shteti ka ardhur duke u forcuar, madje për shumë kohë edhe brutalisht, sikurse e dëshmon periudha e diktaturës komuniste, sistemi juridik, posaçërisht e drejta, ka mbijetuar në formën e hipertrofizuar të ligjit dhe të urdhrit.

“Historia e së drejtës shqiptare ka qenë mbizotërueshmërisht sundim i teorisë së komandës, çuditërisht e inspiruar nga Hobsi dhe Ostini”, u referua në konferencë. “Ndërsa publikisht, ideologjikisht, politikisht dhe madje edhe në opinionin e publikut të gjerë, shteti është pranuar si entiteti themelor rreth të cilit rrotullohet shoqëria me gjithë segmentet e saj, se, ndërsa ky shtet vështrohet si produktori, lindësi, gjeneruesi i së drejtës, kjo e fundit, forcërisht nuk mund të mos vështrohej si produkti, rrjedhoja e vullnetit shtetëror.

Por, shteti nuk është diçka që qëndron jashtë njerëzve. Shteti është një organizatë me anë të së cilës ushtrohet pushteti dhe pushteti në thelb është forcë, fuqi”, u shpreh rektori Traja.

Gazeta Panorama, 16.11.2012

http://www.panorama.com.al/luarasi-sjell-100-vjet-shtet-i-se-drejtes/