Presidencialet në SHBA dhe ndikimet në ekonomi

Presidencialet në SHBA dhe ndikimet në ekonomi

Artikull i Prof. Dr. Arben Malaj në GAZETËN PANORAMA – 04.11.2016

Aktualisht e gjithë vëmendja e publikut është fokusuar te zgjedhjet në SHBA. Ndikimi i këtyre zgjedhjeve konsiderohet i ndjeshëm deri në nivele globale, ndoshta edhe për faktin se kandidatët kanë dallime të mëdha lidhur me politikat ekonomike dhe ato gjeopolitike. Prestigjiozja “Financial Times” në të parën e nëntorit, paralajmëronte në kryeartikull pasigurinë në rritje që ndihet në Wall Street lidhur me luhatjen e pritshmërive për një fitore të sigurt të Hillary Clinton­it.

Ndërsa vetëm një javë para zgjedhjeve, sondazhet tregojnë për një avantazh në ngushtim të Clinton ndaj rivalit Trump, investitorët e tregjeve financiare po konsiderojnë ripozicionimin e tyre lidhur me “bastet” për fituesin potencial të garës për Shtëpinë e Bardhë.

VIX Index, një indeks i gjerëpërdorur për të matur pritjet mbi luhatshmërinë e tregjeve financiare amerikane, pësoi një rritje të krahasueshme me nivelet e post­referendumit për Brexit, kuota e arit si investim i sigurt në bursa njohu rritje, ndërsa pesosi meksikan u dobësua ndjeshëm, sepse premtimi i Trump për të ngritur murin ndarës me Meksikën tanimë duket më i afërt.

Në fakt, historia tregon se tregjet reagojnë më mirë gjatë proceseve zgjedhore, në të cilat presidenti i ardhshëm mund të lexohet qartësisht. Sipas Merril Lynch Global Research që nga viti i largët 1928, Standard & Poor’s 500, Indeksi i 500 kompanive më të mëdha të listuara në bursat amerikane, ka rënë mesatarisht me 2.8% në vitet elektorale në të cilat një President në detyrë nuk garon për t’u rizgjedhur. Pritshmëritë racionale të agjentëve ekonomikë duhet të ngrihen mbi analizën fundamentale të impaktit makroekonomik që pritet të kenë platformat e propozuara nga kandidatët dhe probabilitetit përkatës për fitore. Votuesit amerikanë, opinioni publik dhe analistët në mbarë globin po përpiqen të lexojnë se cilët do të ishin skenarët e mundshëm postzgjedhorë për ekonominë amerikane dhe atë globale.

TAKSAT, POLITIKA MONETARE DHE MARRËVESHJET TREGTARE

Debati për nivelin e taksimit vijon të mbetet një nga pikëndarjet më të dukshme të platformave ekonomike të propozuara nga dy kandidatët. Qasje thelbësisht të ndryshme në politikat fiskale që në finale proklamojnë ndryshimet e qenësishme që ndajnë demokratët dhe republikanët për nivelin e taksimit ndaj të pasurve. Clinton vijon të mbetet në linjën e taksimit progresiv të implementuar nga administrata Obama, duke manifestuar qartësisht bindjen e saj për taksa më të larta për individët me të ardhura më të larta, duke vendosur një tavan për lehtësirat fiskale ndaj shtresës së pasur. Në rastin e fitores së Clinton, individët me të ardhura mbi 2 milionë dollarë në vit pritet të paguajnë sipas Buffet Rule (https://www.whitehouse.gov/sites/default/files/Buffett_Rule_Report_Final.pdf) , 30% në formën e tatimit mbi të ardhurat, ndërkohë që kjo shifër shkon në 34%, kur të ardhurat kalojnë 5 milionë, gjithsesi dallohet një zbutje me 5.6% nën nivelin maksimal që aplikohet sot.

Me synim stabilitetin ekonomik dhe inkurajimin e investimeve afatgjata, kandidatja presidenciale demokrate propozon norma tatimi të rritura për fitimin e gjeneruar nga asetet për periudha 1 deri në 6 vite dhe kufizime më strikte për kompanitë që synojnë të zhvendosin aktivitetin e tyre jashtë vendit. Ajo që tërheq vëmendje është fakti se ndërkohë që pritet taksim më i lartë ndaj të pasurve, premtimi për reduktimin e tatimit për shtresën e mesme ende nuk është definuar qartë dhe zëshëm. Kjo ndoshta edhe për faktin që mbështetja e shtresave të tilla bëhet më shumë në krahun e shpenzimeve.

Ndërkohë, kandidati republikan artikulon agresivisht qasjen ideologjike për taksa të ulëta për shtresën e pasur, duke i konsideruar këta të fundit si promotorët kryesorë të rritjes ekonomike dhe hapjes së vendeve të punës. Sigurisht, duke iu afruar çdo ditë e më shumë ditës së të vërtetës së madhe, Trump shpreson që tatimi ndaj korporatave me 15 për qind (i cili është aktualisht 35% dhe konsiderohet nga më të lartët në vendet e OECD) dhe ai ndaj individëve deri në 33 për qind, (shifër kjo e rivlerësuar nga premtimi prej 25 për qind i shtatorit 2015), do të stimulojnë investimet në ekonomi.

