Majlind Lazimi: Bashkëpunim me universitetet për rekrutimin e studentëve të mirë

Majlind Lazimi: Bashkëpunim me universitetet për rekrutimin e studentëve të mirë

Studentët, bashkëbisedim më drejtuesin e Postës Shqiptare  Universiteti “Luarasi”, leksion për menaxhimin e kompanive publike

 Z.Lazimi: Bashkëpunim me universitetet për rekrutimin e studentëve të mirë

Studentët e Universitetit “Luarasi” zhvilluan dje një orë leksioni të hapur me drejtorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare, Majlind Lazimi.  “Menaxhimi i kompanive publike, sfidë në tregun e lirë” ishte fokusi i takimit, i cili mori trajtën e një bashkëbisedimi interaktiv, ku studentët parashtruan pyetje dhe sugjerime për politikat e administrimit në mënyrë eficiente të kompanive publike, të cilat reflektohen jo vetëm në rritjen e performancës, por edhe në treguesit financiarë. Duke e konsideruar të largët ditën e privatizimit të Postës Shqiptare, kreu i saj Lazimi tha se përvojat e partneritetit me operatorët privatë, apo privatizimet, jo gjithnjë kanë qenë modele suksesi në vendin tonë, duke e aktualizuar këtë me kompaninë CEZ. “Privatizimi në Shqipëri nuk ka qenë gjithnjë i suksesshëm, rastet e fundit kanë dhënë shenja hezitimi për privatizimet e shpejta. Në rastin e kompanisë Posta Shqiptare, besoj se është herët për të folur për privatizim. Dua të theksoj se me rëndësi është fakti që privatizimin të mos e shikojmë si qëllim, por si një mjet nga i cili mund të korret sukses. Privatizimi i CEZ është një leksion shumë i mirë për të gjithë ne mbi atë që duhet bërë siç duhet apo të asaj që nuk u bë si duhet në rastin e kësaj kompanie”, tha Lazimi.

Bashkëpunimi me universitetet

Përvojat më të mira janë ato që fitohen. Në qasjen ndaj kësaj sentence, Posta shqiptare do t’u jap mundësinë studentëve jo vetëm të praktikohen, por edhe të punësohen, për ata të cilët do të dëshmojnë aftësi. Sipas drejtorit të Postës, ky bashkëpunim i cili deri më tani është vetëm me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, do të shtrihet edhe me universitetet private. “Aktualisht kemi marrëveshje me Universitetin e Tiranës, veçanërisht me studentët e Fakultetit Ekonomik. Unë mendoj se në të ardhmen do ta zgjerojmë këtë duke përfshirë edhe universitetet private, sepse do të kishte një interes të dyfishtë, pasi nga ana jonë do të mundësonte spikatjen e studentëve më të mirë. Ndërsa nga ana juaj është eksperiencë e mirë që mund të fitohet. Mendoj që në të ardhmen ky bashkëpunim do të intensifikohet”, u shpreh Lazimi.

Objektivat e Postës

Si një kompani lider në treg për gamën e shërbimeve që ofron, Posta Shqiptare synon jo vetëm zgjerimin e këtyre shërbimeve, por edhe përmirësimin e tyre. “Sfida jonë e parë është me kohën. Nëse duam të jemi të konkurrueshëm duhet të modernizohemi, dhe të modernizohemi do të thotë që të gjitha shërbimet të jenë online”, nënvijëzoi kreu i Postës. Sipas tij, objektiv madhor mbetet edhe investimi në burime njerëzore. Interesit të Arisës, studentes së Ekonomikut, për shtrirjen e shërbimeve që ofron Posta deri në banesë, Lazimi iu përgjigj se për ta bërë të mundur këtë duhet që sistemi i adresave të funksionojë me kapacitet të plotë. “Mungon një adresar kombëtar. E kemi ngritur shpeshherë si shqetësim. Ne jemi agjentë në kuptimin e shërbimit dhe nuk e mundësojmë ne këtë projekt, por nëse kjo bëhet, ne do të kemi saktësi në masën 100% në dorëzimin e gjerave deri në derën e shtëpisë”, tha Lazimi.

Posta Shqiptare, 90 shërbime

Aktualisht Posta Shqiptare ofron 90 shërbime, në rreth 550 zyra të shtrira në të gjithë vendin, të mbuluara nga 2300 të punësuar. Kreu i saj tha se ajo çfarë synohet është ofrimi i të gjitha këtyre shërbimeve, të degëzuara në shërbime postare dhe financiare, online. Studentët treguan interes për vizionin dhe objektivat e Postës Shqiptare për vitin që vjen. Për Lazimin, dy gjëra janë me rëndësi: së pari është performanca në shërbime, duke ofruar komoditet për qytetarët dhe së dyti është performanca financiare, të ardhurat që do të gjenerohen.