KU Luarasi dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Soros kanë inaguruar sot Klinikën Ligjore Luarasi.
Klinika Ligjore Luarasi ka për qëllim të ofrojë ndihmë juridike falas për personat në pamundësi ekonomike për të përballuar përfaqësimin ligjor nga avokati. Ajo do ta mbështesë veprimtarinë e saj në punën e studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë të KU Luarasi si edhe në bashkëpunimin me institucione të cilat kanë përvojë në këtë fushë.
Ndihma juridike do të ofrohet nga studentët e Klinikës nën kujdesin e pedagogëve përgjegjës. Objektivi kryesor i Klinikës Ligjore do të jetë ofrimi i një kontributi në formën e ndihmës ligjore falas ndaj grupeve në nevojë si edhe edukimi i juristëve të ardhshëm me frymën e mbrotjes së të drejtave dhe interesit publik.
Ky projekt është mundësuar falë bashkëpunimit dhe mbështetjes financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Soros, në kuadër të programit “ Sfidimi i Kulturës së Pandëshkueshmërisë”. Fondacioni qysh prej fillimeve të tij është përfshirë gjerësisht në garantimin e aksesit në drejtësi dhe duke filluar prej vitit 2013 me zbatimin e strategjisë së re të tij ka krijuar një rrjet me organizata dhe avokatë të cilët ndjekin çështje gjyqësore dhe strategjike në interesin publik. Bashkëpunimi me Rrjetit e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut, të ngritur prej tri vitesh pranë Fondacionit, do të shërbejë për të garantuar ecurinë e këtij projekti duke nxitur mbështetjen e çështjeve të ndërmarra në kuadër të avokatisë në interesin publik.
Zyra e Marrëdhënieve me Publikun