ARTIKULL I PROF. ASOC. DR. REZANA KONOMI NË GAZETËN PANORAMA 23.09.2015

ARTIKULL I PROF. ASOC. DR. REZANA KONOMI NË GAZETËN PANORAMA 23.09.2015

Çfarë e pengon luftën kundër informalitetit

PROF.AS.DR. REZANA KONOMI

Aksion kundër informalitetit, …tolerancë zero kundër informalitetit… goditje e fortë…, revolucion ekonomik etj., togfjalësha të cilët janë kthyer në diskurse politike, në tema debatesh dhe në bisedat më të zakonshme në ketë fillimshtatori. Një psikozë sikur diçka e madhe po vjen, shtetndërtimi po fillon të duket dhe tashmë askush nuk do t’ishpëtojë këtij cikloni fiskal. Të gjitha këto ndoshta janë të kuptueshme kur propagandohen nga kreu i ekzekutivit, i cili që nga koha e drejtimit si rilindje kishte prioritete përkundrejt çështjeve shumë më korrente, sikurse ishte aksioni në sistemin energjetik.

Por të thëna këto nga administrata tatimore janë një nonsens, jo vetëm logjik, por edhe ligjor. Kjo për arsyen e thjeshtë se prej dy vitesh kjo administratë tatimore e paguar nga taksapaguesit shqiptarë, nuk ka kryer punën e saj të përditshme dhe këtu nuk e kam fjalën te kontrollet për kuponin apo kasat fiskale, por te fakti i moskontrollit të subjekteve, të cilat ishin dhe janë krejtësisht të paregjistruara.

Dhe kjo situatë tronditëse ishte në mes të Tiranës, nëpër rrugët kryesore të saj të tejmbushura me biznese, të cilat në ditët e frikës dhe terrorit mbyllen dyer, duke folur me heshtjen e tyre se kanë qenë për gjatë gjithë kohës biznese, të cilat kanë përfituar ose nga moskontrollet e tatimorëve, në rastin më të mirë, ose bizneseve të mbështetura politikisht, të cilat nuk i janë trembur askujt ose më keq akoma, biznese të cilat kanë ushqyer me ryshfete inspektorët tatimorë, që për hir të së vërtetës dukeshin sikur shëtisnin si taksidarë nëpër rrugë, si për të thënë se ata ishin të fortët e shtetit që të bën gjëmën.

Por, në fakt, kjo gjëma paska qenë vetëm për ca e ca, për të tjerët kjo  administratë tatimore që duket sikur e ka marrë detyrën e saj të përditshme vetëm në këtë fillimjavë shtatori, paska qenë inekzistente. Prandaj sot propaganda e saj nuk më bind, nuk më ushqen asnjë besim, megjithëse e kemi ushqyer me taksat tona prej kaq kohësh. Nuk jam skeptike për thirrjet për të vendosur dorën e fortë të ligjit, madje e dëshiroj këtë fakt si e vetmja alternativë që mund të na mbajë në këtë vend, por situata e zbuluar ishte zhgënjyese.

Videoja që qarkullonte me dyndjet dhe mësymjet nëpër zyrat e QKR, përveç anës pozitive, atë të formalizimit më në fund të aktivitetit të tyre, zbuloi një situatë krejt absurde, e cila më shumë se sa jep shpresë, shton dozën e mungesës së besimit te hapat pasues. Nga një vëzhgim i shpejtë kupton se bizneset e regjistruara dhe si pasojë
edhe të tatueshme, paskan qenë fare pak në raport me ato të paregjistruarat. Ndërkohë, në Gjykatën Administrative gjen një numër të konsiderueshëm çështjet gjyqësore me objekt ankimimin e gjobave të vendosura nga tatimorët për subjektet e regjistruara, ku dikush është kapur me shkelje për mospasje kase fiskale, dikush për një kupon të munguar.

Absolutisht e drejtë, po ku ka qenë kjo administratë tatimore në raport me subjektet e paregjistruara? Nga kjo analizë përsëri del një konkluzion që më shumë shkon në favor të mungesës së besimit, sesa te një fillim i mbarë në fund të rrugës. Vetëm një grup biznesesh të evidentuara si të regjistruara nga tatimorët paskan qenë gjithmonë shënjestra e kontrollove periodike dhe e subjekteve të gjobitura me shkelje, por që në fakt kanë qenë shumë më mirë sesa turma e madhe e subjekteve të paregjistruara, por gjithsesi të përkëdhelura, sepse asnjëherë në këto dy vite qeverisje të rilindjes nuk e kanë vrarë mendjen (për referencë në këtë rast shkojnë fjalët e një deputeti, “s’i ka plasur fare” dhe as janë shqetësuar për t’u regjistruar, për të zbatuar minimumin ligjor.

Pra në kohën që shteti me strukturat e tij ndërmerrte aksione për të rivendosur rregull dhe ligj në disa sektorë të rëndësishëm, më thoni çfarë ka bërë administrata tatimore kur nuk kishte evidentuar as këtë situatë që dhe për të, sipas deklarimeve mediatike, ishte shokuese? Por për ne qytetarët që kemi besuar te këta shërbyes të pushtetit, çfarë emri t’i vëmë? Besim apo mosbesim? Një situatë paligjshmërie ekstreme për shumë subjekte dhe tregimi i shtetit të fortë ligjore në raport me shumë pak të tillë të regjistruar dhe të tatueshëm nuk mund të gjenerojë besim dhe as shpresë, fatkeqësisht.

