Klinika ligjore e “Luarasi” asistencë falas, ja rasti

Klinika ligjore e “Luarasi” asistencë falas, ja rasti

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 07.04.2017

Vetëm tre muaj pas përurimit, klinika ligjore te Kolegji Universitar “Luarasi” shënoi rastin e parë të suksesit me përfaqësimin e një të riu në gjykatë. Janë disa studentë, të cilët me ndihmën e pedagogut
mbikëqyrës, avokatit Sajmir Vishaj, arritën të ndryshonin masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje” për 25vjeçarin me iniciale B.P.

“Në rastin konkret, kemi një person të arrestuar në flagrancë me një sasi të vogël lënde narkotike, të cilit i është dhënë ndihma dhe përfaqësimi ligjor falas si në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Gjykatën e Apelit. Jemi në procedim e sipër derisa të marrim vendimin e pafajësisë, pasi, siç e parashikon dhe dispozita, neni 288 i Kodit Penal, përdoruesit narkotikë në doza të vogla përjashtohen”. Për dekanen e Fakultetit të Drejtësisë, Rezana Konomi, ky projekt sjell përfitim të dyfishtë: shtresat në nevojë ndihmë juridike falas, ndërsa studentët fitojnë përvojë të mirëfilltë pune.

“Ky projekt ka si qëllim ndihmesën e shtresave në nevojë, të cilët nuk kanë mundësi financiare të ndjekin të drejtat e tyre në të gjitha  organet e administratës qendrore dhe vendore, në gjykatë e prokurori. Studentët tanë asistojnë me pedagogun mbikëqyrës rast pas rasti të gjitha ankesat që vijnë. Kështu, ata marrin dhe ekspertizën e duhur profesionale për të qenë nesër juristët e ardhshëm të tregut të punës”.

Prej pak muajsh, Kolegji Universitar “Luarasi”, në bashkëpunim me fondacionin “Soros”, kanë ngritur klinikën ligjore, me qëllim për t’u ardhur në ndihmë personave që u duhet të përballen me drejtësinë,
por nuk kanë mundësi financiare.

“Klinika ligjore është urë ku gërshetohet teoria me praktikën. Që në momentin që ata presin të gjithë personat që kanë nevojë për çështje penale apo civile me ndihmesën e pedagogëve, arrijnë të
materializojnë lëndën teorike me praktikën, por njëkohësisht të prekin nga afër rastin, duke i dhënë dhe ndihmën konkrete”, thotë pedagogu i të Drejtës penale, Sajmir Vishaj.

Përveç përfitimeve të anasjellta për të dyja palët, klinika ligjore synon të edukojë dhe ndërgjegjësojë qytetarët për denoncimin e shkeljeve ligjore, si dhe të krijojë modelin e juristit etik, profesional dhe human. Që nga krijimi, në këtë zyrë kanë ardhur dhjetëra ankesa e raste, të cilët përfitojnë ndihmesë ligjore. Mësimi i gërshetuar me praktikën është kthyer tashmë në moton e universitetit, i cili në këtë vit
akademik ka siguruar disa partnerë dhe bashkëpunëtorë që ndihmojnë studentët në arritjet e tyre akademike.

http://www.panorama.com.al/klinika-ligjore-e-luarasi-asistence-falas-ja-rasti/