Mesazhi I Rektorit

Kreu Universiteti Mesazhi i Rektorit

Mesazhi i Rektorit

Universiteti “Luarasi” është institucion jopublik i arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, i licensuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 611, datë 11.09.2003: “Për dhënien e lejes për hapjen e Shkollës së Lartë Universitare (SHLU), jopublike “LUARASI”. Mbi bazën e këtij akti, institucioni ka nisur veprimtarinë e mësimdhënies, në vitin akademik 2003–2004.

Sot Universiteti “Luarasi” ka katër fakultete: Fakultetin e Drejtësisë, Ekonomikut, Teknologjisë së Informacionit e Inovacionit dhe Shkencave Mjekësore. Pranë këtij universiteti funksionon edhe Akademia e Sigurisë Kibernetike.

Universiteti “Luarasi” është akredituar maksimalisht për gjashtë vite, duke u renditur një ndër katër universitetet më të mira të vendit. Ky certifikim është dëshmia më e mirë për cilësinë dhe besueshmërinë e lartë të diplomave të lëshuara në fund të periudhës së studimeve për studentët e këtij universiteti.

Në vitin akademik 2025–2026, Universiteti Luarasi ofroi për herë të parë në anglisht tre programe të reja studimi në fushën e ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit, në bashkëpunim me një nga universitetet më të mira britanike, Universitetin e Londrës (UoL – University of London), nën drejtimin akademik të Shkollës Ekonomike të Londrës (LSE – London School of Economics).

Ndërkohë studentët e diplomuar të Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit “Luarasi” janë thuajse të vetmit ndër të gjithë institucionet jopublike të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret për t’u pranuar në Shkollën e Lartë të Magjistraturës.

Nga ana tjetër, pothuajse 80% e të diplomuarve në Fakultetet e Drejtësisë, Ekonomikut, Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit arrijnë të fillojnë punë, jo më shumë se pas gjashtë muajsh nga mbarimi i studimeve.

Cilësia e lartë e mësimdhënies, vlera e diplomave në tregun e punës, jeta aktive studentore dhe lidhja e formimit teorik me veprimtarinë praktike janë në qendër të misionit të Universitetit “Luarasi”.

Universiteti “Luarasi” ndodhet në një nga zonat më të preferuara universitare të kryeqytetit. Ai ka një infrastrukturë të shkëlqyer dhe ofron kushte nga më të mirat për mbarëvajtjen e mësimit dhe jetës studentore. Pranë këtij universiteti është angazhuar në mësimdhënie një staf akademik i përkushtuar dhe me profesionalizëm të lartë.

Një sërë marrëveshjesh të nënshkruara mes Universitetit “Luarasi”, institucioneve publike dhe universiteteve të huaja i kanë shndërruar auditorët tanë në hapësira debati konstruktiv, ku studentët shfaqin formimin e tyre teorik e praktik.

Klinika Ligjore e Universitetit “Luarasi”, si dhe Laboratori i Kriminalistikës, janë histori suksesi ku studentët dhe juristët ofrojnë këshilla falas dhe aktivizohen për zgjidhjen e shumë çështjeve ligjore në favor të qytetarëve në nevojë.

Interesat e studentëve për një arsimim sa më të mirë mbeten prioritare për Universitetin “Luarasi”. Ata marrin pjesë aktivisht në vendimmarrjet e këtij institucioni nëpërmjet Këshillit Studentor dhe përfitojnë nga shkëmbimi i përvojave me universitete të huaja në kuadër të programit Erasmus+.

Cilësia e lartë e mësimdhënies, vlera e diplomave në tregun e punës, jeta aktive studentore, lidhja e formimit teorik me veprimtarinë e gjallë praktike dhe kushtet e shkëlqyera të infrastrukturës janë një ofertë e hapur për maturantët që dëshirojnë të diplomohen me meritë në fushën e Drejtësisë, Ekonomisë, Teknologjisë së Informacionit e Inovacionit dhe Shkencave Mjekësore.

Universiteti “Luarasi” është pjesë e Grupit Hysenbelliu. Ky grup përfshin një sërë kompanish që veprojnë në fusha të ndryshme, ku do të veçoja kompanitë mediatike si Gazeta Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Prof. Dr. Maksim Haxhia
Rektor i Universitetit “Luarasi”