Fakulteti i Drejtësisë, i Universitetit “Luarasi” për vitin akademik 2020-2021 ka riorganizuar programin e studimit “Bachelor” në “Drejtësi” dhe programet master, duke hartuar kurrikulën e re për programin e studimit të integruar të ciklit të dytë në Drejtësi.
Bazuar në Ligjin 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i cili në nenin 82, pika 1, ka përcaktuar se: “Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë realizohen me 300 kredite, për një kohëzgjatje prej jo më pak se 5 vite akademike”.
Implementimi i kurrikulës së re do të shoqërohet me përfundimin gradual të programeve të ciklit të parë dhe të dytë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Luarasi”.
Ky program studimi ka për objektiv të formojë juristë të cilët në përfundim të studimeve të tyre të kenë përvetësuar njohuri të thelluara teorike dhe praktike, formim juridik të thelluar e të gjerë të një karakteri si sistematik ashtu dhe metodologjik në fushën e të drejtës dhe institucioneve juridike, duke patur parasysh si dimensionin kombëtar dhe ndërkombëtarë të tyre.
Diploma e studimeve të integruara të ciklit të dytë në Drejtësi, përbën të vetmin titull të vlefshëm për të mundësuar vazhdimin e Shkollës së Magjistraturës, si në profilin gjyqtar dhe atë prokuror, Shkollës së Avokatisë apo Noterisë duke mundësuar ushtrimin e këtyre profesioneve, apo te tjera në sektorin publik ose privat në administratën qëndrore dhe vendore si dhe në organizma ndërkombëtar në vend dhe në rajon.
Programi i integruar i studimeve të ciklit të dytë në Drejtësi, ka një kohëzgjatje minimale prej 5 vitesh akademike, të ndarë në 10 semestra, në përfundim të të cilit studenti fiton 300 ECTS (kredite).
Ky program studimi në bazë të ligjit 80/2015, klasifikohet si program i ciklit të dytë të studimit, ndaj dhe organizimi dhe veprimtaria e tij do të jetë në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore për këtë cikël studimi.