Fjala e Presidentes së Universitetit Luarasi
Znj. Fabiola Hysenbelliu
Në shoqërinë dhe ekonominë e sotme të dijes, arsimi i lartë nuk është thjesht një mjet për të marrë një diplomë, por është një mundësi për mirëqenie ekonomike, zhvillim social dhe sukses individual në çdo treg pune.
Ndërsa lindin sfida të ndryshme, aftësia e institucioneve të arsimit të lartë për t’u zhvilluar dhe përmbushur kërkesat e botës moderne do të përcaktojë ndikimin e rëndësinë e tyre në të ardhmen. Në këtë mënyrë ato luajnë një rol thelbësor në formësimin e individëve dhe shoqërive. Universitetet nuk janë më thjesht qendra të mësimdhënies, por ato janë shndërruar në qendra kërkimi shkencor, inovacioni dhe zhvillimi të aftësive që u përshtaten nevojave dinamike të ekonomisë globale.
Që kur nisi rrugëtimin e tij si institucion i arsimit të lartë jopublik në Shqipëri, Universiteti “Luarasi” është rritur hap pas hapi duke krijuar një traditë të cilësisë më të lartë akademike dhe një ndjenjë të fortë të komunitetit përmes numrit të studentëve që rritet në çdo vit akademik. Kjo na motivon të përmirësojmë vazhdimisht infrastrukturën, programet e studimit dhe mbështetjen për studentët tanë.
Këta kufij të cilësisë akademike janë kapërcyer tashmë nga Universiteti “Luarasi”, duke ofruar për herë të parë prej vitit akademik 2025-2026 programe të përbashkëta studimi në gjuhën angleze në bashkëpunim me Universitetin e Londrës (University of London-UoL), nën drejtimin akademik të Shkollës Ekonomike të Londrës (London School of Economics-LSE).
LSE përfaqëson një nga universitetet më të mira dhe më cilësore, si edhe një ndër emrat më të njohur në tregun e arsimit të lartë sot në botë. Diplomat e këtyre programeve të studimit do t’u japin mundësi të reja studentëve shqiptarë për t’u zhvilluar profesionalisht në Shqipëri me kosto shumë të arsyeshme dhe të jenë pjesë e tregut global të punës.
Kurrikula është e një cilësie shumë të lartë dhe ofron një përvojë mësimore ndërdisiplinore duke integruar teorinë dhe aftësitë praktike. Tradita e mësimdhënies akademike dhe reputacioni që gëzojnë në nivel ndërkombëtar Universiteti i Londrës (UoL-University of London) dhe Shkolla Ekonomike e Londrës (LSE-London School of Economics), ashtu sikurse përvoja e Universitetit “Luarasi”, si një nga institucionet e para të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri, përbëjnë garanci për zhvillimin me cilësi të këtyre programeve të studimit.
Studentët dhe personeli ynë akademik do të kenë akses në bibliotekën online të Universitetit të Londrës, e njohur si biblioteka universitare më e vjetër online në botë. Kjo mishëron përkushtimin e Universitetit “Luarasi” për të përdorur teknologjinë duke krijuar një qasje ndaj arsimit cilësor në nivel global.
Universiteti ynë ka një traditë në formimin e individëve që synojnë të jenë të suksesshëm dhe liderë të së ardhmes. Në këtë drejtim, ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë këtë mision me profesionalizëm dhe risi, duke e pasuruar atë edhe me një ofertë të re programesh studimi në gjuhën angleze, që plotëson kërkesat e të rinjve për të qenë qytetarë globalë të botës ku jetojmë.