INTEGRIMI EKONOMIK NË BE, EKSPERIENCA E POLONISË

INTEGRIMI EKONOMIK NË BE, EKSPERIENCA E POLONISË

Profesori polak sjell para studentëve eksperiencën e Polonisë “Luarasi”, leksion të hapur mbi sfidat e integrimit në BE 

Kukulski: Hapim shkollën verore për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e studentëve

Studentët e Universitetit “Luarasi” do të kenë mundësi bashkëpunimi me studentët e Universitetit të Lodz-it në Poloni. Hapi i parë që do të ndërmerret drejt këtij bashkëpunimi, është hapja e shkollës verore, e cila do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje të përbashkët mes dy institucioneve, e cila do të intensifikojë edhe më tepër marrëdhëniet. Sipas profesorit polak, njëkohësisht nënkryetar i Qendrës së dokumentacionit dhe studimeve tatimore, Ziemowit Kukulski, fusha e dytë e bashkëpunimit do të jetë ajo e kërkimit shkencor. “Kemi diskutuar në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet dy universiteteve. Kemi vendosur të fillojmë me shkollën verore, për bashkëpunim dhe shkëmbim ndërmjet studentëve shqiptarë dhe polakë. Fusha e dytë e bashkëpunimit ka të bëjë me marrëveshjet e përbashkëta në lidhje me kërkimet. Mendoj që është një fillim i mirë që të organizojmë një konferencë të përbashkët mes dy vendeve, sa u takon politikave për legjislacionin tatimor”, tha Kukulski.

Leksioni

Studentët e Universitetit “Luarasi” patën dje mundësinë që përgjatë një ore të njiheshin me eksperiencën e shtetit polak drejt integrimit në Bashkimin Europian. Profesori i Universitetit të Lodz-it referoi dje para studentëve mbi temën e integrimit ekonomik në BE, duke sjellë në vëmendje rastin e Polonisë dhe rrugën e ndjekur prej saj drejt aderimit në familjen e madhe europiane. Sipas Kukulskit, Shqipëria ka ende statusin e vendit kandidat dhe bashkëpunimi do t’i hapte rrugë impementimit të përvojës së shtetit polak, duke qenë se kanë një qasje të përbashkët. “Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes dy universiteteve dhe, në rastin konkret, eksperienca që do të kemi së bashku, pasi Shqipëria është kandidate për në Bashkimin Europian. Edhe Polonia ka të njëjtën eksperiencë në rrugëtimin apo aderimin në familjen e madhe, ndaj është me rëndësi bashkëpunimi”, tha profesori polak.

Dekani

Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Luarasi”, Altin Hoti, e ka konsideruar me mjaft interes leksionin e djeshëm jo vetëm për studentët, por edhe për politikëbërësit. “Kukulski merret me çështjet e legjislacionit të taksave dhe këndvështrimi i tij mbi procesin e integrimit ekonomik është parë pikërisht në këtë prizëm. Një risi edhe për politikëbërësit shqiptarë në të njëjtën kohë po kaq interesante për studentët e këtij Universiteti”, tha Hoti. Kukulski është nënkryetar i Qendrës më të madhe të mbledhjes dhe dokumentimit të botimeve mbi legjislacionin tatimor në Europën Qendrore dhe Lindore. Kështu, nëse një institucion kërkon një informacion të caktuar mbi legjislacionin tatimor, qendra e mundëson. “Libraria jonë është unike në Europën Qendrore. Ne kemi rreth 5 mijë botime, që lidhen drejtpërsëdrejti me taksimin dhe japin informacion të detajuar për të”, tha profesori polak.