Konferenca Shkencore Ndërkombëtare: “Informaliteti, taksat dhe zhvillimi ekonomik” , 3-4 Mars 2016

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare: “Informaliteti, taksat dhe zhvillimi ekonomik” , 3-4 Mars 2016

Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin Luarasi vjen me konferencën e parë ndërkombëtare shkencore duke trajtuar një nga fenomenet që ka shoqëruar deri më sot e vijon të përcillet ende me shqetësim edhe në botën moderne, informaliteti. Konferenca e një dite më parë, organizuar nga ky universitet në bashkëpunim me atë të Lodz-it në Poloni hodhi dritë mbi çështjen e taksave dhe informalitetit si dhe iu dha përgjigje shumë problematikave që lidhen me to. Pjesë e panelit referues, Ëlodzimierz Nykiel rektori i universitetit të Lodz-it, ku ndodhet një nga qendrat më të njohura për studimet kërkimore në këtë fushë përmendi disa aspekte kritike të informalitetit dhe taksimit, të cilat kanë penguar zhvillimin ekonomik. Gjatë fjalës së tij, Nykiel vuri në dukje se taksat e larta janë arsyeja kryesore që çojnë njerëzit t’i ikin rrugës së ligjshmëirisë. “Kur njerëzit që kanë një biznes vërejnë se autoritetet përkatëse iu vendosin taksa të papërballueshme dhe të padrejta ata tentojnë ta kthejnë biznesin e tyre në informal.” Duke qenë pjesë e një prej sistemeve më të mira në Europë, profesori polak përmendi disa nga masat që duhen marrë për të luftuar këtë fenomen si: ulja e taksave për të mira dhe shërbime, mbështetja e biznesit të ri me taksa më të ulëta, inspektim më efiçent tatimor, duke ndryshuar qëndrimin e publikut ndaj pagesës së taksave e të tjera. Për rektoren e Universitetit Luarasi, Nevila Xhindi, kjo paraqitet një sfidë e vështirë, edhe për faktin që vendi ynë nuk ka asnjë studim të mirfilltë shkencor në këtë fushë. “Informaliteti përbën një sfidë të përbashkët që ne të gjithë duhet ta adresojmë. Ndryshe nga shumë vende të tjera në tranzicion që kanë një literaturë të konsiderueshme e cila siguron vlerësime të madhësisë së sektorëve të tyre jorformalë, në Shqipëri është bërë shumë pak punë kërkimore dhe shkencore për të përqasur madhësinë apo përbërjen e ekonomisë së fshehtë të saj dhe për rrjedhojë, shtrirjen e plotë të evazionit fiskal”. Sipas Xhindit, historia e ekonomisë ka treguar se ne nuk kemi ditur dhe nuk kemi qenë të qartë rreth faktorëve ndikues, zhvillues dhe pengues që kanë impaktuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik afatgjatë. Përveç personaliteteve zyrtare në fushat e financave, administrim biznesit, menaxhimit apo marketingut, në konferencë morën morën pjesë edhe përfaqësues të botës akademike të cilët kanë hartuar punimet e tyre duke e trajtuar këtë temë në disa dimensione. Punimet e konferencës vijojnë sot me dy panele të tjera referimesh.

 

Nisma

Tema e konferencës ”Informaliteti, taksimi dhe zhvillimi ekonomik” është konceptuar bashkë me Qendrën e Dokumentacionit dhe Studimeve Tatimore të Universitetit, e cila renditet ndër të parat në Europë mbi studimet kërkimore në këtë fushë. Punimet e qendrës, pjesë e universitetit të Lodzit me të cilin ”Luarasi” ka nisur bashkëpunimin prej më shumë se një viti, shërben si udhërrëfyës për shumë vende evropiane.

 Melani: Informaliteti, problem tregu online

 Ekonomia informale në tregjet që rregullon AMF është thuajse zero. Kështu deklaron kreu i bordit të autoritetit të mbikëqyrjes financiare, Pajtim Melani gjatë konferencës. I vetmi shqetësim për këtë institucion janë platformat e tregtimit online. “Portalet e tregtimit online të letrave me vlerë i japin mundësi të interesuarve të investojnë në bursa ndërkombëtare, por këto investime janë me rrezik të konsiderueshëm.” Melane apelon qytetarët të tregohen të kujdesshëm në realizimin e blerjeve vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara, pasi të kenë marrë informacion mbi rreziqet që shoqërojnë këto veprimtari.

