“Monitorimi Qytetar i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Udhërrëfyesit mbi Pesë Prioritetet”

“Monitorimi Qytetar i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Udhërrëfyesit mbi Pesë Prioritetet”

 

Integrimi në Bashkimin Europian mbetet një nga sfidat më të mëdha që ka vendi ynë. Për t’i shkuar deri në fund këtij rrugëtimi, janë hartuar politika dhe janë ndërmarrë reforma, që në jo pak raste kanë mbetur vetëm në letër duke mos e parë dritën e zbatimit. Po çfarë është përmbushur dhe çfarë jo në kuadër të integrimit në familjen e madhe europiane? Universiteti “Luarasi”, në bashkëpunim me Fondacionin SOROS dhe një grup ekspertësh të pavarur, kanë zhvilluar dje një forum të hapur, ku u diskutuan hapat e shënuar nga vendi ynë gjatë periudhës nga viti 2012 deri në 2014. Në fokus të diskutimit ishte prezantimi i raportit të monitorimit të kryer mbi zbatueshmërinë e planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbi udhërrëfyesin për pesë prioritetet, si edhe mbikëqyrjen e përmbushjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Veç rritjes së transparencës në politikbërje, qëllimi i këtij forumi ishte përmirësimi i procesit të informimit të qytetarëve.

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT

Masat e parashikuara në këtë plan veprimi ishin të fokusuara vetëm në dy nga fushat e pesë prioriteteve kyçe: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga monitorimi rezultoi që më pak se gjysma e objektivave të këtij plani ishte përmbushur. Plani i veprimit përmbante në vetvete 14 çështje, nga të cilat janë zbatuar 6, janë zbatuar pjesërisht 5 dhe nuk janë zbatuar 3. Duke e përkthyer në përqindje, shkalla e zbatueshmërisë së planit është 43%.

PESË PRIORITETET

Udhërrëfyesi për 5 prioritetet është më integral dhe përfshin të gjitha prioritetet e caktuara nga Komisioni Europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Udhërrëfyesi është mjaft i gjerë dhe parashikon një larmishmëri masash, ku masat ligjore parashikohen të jenë të përfunduara brenda 2014-s, ndërkohë që gjatë vitit 2015 parashikohen masa të karakterit kryesisht zbatues, dhe të natyrës së raportimeve periodike. Për periudhën e monitorimit janar-korrik 2014, niveli i zbatueshmërisë së masave të parashikuara është 47%, janë zbatuar pjesërisht 31%, dhe nuk janë zbatuar 22% nga masat e parashikuara për këtë periudhë raportimi.

MARRËVESHJA

Niveli i zbatimit të masave të parashikuara në Marrëveshjen StabilizimAsociimit për periudhën e monitorimit është 50%. 20% e masave janë pjesërisht të zbatuara, pasi puna për to ka filluar, por nuk është përfunduar ende, ndërsa 30% të rasteve zbatimi nuk ka filluar. Analizimi i nivelit të zbatimit midis masave legjislative dhe zbatuese rezulton gati i barabartë, ku janë realizuar 51% të masave zbatuese dhe 50% të masave legjislative. Megjithëse kemi një pjesë të konsiderueshme të masave që janë zbatuar  pjesërisht apo janë në proces, vlen të theksohet fakti se si për masat zbatuese dhe ato legjislative ka një nivel të lartë masash të pazbatuara, respektivisht 28% dhe 33%.