Shqipëria në BE, kryenegociatori i Malit të Zi te “Luarasi”: Të përfshihet shoqëria civile

Shqipëria në BE, kryenegociatori i Malit të Zi te “Luarasi”: Të përfshihet shoqëria civile

Hapja e negociatave me Bashkimin Europian kërkon jo vetëm angazhimin e politikës shqiptare në këtë proces por edhe përfshirjen e gjerë të shoqërisë civile, institucioneve akademike dhe të biznesit.

Është kjo këshilla që jep kryenegociatori për anëtarësimin në BE i Malit të Zi, Alekasandar Andrija Pejovic. Vendi fqinj, tashmë është në përmbushjen e fazës hapëse të negociatave, ndaj kryenegociatori ka ofruar këtë eksperiencë edhe për vendin tonë. Në takimin me studentët e universitetit “Luarasi”, Pejovic thotë se përfshirja e strukturave më të gjera në këtë proces do të jetë një kontribut më shumë për integrimin.

“Është me rëndësi për Shqipërinë që të kuptojmë se çfarë pason nga momenti i negociatave ngritja e këtyre strukturave dhe se si do jetë implementimi i parë i rekomandimeve. Ajo çfarë ne bëmë në Mal të Zi ishte përfshirja e shoqërisë civile dhe institucioneve akademike dhe të biznesit në këto negociata dhe të gjitha këto u përshinë në grupet e punës dhe deri në nivelet më të larta të negocimit. Ishte me rëndësi që pranimi i përfshirjes së shoqërisë civile dhe këtyre institucioneve ishte e pranuar nga parlamenti sepse kjo tregon edhe një funksionim më të mirë të negociatave. Është me rëndësi edhe ngritja e kapaciteteve administrative, pasi flasim për një dokument prej 2000 faqesh dhe ky dokument duhet të përkthehet në mënyrë të saktë edhe në ndryshimet që do bëhen në legjislacionin përkatës të vendit”, tha Pejovic.

Lidhur me kapitullin 26: Arsimi dhe Kultura, Pejovic u shpjegon të rinjve të “Luarasit” se anëtarësimi në BE do të thotë edhe anëtarësim në tregun e punës, ndaj një rëndësi të veçantë merr pjesëmarrja në programet europiane të trajnimit, kërkimit e inovacionit. Një mundësi e mirë për studentët shqiptarë, sipas kryenegociatorit të Malit të Zi, është programi i BE “Erasmus plus”.

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 21.11.2016

http://www.panorama.com.al/video-shqiperia-ne-be-kryenegociatori-i-malit-te-zi-te-luarasi-te-perfshihet-shoqeria-civile/