Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit për të Drejtat e Njeriut mes Avokatit të Popullit dhe Kolegjit Universitar “Luarasi”

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit për të Drejtat e Njeriut mes Avokatit të Popullit dhe Kolegjit Universitar “Luarasi”

TIRANË­- Rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, z. Arben Malaj dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, nënshkruan sot, një Marrëveshje Bashkëpunimi mes të dy institucioneve. Qëllimi i kësaj marrëveshje është ndërgjegjësimi i institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe publikun në mbrojtjen, respektimin, promovimin dhe nxitjen e standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.

Po kështu edhe përfshirja në kurrikulat mësimore të Kolegjit Universitar “Luarasi” të modeleve të veçantë, për zgjerimin e njohurive të studentëve në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut të parashikuara në Kushtetutën e RSH, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar dhe në legjislacionin vendas në fuqi; Zhvillimin e aktiviteteve gjithë vjetore në fusha me interes të përbashkët.

Në kuadër të kësaj marrëveshje Avokati i Popullit angazhohet në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërgjegjësuese në nivel kombëtar me stafin akademik, pedagogët dhe studentët e Kolegjit Universitar “Luarasi”, me tematika të ndryshme që lidhen me fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe në veçanti, rritjen e rolit të qytetarëve për pjesmarrjen në vendimarrjet e organeve të administratës publike në nivel qendror dhe vendor; Vënien në dispozicion të studentëve për nevoja studimore dhe kërkimore të literaturës dhe arshivës elektronike në Qendrën e Dokumentacionit për të Drejtat e Njeriut pranë Avokatit të Popullit; Shkëmbimin e literaturave në fushën e jurisprudencës dhe të së drejtës vendase dhe ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut.

Rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, z. Arben Malaj shprehu impenjimin për prezantimin e punimeve të pedagogëve dhe studentëve, në aktivitetet e përbashkëta, në fushën e mbrojtjes, respektimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut në vend. Gjithashtu, do të vlerësohen mundësitë për praktika dhe intershipe pranë Avokatit të Popullit për stafin e pedagogëve dhe studentëve, si dhe botimin e studimeve shkencore në fushën e drejtësisë, në Revistën mujore të institucionit.

Rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, z. Arben Malaj e njohu Avokatin e Popullit, z. Igli Totozani me ambientet e reja të këtij institucioni, të dedikuara për aktivitete të hapura me studentët, por edhe me shoqërinë civile dhe institucione të pushtetit qendror e vendor

 

http://www.balkanweb.com/site/nenshkruhet-marreveshja-e-bashkepunimit-per-te-drejtat-e-njeriut-mes-avokatit-te-popullit-dhe-kolegjit-universitar-luarasi/