Z.Blendi Fevziu, bisedë me studentët e “Luarasit” mbi botimin e tij më të ri, librin “Ahmet Zogu, PRESIDENTI QË U BË MBRET”

Z.Blendi Fevziu, bisedë me studentët e “Luarasit” mbi botimin e tij më të ri, librin “Ahmet Zogu, PRESIDENTI QË U BË MBRET”

Blendi Fevziu, bisedë me studentët e “Luarasit” mbi botimin e tij më të ri, librin “Ahmet Zogu, PRESIDENTI QË U BË MBRET” 

“Nga ‘44-90, nuk di çfarë libri t’i sugjeroj dikujt për të lexuar. Kjo është e frikshme”

Nuk është për gjykimet kategorike të personazheve historike. Gazetari I njohur Blendi Fevziu pëlqen të shohë një figurë në të gjitha dimensionet, ashtu siç edhe ka shkruar në librin e tij më të fundit “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”.

Një vepër, me të cilën duket se ka shlyer një borxh ndaj brezit të ri, siç e tha edhe ai vetë dje para studentëve të Universitetit “Luarasi”, gjatë një bashkëbisedimi me ta. Fevziu ka shuar kureshtjen e të rinjve edhe për çështje të aktualitetit politik, ndër to protesta që u mbajt nga pozita dhe deklarata e Kryeministrit për hapjen e dosjeve. “Do të dëshiroja pyetje provokuese, jo thjesht pohuese”, u tha gazetari studentëve të “Luarasit”, të cilët ia plotësuan “dëshirën”…

 Zogu e Noli, si Nano me Berishën

 Teksa ka punuar për librin për Zogun, Fevziut i është dukur sikur po përjetonte Shqipërinë e fillimviteve ’90. Atij i ngjasonin personazhet historike, por edhe rrethanat në disa raste. “Kur po shkruaja Ahmet Zogun, në disa momente të caktuara më dukej vetja sikur isha zhytur në Shqipërinë e viteve ’90. Ka gatigati një përsëritje identike të situatave, të personazheve, të mënyrës si funksionon stili politik, se si reagon vetë politika. Binomi Zogu-Fan Noli ngjan në shumë raste me binomin Berisha-Nano në vitet ’90, në betejën pluraliste. Duke hequr vitin 1924, viti 1920-1923 mund të krahasohet me Shqipërinë e fillimviteve 1990″, tha Fevziu. Duke vlerësuar Parlamentin e parë pluralist, gazetari “udhëtoi” me krahasimin deri në ditët e sotme. I drejtpërdrejtë, kritik I ashpër, por argumentues, Fevziu u shpreh: “Parlamenti i viteve ’90 ka pasur elitën intelektuale të Shqipërisë, me mjekët, juristët, pedagogët më të mirë, e profesionistë të tjerë të fushave të ndryshme. Ndryshe nga sot, ku në Parlament mund të gjesh me kile njerëz të pashkolluar, të padiplomuar, ose me diploma nga universitetet periferike të Maqedonisë, të cilët kanë hyrë në Parlament falë mundësisë herë për të blerë, herë për të manipuluar vota, here duke qenë të fortë, e herë duke organizuar fisin apo tribunë në njëfarë mënyre”.

 Borxh për brezin e ri

 Fevziu e ka ndjerë veten të mahnitur nga brezi i ri gjatë ditëve që ka qëndruar te Panairi i Librit. Duke i quajtur “të rriturit” si më hileqarë, qoftë edhe për gjëra të thjeshta, ai tha se të rinjtë janë të mrekullueshëm, fantastikë nga mënyra se si konceptojnë gjërat, por edhe historinë. Ndërsa brezi i vjetër thotë gjithë kohës “se këtë e di”, pra mbështetet te tradita gojore, të rinjtë kërkojnë të shkruarën, dëshminë dokument. Me këtë kontekst, Fevziu u dha një mesazh studentëve të “Luarasit” e gjithë të rinjve: “Të gjithë ju, merrni nisma që të lini gjurmë të shkruara. Brezi im mendon se ‘i dimë gjërat’. Kam takuar të rinj që thonë se për të njëjtin personazh mami u thotë se është ‘i mirë’, ndërsa babi u thotë është ‘i keq”, por dokumente nuk ka. Jemi i vetmi vend i Europës  Juglindore që nuk kemi një libër që të flasë për historinë e komunizmit. Nuk kemi libra reference. Nga 1944-1990, nuk di çfarë libri t’i sugjeroj dikujt për të lexuar. Këtë ia kemi borxh brezit të ri. Nuk po u lëmë referenca të rinjve. Mendojmë se po bëjmë diçka, por nuk kemi bërë asgjë. Kemi disa kujtime, por ato mbeten gjithnjë subjektive. Ne nuk kemi një njeri që të bëjë një tekst për historinë e komunizmit. Kjo është e frikshme…”.

Të hapen dosjet “Po, të hapen dosjet”. Kështu iu përgjigj Fevziu pyetjes së një studenti gjatë bashkëbisedimit në Universitetin “Luarasi”. Sipas tij, politikanët thonë të gjithë që të hapen, por askush nuk e çon nismën në Parlament.

“Edhe Kryeministri tha që do t’i hapim, atëherë të marrë nismën. Jemi mësuar me deklarata për konsum publik. Bëhet deklarata, gjithë Shqipëria futet në sherr, ndërkohë që duhen marrë iniciativa konkrete, të bëhen propozimet dhe të hyhet në diskutim konkret. Deri tani, ashtu si këtu e 25 vite, nuk ka asgjë të re”, tha Fevziu, duke vënë në dukje faktin se “nuk pati dramë në asnjë vend tjetër ku u hapën dosjet”.

Modelet e deformuara

Një nga studentët e “Luarasit” e pyeti dje Fevziun rreth ofertave politike që I janë bërë. Duke pranuar se ka pasur vazhdimisht oferta joshëse jo vetëm në politikë, por edhe për poste të tjera të larta drejtuese, ai u shpreh se asnjëherë nuk është tunduar për të lënë gazetarinë, pasi aty jep më shumë. Të njëjtën gjë ai u sugjeroi studentëve, duke theksuar se nuk duhet të bëhen imitues. Duke vijuar më tej rreth angazhimit të të rinjve në politikë, Fevziu i inkurajon që të përfshihen, por edhe ka vënë re, fatkeqësisht, një fenomen: “Çuditërisht në politikë po hyjnë disa të rinj, që befas transformohen dhe marrin formën e kryetarit. Lëvizin si kryetari, bëjnë gjestet e kryetarit, marrin edhe kokën e kryetarit. Ju duhet t’i modifikoni politikanët, t’u bëni presion, por nëse filloni t’I imitoni dhe t’u ngjani, kjo është fatkeqësi. Duhet të jeni kontestues ndaj modelit deformues”. Sipas tij, nuk ka politikanë të mirë apo të këqij, por ka shoqëri që toleron politikanë të tillë apo që nuk toleron. Gazetari i njohur u rekomandoi gjithashtu të rinjve që mos ta përdorin fjalën “popull”, por shoqëri. “Personalisht refuzoj ta përdor fjalën ‘popull’, ka inflacion të madh. Nuk mendoj se ka disa politikanë lart dhe një popull poshtë. Politikanët janë produkt I shoqërisë shqiptare. Në përgjithësi, niveli i elitës politike reflekton diku më shumë e diku më pak nivelin e shoqërisë shqiptare, ashtu si në shumë elita të tjera”.