E drejta e detit, “Luarasi” leksion për paktin me Greqinë

E drejta e detit, “Luarasi” leksion për paktin me Greqinë

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 28.11.2017

http://www.panorama.com.al/e-drejta-e-detit-luarasi-leksion-per-paktin-me-greqine/

Tetë vite nga marrëveshja për kufirin detar me Greqinë, çështja vijon ende të jetë një pikë e nxehtë e marrëdhënieve dypalëshe. Ndërsa qeveria shqiptare i është dorëzuar vullnetit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi paktin, për palën greke gjërat janë aty ku janë caktuar 8 vite të shkuara dhe asgjë nuk ka ndryshuar.

luarasi

 

 

Ndërsa vlerësoi bisedimet e nisura nga dy ministrat e jashtëm të dy vendeve, Kotzias dhe Bushati, analisti shqiptaro-amerikan i çështjeve ballkanike, Agron Alibali, tha se nëse palët nuk bien në ujdi, atëherë është Gjykata e arbitrazhit në Hagë ajo e cila do të vendosë pikat mbi “i”.

“Pala greke, ashtu edhe ajo shqiptare, janë para një shansi historik që të krijohet një zgjidhje e problemeve të akumuluara prej vitesh, kryesisht prej qasjeve nacionaliste nga pala greke. Vetë fakti që po bisedohet, është shumë pozitiv. Kotzias dhe Bushati janë të dy diplomatë me përvojë dhe vizionarë. Vullneti i palëve është parësor, thelbë- sor, por nëse ata nuk arrijnë të bien dakord, atëherë duhet një palë e tretë. Konventa apo kushtetuta e detit përcakton tri forume, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tribunalin e Hagës dhe Gjykatën e të Drejtës në Hamburg. Nëse pala shqiptare dhe ajo greke nuk arrijnë në një marrëveshje të re, atëherë çështja duhet të zgjidhet në Gjykatën e arbitrazhit në Hagë”.

Në një leksion të hapur me studentët në Kolegjin Universitar “Luarasi”, Alibali u ndal edhe në një çështje po kaq të mprehë sa edhe marrëveshja, siç është ligji i luftës. “Personalisht gjykoj që duhet hequr nga tryeza ligji i gjendjes së luftës. Madje, bisedimet nuk duhet të fillonin pa u hequr ky ligj, i cili i ka kushtëzuar gjithnjë marrëdhëniet shqiptarogreke. Është një relikte e historisë dhe është absurde që ekziston akoma. S’ka asnjë bazë reale dhe efektet janë vetëm në dëm të palës shqiptare nga ana civile”.

PAKTI

Marrëveshja e detit me Greqinë u nënshkrua në prill të 2009-s. Në sajë të këtij pakti, Greqia i rrëmbente Shqipërisë rreth 300 km katrorë det. Por denoncimi në media, reagimi i opozitës së atëhershme dhe publikut dhe në fund vendimi i Gjykatës Kushtetuese e hodhi poshtë marrëveshjen, si të papajtueshme me Kushtetutën në vitin 2010.

STUDENTËT NGA KOSOVA

Të pranishëm në auditor, veç studentëve të “Luarasit”, ishin edhe studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” në Kosovë, të cilët mbërritën në Tiranë me rastin e festave kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit. Në përfundim të leksionit, studentët nga të dyja universitetet kanë organizuar një konferencë lidhur me çështjet e menaxhimit të strukturave rinore dhe lidershipit.