Në të kundërt, premtohet një rritje e taksave për shtresën e mesme dhe atë të ulët, megjithëse Trump angazhohet për t’u njohur atyre të drejtën të mbeten në nivelet aktuale. Pavarësisht se plani i propozuar pritet të jetë jo pak i kushtueshëm për financat publike amerikane, parashikuar 4.4 deri në 5.9 trilionë dollarë për dekadën e ardhshme, republikanët besojnë se impulset e premtuara fiskale në favor të sipërmarrjes do të ulin kostot e të bërit biznes, nxitin produktivitetin dhe përkthehen në rritjen afatgjatë të premtuar prej tyre.

Nuk duhet të harrojmë që edhe pse tatimi mbi të ardhurat konsiderohet i lartë, sistemi shumë “bujar” i përjashtimeve fiskale krijon mundësi të jashtëzakonshme që multimilionerët të zbresin shuma të mëdha shpenzimesh, të cilat e ulin nivelin real të taksave të paguara prej tyre, që në shumë raste janë proporcionalisht më të ulëta se të punonjësve të tyre me të ardhura të ulëta. Trump është një nga shembujt jopozitive në kontributin e tij në buxhet.

Mesazhi i tij publik se është aftësi të paguash sa më pak taksa, bie ndesh me sfidat sociale dhe buxhetore me të cilat përballen sot SHBAtë. Një debat për të cilin kandidatët nuk kanë dallime është domosdoshmëria e rishikimit të të gjithë kodit tatimor për ta bërë atë më të thjeshtë dhe me kosto më të ulët për çdo tatimpagues. Mbi politikën monetare të ndjekur nga FED është Trump ai që thekson zëshëm nevojën e perceptuar nga kampi republikan për ngritjen e normës bazë të interesit me qëllim parandalimin e risqeve potenciale që do të buronin nga një inflacion i rritur.

Trump dhe mbështetësit e tij kanë shkuar deri në akuza të drejtpërdrejta për FED, se politikat lehtësuese të kësaj të fundit i shërbejnë fitores së znj. Clinton, ndërsa disa kongresmenë dhe senatorë republikanë kërkojnë kufizimin e FED lidhur me përcaktimin e politikave monetare.

Ish­Sekretarja e Shtetit, nisur edhe nga sensitiviteti publik, e ka përqendruar vëmendjen e saj te premtimi për ndarjen e qartë mes Washington­ it dhe Wall Street­it, duke nënkuptuar pengesa për të mbajtur larg bankierët e tregjeve nga funksionet e larta në Thesarin e Shtetit apo bankat rajonale të rezervës federale.

Znj. Clinton ka paraqitur një paketë reformuese për Wall Street­in, sidomos lidhur me rishikimin e sistemit të bonuseve marramendëse dhe mosmbajtjen e asnjë përgjegjësie të këtyre menaxherëve për humbjet dhe krizat e rënda nga keqmenaxhimi i bankave dhe kompanive të mëdha financiare. Populizëm ekonomik elektoral mund të quhet angazhimi i Trump­it për të aplikuar politika proteksioniste tregtare në mbrojtje të industrisë amerikane, ndërsa marrëveshjet e tregtisë së lirë konsiderohen prej tij si premisa për nxitjen e konkurrencës së pabarabartë.

Ndërsa Clinton, duke vlerësuar kompleksitetin e heqjes së MTL­ve, por e ndodhur në një fushatë të mbarsur me skepticizëm në këtë drejtim, ka shmangur prononcimin e qartë lidhur me Paktin Tregtar të Paqësorit, TPP, ende jo i ratifikuar zyrtarisht nga 12 vendet pjesëmarrëse. Efektet negative të politikave proteksioniste mund të dëmtojnë jo vetëm ekonominë amerikane, por edhe atë globale.

Së pari, sepse rënia e rritjes ekonomike të SHBA­ve ndihet në ekonominë globale.

Së dyti, grupi i vendeve BRIC ka ulur ndikimin pozitiv në ekonominë globale për shkak të rënies së ritmeve të rritjes ekonomike, sidomos të Kinës. Njëkohësisht, kthimi i politikave proteksioniste do të rrisë luftërat tregtare dhe luftën e monedhave, duke dëmtuar shumë vende dhe duke i bërë më të mprehta sfidat globale të papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë. Në vendet me institucione të dobëta, ato ushqejnë edhe paqëndrueshmëri politike apo konflikte rajonale.

INVESTIMET NË INFRASTRUKTURË DHE BORXHI PUBLIK

Të dy kandidatët, pavarësisht se hezitues për të rritur taksën e karburantit, angazhohen për investime të konsiderueshme në infrastrukturë, por me guximin e një kandidati që nuk ka asgjë për të humbur Trump premton një Program ambicioz për rindërtim në vlerën e 1 trilion dollarëve dhe parasheh korporatat si financuese të projekteve të infrastrukturës publike.

