Fundvit akademik, “Luarasi” mbledh asamblenë studentore

Fundvit akademik, “Luarasi” mbledh asamblenë studentore

Nga salla e Parlamentit të Shqipërisë, Këshilli studentor i Kolegjit Universitar “Luarasi” mblodhi dje asamblenë studentore për të bërë një rezyme të vitit që po lëmë pas dhe për të përcaktuar objektivat për 2017-2018.

Me emocion, por dhe me dëshirën e madhe që studentët e “Luarasi” në një të ardhme të jenë ata që do të flasin e vendosin për fatin e vendit, rektori Prof. Dr. Arben Malaj shprehu ambicien për rritjen e kredibilitetit të universitetit.

“E kam sfidë që ‘Luarasi’ të jetë universiteti më i mirë. Në synojmë që stafi akademik të jetë më i miri, pasi kredibiliteti i ‘Luarasit’ do rritet duke nxjerrë studentë të talentuar, një pjesë e të cilëve do jenë pjesë e stafit akademik dhe të tjerë që do marrin mandate në biznes privat apo administratë publike”.

Për Malajn, studentët e suksesshëm janë ata që do të shërbejnë si promotorë jo vetëm për “Luarasi” si universitet, por edhe të punësimit të të diplomuarve nga aty. Në prag të hapjes së garës për rekrutimin e stafit të ri akademik, rektori shprehu dëshirën e tij që shumica prej tyre të jenë produkt i “Luarasi”.

“Unë do të isha shumë i kënaqur që studentët që janë në master dhe kanë ambicie për të qëndruar si staf akademik, të vrapojnë e dorë- zojnë dokumentet, pasi shumë shpejt do të hapim procedurat. Unë do të parapëlqeja nga studentët e ‘Luarasi’, pasi në fund të fundit parimi kryesor për të qenë i suksesshëm në staf akademik është të duash mësimdhënien. Por kur do dhe universitetin ku ke studiuar, mundësia për të qenë i suksesshëm është shumë e madhe”, nënvizoi Prof. Dr. Malaj.

ASAMBLEJA VJETORE

Fjalën hapëse të punimeve të asamblesë e mbajti presidenti i Këshillit studentor, Gjergj Majko, i cili, pasi përmblodhi punën e një viti, nuk harroi të falënderonte ata që u kanë qëndruar në krah studentëve, duke i mbështetur për çdo iniciativë. “Gjatë këtij viti akademik kemi arritur të ngremë emrin e universitetit tonë, por kjo nuk mund të arrihej pa ndihmën e disa personave.

Këtë vit patëm nderin të kemi në pozicionin e rektorit profesor doktor Arben Malaj, që ka mbështetur vazhdimisht Këshillin studentor e po ashtu dhe një grup pedagogësh që kanë asistuar me dëshirën e vullnetin e tyre duke u kthyer dhe në miq të studentëve: Julinda Gjikën, Faola Hodajn dhe Spiro Paçon”. Radha e fjalimeve vijoi me pedagogë e studentë që në vite i kanë dhënë shumë universitetit.

Për Dr. Dorina Gjipali, asambleja është një aktivitet shumë i rëndësishëm, përmbledhëse e arritjeve dhe gjërat që duhen përmirësuar vitin tjetër akademik. Ky proces, sipas saj, duhet nisur nga studentët. “Jo më kot ligji i arsimit të lartë parashikon që studentët të kenë përfaqë- suesit e tyre në të gjitha autoritetet drejtuese. Kjo do të thotë që ju keni mundësi të shpreheni për synimet, por edhe pakënaqësitë tuaja”.

Edhe Geraldo Meta, kryetar i aktiviteteve te “Luarasi”, vuri theksin në angazhimin e studentëve me energjinë dhe krijimtarinë e tyre për një të ardhme më të mirë. Në mbledhjen e asamblesë u diskutua plani vjetor i Këshillit studentor, aktivitetet e ardhshme. Asambleja e studentëve ishte organizimi i parë dhe do të kthehet në një traditë e përvitshme.

 

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 30.05.2017

http://www.panorama.com.al/fundvit-akademik-luarasi-mbledh-asamblene-studentore/