E ftuar Dr. Claire Gordon, nga London School of Economics- LSE.
Pedagogia britanike Dr.Claire Gordon ka zhvilluar pasditen e djeshme një leksion të hapur me studentët e Universitetit “Luarasi”, për zgjerimin e Bashkimit Europian.
Leksioni me Gordon është zhvilluar falë bashkëpunimit që Universiteti “Luarasi” ka me “London Schoole of Economics”. Gjatë bashkëbisedimit me studentët, pedagogia e “London school of economics”, Claire Gordon, ka shpjeguar ecurinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke u ndalur edhe në sfidat e këtij procesi. Gordon tha se ka një radhë të gjatë vendesh që duan të hyjnë në BE, por, sipas saj, kapaciteti administrativ përbën problem për BE. “Ekziston një gamë e gjerë e shteteve që presin të hyjnë në Bashkimin Europian. Shumë prej tyre i përkasin Ballkanit Perëndimor. Është ende në pikëpyetje vendimi për Turqinë.
Çelësi për të identifikuar kushtet e anëtarësimit në Komunitetin Europian do të ishte më efektiv po të drejtonim pyetjen ku janë kufijtë e BE dhe Europës? A ka Komuniteti Europian fuqinë për të kryer ndryshime me rëndësi, ku ju jemi tani dhe ku do të shkojë procesi i zgjerimit?”, tha Gordon. Pedagogia britanike u shpreh se kushtet e anëtarësimit në BE janë të qarta, por në këtë proces nuk kanë munguar as ndërhyrjet e politikës. “Kushtet për të hyrë në Komunitetin Europian kanë qenë mënyra e vetme për të pasur konceptin e lidhjeve mes vendeve kandidate dhe Komunitetit Europian. Janë disa kushte të qarta që duhen përmbushur në këmbim të shpërblimeve të qarta nga anëtarësimi.
Në vitin 1978 u vendos kushti për identitetin europian. Çdo shtet duhet të aplikojë për t’u bërë anëtar i Komunitetit Europian. Fillimisht nuk kishte asnjë kriter në zgjerimin për Britaninë, Irlandën, por më në Jug të Europës filluan të shohin prezantimin e kushteve. Kriteret politike u diskutuan hapur, kurse kriteret ekonomike dhe administrative me kalimin e kohës dhe këto u bën kriteret më të rëndësishme”, tha më tej Gordon. Ndër të tjera, Gordon sqaroi se nuk përjashtohen edhe rastet kur një vend i përmbush kushtet e kërkuara, por vendimi që jepet nuk është pozitiv. “Këshilli i Kopenhagës në vitin 1993 prezantoi kriteret e para të anëtarësimit në BE, që ishin politike dhe ekonomike. Këto kritere dhe aftësia për të marrë detyrimet e pjesëmarrjes, dhe kriteri i katërt, që edhe kur një vend i përmbush kushtet mundet që vetë Këshilli të mos jetë gati për të pranuar anëtar të ri”, pohoi pedagogia britanike. Leksionet e hapura për studentët me personalitete të njohura të fushave të ndryshme janë bërë tashmë një traditë për Universitetin “Luarasi”.
Ndërhyrja e politikës
“Politika ka ndërhyrë shumë në zgjerimin e Europës në vendet e Jugut. Ka pasur një ndryshim në mekanizmat e zgjerimit të Komunitetit Europian. Edhe pse vendimet e Komunitetit Europian janë kanalizuar kohët e fundit, gjithashtu janë prezantuar edhe një numër i madh hapash të tjerë të kushteve për t’u përmbushur, por ka ndërhyrë edhe politika, siç ishte rasti i Greqisë në vitin 1981, e cila edhe pse nuk i kishte përmbushur të gjitha kushtet, Komuniteti Europian vendosi hyrjen e saj në BE. Greqia u pranua në vitin 1981, Portugalia më 1986-n. Procesi i rregullimit të kushteve për këto vende u krye pas anëtarësimit në BE me këshillimin edhe të Komunitetit Europian”.