Misioni dhe Vizioni
Parimet dhe synimet që udhëheqin zhvillimin akademik, profesional dhe shoqëror të Universitetit “Luarasi”.
Vizioni i Universitetit “Luarasi”
Vizioni i Universitetit “Luarasi” është krijimi i një institucioni lider në zhvillimin e qëndrueshëm të dijes në Shqipëri e rajon.
Nëpërmjet realizimit të këtij vizioni synohet shndërrimi i universitetit në një qendër të nxitjes e krijimit të vlerave më të mira për formimin e elitave profesionale të së ardhmes.
Misioni i Universitetit “Luarasi”
Misioni i Universitetit “Luarasi” është të krijojë dhe të zhvillojë dije të qëndrueshme përmes mësimdhënies e mësimnxënies cilësore dhe bashkëpunimit me sektorin publik e privat, duke e integruar teorinë me praktikën.
Përmes inkurajimit të mendimit kritik dhe kërkimit shkencor, universiteti synon të nxisë formimin e profesionistëve elitarë që kërkojnë të vërtetën, nxisin inovacionin e zbatojnë parimet e etikës profesionale.
Në këtë mënyrë të diplomuarit e Universitetit “Luarasi” mund të jenë konkurrues të denjë në tregun e punës në nivel kombëtar dhe global.
Universiteti “Luarasi” ka marrë përsipër t’u ofrojë studentëve dhe shoqërisë një qendër edukimi, që integron plotësisht tri drejtimet bazë të procesit akademik: mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe përgjegjësinë sociale.
Këto misione të arsimit të lartë janë në përputhje të plotë me prioritetet e zhvillimit të vendit dhe sfidat globale të shekullit që po jetojmë.
Fuqizimi i vazhdueshëm i këtyre tre shtyllave bazë të strukturës së universitetit tonë ka për qëllim kontributin e tij në forcimin e kapitalit human të vendit, që zhvillon e përmirëson cilësinë e jetës politike, sociale dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare.