Programet e Studimit Doktoratë
Studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor dhe kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese.
Programet e Studimit Doktoratë
Cikli i tretë i studimeve përfshin programet e studimeve "Master Ekzekutiv" dhe "Doktoratë", referuar nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Programet e studimeve "Master Ekzekutiv" ofrojnë arsimim të një niveli të lartë shkencor dhe profesional. Ato kanë kohëzgjatje normale 1 (një) ose 2 (dy) vite akademike dhe organizohen përkatësisht me 60 ose 120 kredite. Ato përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diploma "Master ekzekutiv" në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese.
Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore "Doktor".
Institucionet e arsimit të lartë vendosin kritere për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.
Programi i Studimit të Ciklit të Tretë
Potenciale për Zhvillimin Ekonomik Kombëtar
Programi i Studimit të Ciklit të Tretë – Dr. (Doktoratë-PhD) pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit Luarasi, në fushën "Potenciale për zhvillimin ekonomik kombëtar".
Kërkim Shkencor
Programi ndërtohet mbi kërkimin shkencor dhe aftësimin e pavarur të kandidatëve në fushën e studimeve ekonomike.
Zhvillim Ekonomik
Fokusi i programit lidhet me analizën shkencore të aspekteve dhe dukurive të ekonomisë kombëtare.
Formim Akademik
Programi mundëson një formim të thelluar akademik dhe kërkimor në fushën e shkencave ekonomike.
Potenciale për Zhvillimin Ekonomik Kombëtar
Për herë të parë, në vitin akademik 2025-2026, pranë Fakultetit Ekonomik u hap Programi i Studimit të Ciklit të tretë, "Doktoratë" në fushën "Potenciale për zhvillimin ekonomik kombëtar", miratuar me Urdhrin Nr. 222 datë 26.02.2025 të Ministrisë së Arsimit.
Në këtë mënyrë formimi akademik i një studenti ekonomie plotësohet me të gjitha ciklet e studimit universitar e pasuniversitar pas atyre BA (Bachelor) dhe MA (Master).
Nëpërmjet këtij cikli studimi ofrohet një formim i thelluar profesional përmes analizës shkencore të aspekteve e dukurive të ekonomisë kombëtare.
Çdo individ që plotëson kriteret për të ndjekur këtë program studimi ka tashmë një mundësi më shumë për të përsosur formimin akademik e kërkimor në fushën e studimeve të shkencave ekonomike dhe për t'u ngjitur në nivelet më të larta të karrierës së tij si profesionist apo studiues i ekonomisë.
Njëzet kandidatët e parë të programit të doktoraturës pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit Luarasi kanë filluar udhëtimin e tyre akademik dhe kërkimor.
Kriteret e Pranimit
01. Kriteret e Përgjithshme
Njësia bazë (Departamenti) përkatëse për çdo vit akademik, në përputhje me kapacitetet akademike, infrastrukturore dhe projekteve kërkimore, propozon numrin e studentëve për këtë program studimi, si dhe kriteret e pranimit të studentëve që miratohen nga njësia kryesore (Fakulteti).
Përzgjedhja e studentëve fitues bëhet nga njësia bazë (Departamenti) dhe miratohet nga drejtuesi i njësisë kryesore (Fakulteti), në bazë të kritereve të përcaktuara për pranimin në këtë program studimi.
Pranimi në programin e ciklit të tretë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë fituar diplomën "Master i shkencave" ose "Master i arteve".
02. Gjuha e Huaj
Kriter specifik pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin.
Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
Studimet Doktorale
Programi i Doktoraturës në fushën "Potenciale për zhvillimin ekonomik kombëtar" përfaqëson ciklin e tretë të studimeve dhe fokusohet në formimin akademik, kërkimin shkencor dhe analizën e dukurive të ekonomisë kombëtare.