Clinton në kampin tjetër premton një Plan për Infrastrukturën prej 275 miliardë dollarësh, financuar me të ardhurat e gjeneruara nga taksat e rritura ndaj biznesit dhe ngritjen e një banke infrastrukture për këtë qëllim. Me një borxh publik në kufijtë e sipërm të lejuar nga ligji, duket se nuk është aspak e lehtë të planifikohen saktë burimet e financimit për të mbështetur propozimet e tyre rreth axhendave infrastrukturore.

Por ai që duket më larg planifikimit objektiv nga këndvështrimi i financave publike është Trump, i cili ende nuk ka paraqitur kthjelltësi në strategjinë e tij për menaxhimin e borxhit publik dhe duket sikur diçka e tillë nuk e pengon të ngrejë objektiva tejet ambiciozë për situatën aktuale të Thesarit të Shtetit. Në dallim, Komiteti për Buxhet Federal të Përgjegjshëm e konsideron harmonizimin e programit të shpenzimeve me planin e taksave të prezantuar nga Clinton si efektiv, për të mbajtur borxhin publik në trajektoren e kontrolluar në të cilën ndodhet sot.

EDUKIMI, PAGA MINIMALE DHE EMIGRACIONI

Interesant zhvillohet debati lidhur me financimin e studimeve të larta, ku të dy kandidatët janë në sinkron lidhur me përgjegjësinë që duhet të mbajnë universitetet në rastet kur studentët e tyre nuk munden të paguajnë kredinë e studimeve të larta. Clinton prezanton planin “universitet pa borxh”, në të cilin i njihet e drejta çdo të riu nga familje me të ardhura më të ulëta se 85’000 dollarë në vit, të studiojë falas në universitetet publike.

Ajo gjithashtu angazhohet për të ngritur skema për rifinancimin e huave për studim, me qëllim që studentët të përfitojnë nga norma më të ulëta të interesit të tregut. Trump në këtë pikë e sheh shtetin si një faktor përcaktues në rregullimin e tregut të kredive studentore, me qëllim që normat e interesit të aplikuara të jenë sa më të ulëta që të mos pengojnë e t’ua vështirësojnë të rinjve të drejtën e studimit.

Për pagën minimale, debati është disi i lidhur edhe me profilet profesionale të kandidatëve. Clinton si politikane demokrate karriere është e vendosur për rritjen e pagës minimale për punëtorët amerikanë në 15 dollarë ora, kurse Trump pas deklaratave kundër rritje,s së fundmi propozonte në platformën e tij ekonomike nivelin minimal prej 10 dollarësh.

Emigracioni është një nga pikat më të debatuara të fushatës së Trumpit, pas deklaratave të tij të ashpra për ngritjen e murit pengues me Meksikën apo ndalimin e myslimanëve të hynin në territorin amerikan. Në fakt, qëndrimi i tij për këtë çështje ka ndryshuar në kohë me evoluimin e kandidimit të tij, duke u bërë më i hapur e pranues për emigrantët, por më i prerë për emigrantët me të shkuar kriminale apo terroriste.

Ndërsa Clinton shfaq hapur mbështetjen e saj ndaj emigrantëve dhe të drejtës së tyre për të qenë shtetas amerikanë. Qëndrimi ndaj emigracionit natyrshëm mban sensibilitetin e lartë të opinionit publik, por çdo premtim jorealist e gërryen kredibilitetin e presidentit të zgjedhur dhe polarizon më tej ambientin politik.

PROJEKSION POSTZGJEDHOR

Fitorja elektorale e Donald Trump­it do të pasohej nga një tronditje e thellë e politikës së jashtme amerikane dhe në politikat tregtare që për pasojë do shoqërohej me volatilitet të lartë të dollarit dhe paqëndrueshmëri të ekonomisë amerikane. Ekonomistët druhen se vendosja e tarifave doganore për importet do të dëmtonte prodhuesit amerikanë që varen nga zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës dhe do të niste një “luftë” tregtare me Kinën, që nuk do të ndihmonte aspak konkurrueshmërinë në tregjet globale.

Rënia e të ardhurave parashikuar të shkaktohet nga zbatimi i planit të taksave të propozuar nga Trump, rreth 4.4 deri në 5.9 trilion dollarë të ardhura të munguara në një dekadë, do të rëndonin situatën e borxhit publik në SHBA. Ndërmarrja e investimeve publike masive në infrastrukturë me financim tregtar në një situatë borxhi në rritje do të kishte pasoja për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.

Ekonomia amerikane dhe tregjet botërore do të pësonin më pak luhatje e projektohen më stabël në afatgjatë, nëse fituese e zgjedhjeve presidenciale do të shpallej Hillary Clinton. “It’s the economy stupid”, është një shprehje që lidhet ngushtë me suksesin e familjes Clinton. Të shpresojmë që të jetë ekonomia ajo që do të orientojë votën se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm i SHBA­ve.

*Prof. Dr. Arben Malaj, Rektor i Universitetit “Luarasi”

*Msc. Arlind Rama, ekspert i Ekonomisë

http://www.panorama.com.al/presidencialet-ne-shba-dhe-ndikimet-ne-ekonomi/