Simpozium me teme “Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe Arberia ne Epoken e tij”

Simpozium me teme “Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe Arberia ne Epoken e tij”

Në Kolegjin Universitar “Luarasi” ditën e djeshme është zhvilluar simpoziumi me tematikë “Gjergj Kastrioti Skë-nderbeu dhe Arbëria në Epokën e tij”. Gjatë këtij aktiviteti morën pjesë figura të njohura, kryesisht pedagogë të universitetit dhe themeluesi i këtij institucioni të lartë arsimor, Aleks Luarasi, i cili mbajti dhe fjalën e mirëseardhjes për të pranishmit.

Duke rikujtuar këtë epope të lavdishme të Heroit Tonë Kombëtar në këtë vit jubilar, pedagogët dhe studentët e Luarasit referuan dhe morën në analizë marrëdheniet ekonomike dhe nderkombëtare të Skënderbeut. Profesor Aleks Luarasi, iniciator i këtij simpoziumi u shpreh se debati shkencor ka si qëllim të sjellë këndvështrime juridike dhe ekonomike në pasurimin e dijes për Skënderbeut dhe kohën e tij.

 

Kumtesat
Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Spiro Paço, pedagog i lëndës “Historia e Institucioneve dhe Historia e së Drejtës në Shqipëri” pranë fakultetit të Drejtësisë në këtë institucion elitar, tregon se në simpozium u paraqitën edhe disa kumtesa. “Disa persona kishin përgatitur edhe kumtesa, disa ese të shkurtra me tematika të ndryshme në kuadër të simpoziumit. Prof. as. dr Rezana Konomi, dekane e Fakultetit Juridik te Luarasi mbajti në fjalën e saj, foli mbi traktatin e paqes ndërmjet lidhjes së princërve shqiptarë dhe Republikës së Venedikut, më tej prof. as. dr. Mateo Spaho, dekan i Fakultetit Ekonomik, mbajti një fjalë të shkurtër mbi ekonominë mesjetare në Arbëri dhe veçoritë e saj në krahasim me Europën Perëndimore. Ndërkohë gjatë simpoziumit, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi në kumtesën e tij foli mbi figurën dhe imazhin e Skënderbeut në historiografinë gjermane në shekullin e XVI-të”,-tregon Paço. Më tej, ky i fundit në fjalën e tij trajtoi temën mbi traktatin e Gaetës midis Alfonsit të Napolit dhe Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndërsa një grup studentësh të Luarasit kishin përgatitur kumtesën mbi pasurinë e një familjeje fisnike në mesjetë, një krahasim mes Arbërisë dhe Europës Perëndimore.

 

Gjatë simpoziumit është hedhur dritë edhe mbi dy traktate, sakaq studentët e juridikut dhe ekonomikut kanë referuar duke analizur kontratat e veçanta që kanë lidhur tregtarët shqiptarë me vendet fqinje. Synimi i këtij simpoziumi ishte të nxirrte në pah figurën qendrore të shekullit të XV, Simbol i bashkimit të princave shqiptarë në trojet arbënore. Shkrimtarë të shumtë nga të pesë kontinentet janë marrë me të drejtë me figurën e Gjergj Kastriotit, këtij burri të kombit shqiptar që me veprën e tij shkroi lavdinë e një kombi të tërë.

Nga Voltiza Duro – Gazeta Shqiptare- 27.03. 2018

“Luarasi”, simpozium për figurën e Skënderbeut