Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Luarasi” shpall thirrjen zyrtare për aplikimet e kandidatëve për regjistrim në programin e studimeve të ciklit të tretë “Doktoraturë” në “Potenciale të Zhvillimit Ekonomik Kombëtar”.
1. Afatet e aplikimit
Aplikimet hapen më 02 shkurt 2026 dhe mbyllen më 28 shkurt 2026. Dosjet e paraqitura pas këtij afati nuk do të merren në shqyrtim.
2. Kriteret e pranimit
Për t’u pranuar në programin e doktoraturës, kandidati duhet të plotësojë këto kushte të përgjithshme:
a. Të ketë përfunduar studimet e larta në një nga fushat: Ekonomi, Matematikë e Aplikuar, Statistikë, Shkenca Sociale, Shkenca Juridike, ose fusha të tjera të afërta, në nivel cikli të dytë.
b. Të zotërojë një diplomë të ciklit të dytë, diplomë të integruar të ciklit të dytë, diplomë 4- vjeçare ose diplomë të barasvlershme, të njohur nga organet kompetente.
c. Mesatarja aritmetike e thjeshtë e diplomës së ciklit të dytë duhet të jetë jo më pak se 8.0.
d. Të paraqesë dëshmi të njohjes së një gjuhe të huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht ose spanjisht), sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
e. Të mos ketë masa disiplinore dhe të mos rezultojë me shkelje të etikës akademike, pronësisë intelektuale dhe rregullave të antiplagjiaturës.
f. Të paraqesë vetëdeklarim për respektimin e standardeve etike dhe shkencore të programit.
3. Dokumentet që duhet të përmbajë dosja e aplikimit
Çdo kandidat duhet të dorëzojë një dosje të plotë, e cila përfshin:
a. Kërkesë me shkrim për regjistrim, e shoqëruar me motivimin e kandidatit.
b. Kopje të noterizuara të diplomës Bachelor, diplomës Master dhe çdo diplome tjetër relevante.
c. Curriculum Vitae, i nënshkruar.
d. Fotokopje të dokumentit të identitetit.
e. Dy rekomandime: një nga punëdhënësi ose institucioni ku kandidati ushtron aktivitetin profesional; një nga një pedagog/profesor.
f. Dëshmi e njohjes së gjuhës së huaj.
g. Vërtetim nga punëdhënësi për lejen për ndjekjen e studimeve doktorale (kur aplikohet).
h. Kopje të certifikatave të trajnimeve, konferencave, kualifikimeve profesionale dhe/ose publikimeve shkencore.
i. Deklaratë vetjake për përballimin financiar të tarifave dhe shpenzimeve të programit.
j. Vërtetim për statusin e personelit akademik/kërkimor, nëse kandidati e gëzon këtë status.
k. Mandat-pagesën e tarifës së aplikimit.
1. Vetëdeklarimin për respektimin e standardeve etike dhe shkencore të Universitetit “Luarasi”.
4. Dorëzimi i aplikimeve
Dosjet e aplikimit dorëzohen pranë Zyrës së Doktoraturës të Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Luarasi”, në format fizik sipas udhëzimeve të zyrës përgjegjëse.
5. Informacione të mëtejshme
Për çdo pyetje ose informacion shtesë, kandidatët mund të kontaktojnë me Zyrën e Doktoraturës të Fakultetit Ekonomik ose në adresën e e-mailit zyra.doktoratures@luarasi-univ.edu.al.
