Leksion i Hapur me temë: ” Barazia gjinore dhe politikat ekonomike” aktivitet i organizuar në mbështetje të UNwomen, në kuadër të fushatës për sensibilizimin të Buxhetimit për barazi gjinore. Prezent ishte edhe z. David Saunders, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri.
Arritja e zhvillimit ekonomik nëpërmjet buxhetimit të përgjigjshëm gjinor fillon me edukimin!
Diferenca në paga mes grave dhe burrave mund të cilësohet si një nga faktorët që sjell ndikim në rritjen e pabarazisë mes tyre. Për të njëjtën punë, realiteti dëshmon se burrat janë më të paguar përkundrejt grave.
Promovimi i të drejtave dhe sheshimi i ndasive mes gjinive nëpërmjet buxheteve dhe jo fjalëve ishin tema e trajtuar dje në Universitetin “Luarasi”. Studentët patën mundësi të zhvillonin një orë leksioni të hapur me përfaqësuesin e organizatës Un Women në vendin tonë, David Saunders. Sipas Saunders, sheshimi i pabarazive është një sfidë më vete për shumë vende të botës jo vetëm për shoqërinë shqiptare. Por, sipas tij, çelësi për një qeverisje të mirë qëndron në ofrimin e barabartë të mundësisë, pa ngritur barriera për shtresa të caktuara të shoqërisë. “Është kënaqësi të jem në Universitetin ‘Luarasi’. Kjo është gjenerata e ardhshme e vendimmarrësve dhe e drejtuesve dhe ndërsa bëjmë përpara, kjo kërkon një qeveri të përmirësuar dhe ndërgjegjësim më të mirë në shoqëri. Problemet gjinore janë në shumicën e vendeve, shumë pak kanë arritur barazinë në shoqëri kudo në botë. Po ashtu, jo të gjitha shtresat e shoqërisë janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë, përmendim këtu romët dhe shtresat në nevojë. Është e rëndësishme të fokusohemi në objektivat që duam të përmbushim dhe sesi të mobilizohemi si shoqëri dhe si qeverisje për të ulur këtë pabarazi”, tha Saunders.
ARSIMI DHE PUNA
Të dhënat tregojnë se arsimi bazë dhe ai mesëm frekuentohen më së shumti nga vajzat. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për arsimin e lartë, ku shifrat përmbysen duke treguar një numër më të lartë të djemve që diplomohen. Çështja e ngritur për diskutim nga studentët kishte të bënte me faktin që në pjesën dërrmuese postet drejtuese mbahen nga djemtë. Këtu është një aspekt i pabarazisë që reflektohet në pagën që përfitojnë secili prej tyre.
Përfaqësuesi i UN Women tha se gratë në Shqipëri janë të tërhequra drejt punës së shtëpisë, që është një punë e papaguar. Kjo bën që ato të jenë të varura ekonomikisht ndaj partnerëve të tyre. Për dekanin e Universitetit “Luarasi”, Altin Hoti, qasja ndaj barazisë në punë dhe pagë është e rëndësishme, po ashtu edhe fryma për kultivimin e saj. “Barazia gjinore mund të preket në atë që quhet aspekti makroekonomik i saj që është punësimi dhe të ardhurat. Nuk mund të flasim për barazi gjinore nëse gratë nuk kanë akses të drejtpërdrejtë në punë dhe të ardhurat janë më pak nga ato të burrave. Kjo është një çështje që përmirëson të gjitha parametrat makroekonomikë dhe i shërben funksionimit normal të shoqërisë. Është e nevojshme që brezat e rinj të edukohen me këtë qasje kur bëhet fjalë me buxhetimin dhe mendimin sesi duhet të organizohen politikat ekonomike për një shoqëri më të barabartë”, tha Hoti.