Në datën 7 mars 2015 në qytetin e Gjilanit në Kosovë u zhvillua Konferenca e Dytë Rajonale me temë: ‘Sundimi i Ligjit dhe siguria publike, faktorë ndikues për bashkëpunim ekonomik rajonal”.
Konferenca u organizua nga Instituti për studime ligjore dhe demokratike. Shkolla e Lartë Universitare Jopublike “Luarasi” mori pjesë në këtë konferencë me cilësinë e bashkëorganizatorit.
Bordi shkencor i Konferencës përbëhej nga studiues dhe profesorë të universiteteve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Në këtë bord SHLUJ “Luarasi” përfaqësohej nga dy pedagogë të saj: Irakli Koçollari dhe Ilirjana NANO.
Në këtë Konferencë morën pjesë dhe referuan rreth 100 studiues nga vendet e rajonit tonë përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë.
Konferenca u zhvillua në një seancë plenare dhe më tej në panele të ndara sipas tematikës së trajtuar nga studiuesit.
Panelet kryesore të Konferencës përfshinin prurje të reja shkencore në fushat e mëposhtme:
- Drejtësi
- Ekonomi
- Sociologji
- Edukim
- Media- Gazetari
- Diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare
- Integrimi europian
Në Konferencë morën pjesë dhe referuan disa pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Fakultetit të Ekonomisë të SHLUJ “Luarasi”.
Në seancën plenare të Konferencës, SHLUJ “Luarasi” u përfaqësua me Rektorin, Prof. Asc. Dr. Irakli Koçollari i cili përshëndeti pjesëmarrësit në konferencë dhe të ftuarit në emër të Luarasit. Në po të njëjtën seancë, e cila u mbajt ne sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit u nënshkrua edhe një marrëveshje mes Shkollës së Lartë Universitare Jopublike “Luarasi” dhe Institutit për Studime Ligjore dhe Demokratike. Kjo marrëveshje vjen pas disa bashkëpunime të mëhershme mes dy institucioneve dhe konsiston në kontribut të ndërsjelltë për organizimin e Konferencave dhe veprimtarive të tjera me karakter shkencor mes të dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua për SHLUJ “Luarasi’ nga ana e Rektorit Prof. Asc. Dr. Irakli Koçollari, dhe për ILSD nga ana e drejtorit të tij, Z. Flamur Hyseni.
Kjo Konferencë si dhe nënshkrimi i marrëveshjes së mësipërme zgjuan interes të veçantë edhe të mediave lokale dhe kombëtare të Kosovës të cilat ndoqën dhe pasqyruan gjerësisht punimet e saj.
Në përfundim të Konferencës u promovua numri i parë i Revistës Shkencore Rajonale të Shkencave Sociale “Reforma”, në të cilën ishin botuar edhe punimet e Konferencës.
Anëtarë të Kolegjiumit të revistës “Reforma” janë edhe Rektori i SHLUJ “Luarasi”, Prof. Asc. Dr Irakli Koçollari dhe pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë PhD Candidate Ilirjana Nano.