Beqiraj: Duhen sipërmarrës të arsimuar

E ftuar në konferencë, zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj bëri me dije se reformat kanë patur në fokus luftën kundër informalitetit ndërsa ana e errët e këtij fenomeni është arsimimi i sipërmarrësve. “Të dhënat tregojnë se një pengesë e rëndësishme për rritjen ekonomike nuk është furnizimi me punonjës të mirëarsimuar. Ata krijojnë dhe zgjerojnë biznese moderne me të cilat bizneset informale thjesht nuk mund të konkurrojnë.” Beqiraj përmendi rritjen e kapacitete të sipërmarrjes dhe rritjen e moralit të taksës apo inciativës për të paguar vullnetarisht si të vetmet rrugë që mund të çojë drejt zhvillimit ekonomik. Sipas saj, të gjitha reformat e ndërmarra, të intensifikuara vjeshtën e vitit të kaluar kanë pasur këtë fokus, ndërsa efektet do t’i japë në vite. Beqiraj e konsideroi këtë konferencë si një mjet të çmuar që hedh në diskutim idetë dhe eksperiencat më të mira në luftën kundër informalitetit.

Znj.Nora Malaj: Investojmë në kapitalin human

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj në fjalën e shkurtër vlerësoi punën për organizimin e kësaj konference duke e çuar fokusin te studenti dhe përfitimet e tij në radhë të parë si qytetar, por edhe si profesionist i së ardhmes. “Si përfaqësues e ministrisë së arsimit mendoj që kjo është një nga sfidat e përbashkëta për të minimizuar pritshmërinë në sektorin e edukimit dhe në qëndrimin e saj dhe për të krijuar një kapital human të aftë në tregun e punës”. Sipas Malaj, puna për luftën ndaj fenomenit të informalitetit dhe taksimit të drejtë duhet të nisë me kohë për të dhënë frytet e saj në të ardhmen. “Ne duhet të dimë ta orientojmë drejt problemin, të orientojmë drejt studentët për kërkimin shkencor, apo qasjen për të kuptuar që në fund të ditës secili nga ne mund të japë kontributin në fushën e edukimit por edhe të ekonomisë. Sepse çdo gjë ka një faturë, ajo lexohet e qartë në standardin dhe cilësinë e jetës. Vetëm atëherë mund të themi se misioni ynë është i garantuar.”

Informaliteti në biznes

 Studimi: Nuk raportohen shitjet e as fuqia punëtore

Sipas një studimi të kryer nga eksperti i ekonomisë, Dr.Zef Preçi në bashkëpunim me PhD. Brunilda Kosta bizneset raportojnë vetëm 69% të shitjeve vjetore, duke shmangur kështu 31% të shitjeve. Thuajse në të njëjtat nivele informaliteti ekziston edhe në fuqinë punëtore, ku 29% e tyre nuk raportohet nga pronarët e biznesve. Sfidat e të bërit biznes sipas Preçit janë taksat shumë të larta, konkurrenca nga biznese të paregjistruara, zbatimi i rregullores i cili ka kosto të lartë, merr shumë kohë e të tjera. Bizneset e përfshira në anketim deklarojnë se:taksat e larta, korrupsioni dhe kontrolli i shpeshtë tatimor janë arsyet kryesore që pengojnë transparencën. Ndër faktorët që mund të inkurajojnë pagesën e plotë formale të taksave përmenden një reduktim i nivelit të taksave dhe nëse këto të fundit shkojnë për financimin e shërbimeve të rëndësishme.

Ndryshe mendon një tjetër ekspert i ekonomisë, Selami Xhepa. Sipas tij, informaliteti i lartë më shumë se sa barrierave administrative të biznesit, i atribuohet stadit të zhvillimit ekonomik të vendit. “Një kërkesë për mallra e shërbime që janë larg standardit të tregut të zhvilluar do vazhdojë të ushqejë sektorin informal, deri sa ky i fundit te zhduket vetiu.” Nga ana tjetër, ulja e barrës fiskale dhe përmirësimi i klimës së biznesit mbeten sfida të përhershme.

Mateo Spaho, pedagog i Luarasit në referimin e tij “Taksë e sheshtë apo progresive?” mbrojti idenë e taksës së sheshtë si të vetmen rrugë drejt rritjes ekonomike. “Ato vende që kanë patur një shtet të vogël në ekonomi, i cili ka tatuar pak dhe me norma të ulëta qytetarët ka pasur rezultatet të larta në rritjen ekonomike”.