Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin Luarasi organizoi Simpoziumin Shkencor “Drejtësia midis Traditës dhe Modernitetit: Nga Kanuni te Inteligjenca Artificiale”

Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin Luarasi organizoi Simpoziumin Shkencor “Drejtësia midis Traditës dhe Modernitetit: Nga Kanuni te Inteligjenca Artificiale”

Në datën 12 maj 2026, Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin Luarasi organizoi Simpoziumin Shkencor me temë: “Drejtësia midis Traditës dhe Modernitetit: Nga Kanuni te Inteligjenca Artificiale”, një aktivitet akademik i zhvilluar në kuadër të Ditës së Drejtësisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të sistemit të drejtësisë, organizatave ndërkombëtare, akademisë dhe profesionistëve të fushës juridike.

Simpoziumi synoi të krijojë një forum serioz diskutimi mbi sfidat bashkëkohore të drejtësisë dhe ndikimin gjithnjë në rritje të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në sistemet juridike moderne, duke vendosur njëkohësisht në dialog traditën juridike shqiptare me zhvillimet më të fundit në fushën e së drejtës dhe teknologjisë.

Aktiviteti u përshëndet nga Zëvendësministrja e Drejtësisë, Rektori i Akademisë së Sigurisë, dhe Dekania e Fakultetit tё Drejtёsisё, Universiteti i Tiranёs. Në aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të rëndësishme, ndër të cilat përfaqësues nga OSBE, Këshilli i Europës, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe partnerë akademikë nga Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

Në kuadër të dy sesioneve tematike të simpoziumit u prezantuan referime nga akademikë, studiues dhe ekspertë të fushës juridike mbi tema që trajtonin raportin midis traditës juridike shqiptare dhe modernitetit, standardet europiane dhe sfidat e inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë, ndikimin e teknologjisë në proceset gjyqësore, hetimin proaktiv në epokën digjitale, mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtat e njeriut, si dhe dimensione të tjera kushtetuese dhe penale të zhvillimeve teknologjike bashkëkohore.

Një moment me interes të veçantë ishte edhe referimi online i Prof. Dimitris Ziouvas, Drejtor i European University Centre for Criminal Justice, i cili trajtoi çështje që lidhen me mbikëqyrjen masive, mekanizmat kundër pastrimit të parave, ruajtjen e të dhënave dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në sistemet moderne të drejtësisë penale.

Diskutimet e zhvilluara gjatë aktivitetit evidentuan rëndësinë që ka hapja e një dialogu të strukturuar ndërmjet institucioneve, akademisë dhe profesionistëve të fushës për sfidat që inteligjenca artificiale dhe zhvillimet teknologjike sjellin për drejtësinë, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe vetë sistemin arsimor juridik.

Ky simpozium përbën një kontribut të rëndësishëm në nxitjen e debatit akademik dhe institucional mbi nevojën për përshtatjen e sistemit juridik dhe edukimit ligjor me realitetet e reja teknologjike, duke synuar të shërbejë gjithashtu si një platformë reflektimi për politika dhe qasje të ardhshme në këtë drejtim.

Punimet e paraqitura në kuadër të simpoziumit, së bashku me gjetjet dhe rekomandimet e dala nga diskutimet akademike dhe institucionale, do të përmblidhen në një botim të dedikuar, i cili do të publikohet në format elektronik dhe të shtypur, si dhe do t’u përcillet institucioneve kryesore në vend.

Përmes organizimit të aktiviteteve të tilla akademike dhe kërkimore, Universiteti Luarasi vijon të konsolidojë rolin e tij si një hapësirë e rëndësishme e debatit juridik, mendimit kritik dhe promovimit të dialogut ndërinstitucional mbi sfidat bashkëkohore të drejtësisë dhe zhvillimeve shoqërore.

Kliko ketu per te pare me shume rreth programit te dites.