Për të qenë të drejtë dhe të barabartë me të gjithë dhe në fund për të besuar se shteti është i barabartë për të gjithë, duhet që shtetarët dhe qeveritarët të jenë më të përgjegjshëm, të heqin dorë nga trajtimi i disave si të nënës dhe disa si të njerkës. Por, edhe ky fakt duket se nuk do mund të mënjanohet. Në këto ditë rendje pas formalizimit të aktivitetit tregtar, të pajisjes me kasa fiskale, përsëri duket se disa subjekteve as që ua ndjen se mungesa e kuponit tatimor mund t’u rrezikojë ushtrimin e aktivitetit.

Jo më larg se dje, në një nga lokalet në zonën rrotull RTSH, jo vetëm që nuk ekzistonte kuponi tatimor, por pa iu trembur syri nëpër tavolina kishte fatura thjesht të printuara. A mund ta kuptoni, nga kjo situatë e përçudnuar si mund të jenë ndierë ato biznese të cilat kanë respektuar ligjin dhe paskan paguar për kaq shumë kohë edhe për
shumicën e subjekteve, në krah dhe përballë tyre, të cilat as që kanë dashur t’ia dinë për ligj, kontrolle dhe inspektorë tatimorë. Ky është standardi për trajtim të barabartë dhe për ndëshkim ndaj kujtdo që do të guxojë të shkelë ligjin?

Këtu duhet të fillojë reforma, te burimi ku fillon paligjshmëria. Ky është ilaçi i shërimit edhe për luftën kundër informalitetit. Por lufta për të fituar krizën e besimit nuk mund të bëhet me aksione, as me propagandë, por me veprime të përditshme, të vogla, njerëzore, të drejta dhe patjetër ligjore. Kultura e pandëshkueshmërisë në realitetin tonë është shumë kapilare, por nuk mund të funksionojë gjatë vetëm për një pjesë dhe për pjesën më të madhe t’i bëhet karshillëk si tjetrit, ashtu dhe vetë shtetit.

Qytetarët e thjeshtë janë të prirur për nga natyra të besojnë te shteti (ç’të bën qeveria, nuk ta bën as Perëndia), sepse duan rregull, jetë të qetë dhe të sigurtë. Por kur shikon çdo ditë në këtë rrugëtim 25- vjeçar drejt demokracisë së vërtetë se më shumë është nëpërkëmbur sesa ka fituar, zhgënjimi është dhe më i madh. Personalisht besoj te shteti ligjor, por sidomos te parimi i vazhdueshmërisë dhe qëndrueshmërisë, ndërsa shtetin me rekorde nuk e di në çfarë teorie dhe filozofie ta gjej, por refuzoj dhe ta kuptoj, sepse dua të besoj çdo ditë, dua të ushqehem me shpresë çdo orë dhe jo një apo dy muaj sa mund të zgjasë një aksion i përkohshëm.

Kultura qytetare dhe pastaj dhe ligjore, jo vetëm duhet ushqyer, por duhet që qytetarët ta ndiejnë se kontributi i tyre sot do t’u  shpërblehet nesër me një shërbim të kthyer mbrapsht nga shteti, te shërbimi shëndetësor, te politikat e arsimit, te pensionet apo uljet e taksave. Por kur dëgjon se mungojnë kaq dhe aq lekë nga arka e shtetit, nuk mblidhen të ardhurat dhe shumë nga këto legjenda urbane apo të vërteta, si mund të ketë besim se paguan për vete, paguan për nesër, për një jetë më të mirë?

Nëse qytetari nuk do ta ndiejë këtë të vërtetë në jetën e tij të përditshme, por do të shikojë se herë pas here gjithmonë mungojnë para që ikin në drejtime të paditura, për të cilat askush nuk ndëshkohet, megjithëse mund të ketë shpërdoruar rëndë detyrën, si mund të ushqejë besim dhe të jetë krahas shtetit në këtë sipërmarrje të madhe? Kjo është në fakt lufta më e vështirë për t’u fituar.

Natyrisht që informaliteti nuk është vetëm fenomen shqiptar, por ajo që e bën të veçantë këtë çështje është disproporcioni midis subjekteve të ligjshme që paguajnë dhe që janë korrekte kundrejt zbatimit të ligjit, por që vetëm këta kanë qenë të vëzhguar, të kontrolluar, të tatueshëm dhe në shumë raste dhe të ndëshkuar dhe subjekteve në shumicë, që deri tani nuk e kanë zbatuar ligjin, por paligjishmëria e tyre ka qenë e mbrojtur dhe e mbështetur nga institucionet shtetërore, situatë e cila ka sjellë si rezultat që të ardhurat që duhet të siguroheshin nga reformat janë shumë herë më të pakta sesa çdo parashikim i institucioneve shqiptare apo ato ndërkombëtare. Kjo është çudia shqiptare, por që duhet të besojmë se nuk do të zgjatë vetëm tri ditë.

PROF.AS.DR. REZANA KONOMI
*Pedagoge në Universitetin “Luarasi”

http://www.panorama.com.al/cfare-e-pengon-luften-kunder-informalitetit/