Korrupsioni në prokurime, Malaj: Duhen politika efektive

Korrupsioni në prokurime, Malaj: Duhen politika efektive

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 23.05.2017

http://www.panorama.com.al/korrupsioni-ne-prokurime-malaj-duhen-politika-efektive/

Prokurimet publike kryesojnë listën e fushave më të prekura nga korrupsioni, i cili paraqitet si një nga kërcënimet më të mëdha për një qeveri. Këtë e thotë një nga ekspertët kryesorë të ekonomisë, njëherësh rektor i Universitetit “Luarasi”, Prof. Dr. Arben Malaj.

I ftuar në një konferencë për prokurimet globale në Shqipëri, Malaj rekomandon politika të kujdesshme me qëllim që paratë e taksapaguesve të kthehen në investime reale për ta. “Prokurimet publike nuk i konsideroj një shumë parash. I gjithë procesi ka të bëjë me kredibilitetin e qeverisë. Gjithnjë e më tepër, cilësia e prokurimeve publike, rastet e korrupsionit janë ato që e dëmtojnë rëndë atë. Na duhet një qeverisje e thjeshtë, të ketë moral, të marrë përgjegjësi dhe të përgjigjet për vendime të rëndë- sishme, si dhe të jetë transparente.

Për Malajn, një qeveri në përpjekje për të krijuar stabilitet ekonomik nuk ka nevojë të rrisë taksat apo të ulë shpenzimet, mjafton të luftojë korrupsionin në prokurime, që shpesh janë të parat që “peshkohen” nga investitorët e huaj e vendas.

“Eficenca në luftën kundër korrupsionit në prokurimet publike, ku shifrat janë të niveleve marramendëse, (nga studime të ndryshme mësohet se ai arrin në 1 trilion dollarë), është prioritet për shkak se shumë vende, përfshirë Italinë dhe Shqipërinë, ndodhen përballë sfidave për të krijuar stabilitet financiar. Nëse ne do të ulim kostot e prokurimeve publike me nivelin e korrupsionit, nuk do të kemi nevojë të rrisim shumë taksat apo të bëjmë shkurtime të thella, të cilat në çdo rast janë shkurtime të politikave sociale, çka e rrisin perceptimin negativ të njerëzve në nevojë”, nënvizon rektori i “Luarasi”.

Nga ana tjetër, aspekti i fundit (por jo nga rëndësia) që Malaj përmendi është integriteti, si një nga cilësitë kryesore që çdo qeveri duhet ta ketë në plan të parë.

“Ai duhet të krijohet që nga familja si njësi e parë dhe nga çdo hallkë tjetër shoqërore. Një prej njerëzve më të mençur në botë na paralajmëron se ata me të cilët punojmë apo u japim mandate duhet të kenë 3 aftësi kryesore: integritetin, inteligjencën dhe energjinë. Nëse nuk kanë të parën, pasojat dihen. Ata do të përdorin dy aftësitë e tjera jo për suksesin, por për dështimin tuaj”.

Prezantimi i Malajt i fokusuar te mirëqeverisja dhe prokurimet publike u mbajt në konferencën e organizuar nga organizata globale KPMG.