Në kuadër të aktiviteteve të Shoqatës Konsujt e Nderit në Shqipëri, në funksion të disa prej objektivave kryesorë të saj, kjo Shoqatë ka nisur traditën e organizimit vjetor të një tryeze diskutimi mes institucioneve, konsujve të nderit, sipërmarrësve, trupit diplomatik, etj, për rëndësinë e diplomacisë ekonomike dhe ndikimit pozitiv në zhvillimin e Shqipërisë në fushat kyçe të saj.
Duke qënë se punësimi është një nga fushat kyçe të zhvillimit dhe një nga çështjet më të rëndësishme ku po investohet aktualisht nga qeveria shqiptare, Shoqata Konsujt e Nderit në Shqipëri në bashkëpunim me Rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Botë – AS@N, më datë 21 Tetor 2015 ora 12:00 tek Hotel Tirana International u organizua një tryezë e rrumbullakët diskutimi e bashkëpunimi me temë “Diplomacia Ekonomike dhe Nxitja e Punësimit”. Në këtë tryezë të rrumbullakët morën pjesë Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë – Z. Blendi Klosi, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes – Z. Arben Ahmetaj, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri – Sh.T.Z. Hellmut Hoffmann, Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri – Sh.T.Z. Dimitar Arnaudov, Kreu i Inspektoriatit të Punës – Z. Dritan Ylli, si përfaqësues të lartë të institucioneve publike e private, në Shqipëri e jashtë vendit.
Në këtë tryezë të rrumbullakët mori pjesë edhe SHLUJ “LUARASI”, duke u përfaqësuar me një grup studentësh të të dy fakulteteve Ekonomik dhe i Drejtësisë.
Ky takim synoi të krijojë mundësi bashkëpunimi dhe të ofrojë hapësirat e duhura për të forcuar urat e bashkëpunimit ndërmjet pjesëmarrësve përfaqësues të institucioneve më të larta publike, konsujve të nderit, përfaqësuesve diplomatikë, sipërmarrësve vendas e të huaj në fusha me potencial ekonomiko-tregtar, institucioneve arsimore, si dhe investimeve në fushat kyçe për nxitjen e punësimit.
Nëpërmjet këtij aktiviteti do të krijohet mundësia për të diskutuar në vijimësi mbi sfidat e përbashkëta dhe për të vendosur baza bashkëpunimi për të zhvilluar më tej diplomacinë ekonomike si një katalizator i nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe punësimit.