“Israeli Ecosystem of Startup, Startup nation”
Prof. Noga Kapp: Do t’u mësojmë të rinjve shqiptarë se si të hapin një biznes
Leksionet e hapura me studentët vijojnë të jenë kryefjalë e edukimit në universitetin “Luarasi”. Këtë radhë, një profesoreshë izraelite Noga Kapp, e njohur për përvojën e saj në tregun financiar ndërkombëtar ndau eksperiencën 20-vjeçare me studentët e fakultetit ekonomik pranë këtij universiteti. Si lektore në universitetin shtetëror si dhe kolegjin akademik në Tel Aviv, Kapp u mësoi të rinjve se si të hapin një biznes në Shqipëri.
Ndërkohë ajo foli edhe për planet e ardhshme në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, e më konkretisht për praktikat studentore. “Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara për t’u zhvilluar nga pikëpamja ekonomike, ashtu si dhe Izraeli. Mendojmë të bashkëpunojmë në kuadrin e bizneseve startup mes Izraelit dhe Shqipërisë, por ndërkohë edhe përmes praktikave mes studentëve shqiptarë me ata izraelitë që do të vijnë në Shqipëri. Mendojmë që ne të japim përvojën tonë dhe studentët të marrin eksperiencë e të vijojnë të bashkëpunojnë në kuadrin e biznesit.”
Planet e profesoreshës që ka ardhur në Shqipëri për të zhvilluar një program startupi në fushën e biznesit, shkojnë më tej, me hapjen e të ashtuquajturave “shtëpi zhvillimi” që do të shërbejnë për shkëmbim eksperience mes dy vendeve. Kjo, edhe për shkak edhe të ngjashmërive që kanë Shqipëria dhe Izraeli. “Ashtu si Shqipëria, Izraeli është një vend i vogël, në gjendje thuajse mbijetese, mirëpo ia kanë dalë mbanë që atë vend ta kthejë në një hapësirë ku njerëzit janë shpikës, me qëllim për të krijuar të ardhme për veten e tyre.” Për profesoreshën e Tel Avivit, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për zhvillimin e një klime të mirë biznesi, madje më shumë se Izraeli. “Mendoj se ndodheni në të njëjtën situatë për të iniciuar biznese të reja. Të dyja vendet kanë ngjashmëri, madje vendi juaj ka disa avantazhe qoftë gjeografike apo nga pikëpamja e konkurrencës ekonomike.”
Profesoresha Kapp është në Shqipëri për të zhvilluar një program startup-i që shërben për të nxitur idetë novatore në sipërmarrjet e reja në fushën e biznesit.
Ky ishte leksioni i radhës nga “Luaras”, zhvilluar në formën e një diskutimi të hapur me studentët. Këta të fundit treguan interes veçanërisht në programin startup dhe si mund ta shfrytëzojnë atë në mjedisin shqiptar, pasi të kenë dalë nga bankat e fakultetit. Seminaret, Work-shopet apo leksionet e hapura janë kthyer tashmë në traditë për këtë universitet, aty ku dijet teorike gërshetohen natyrshëm me ato praktike me qëllim që të rinjtë e sotëm të jenë të formuar në të gjitha aspektet. Shpesh ftohen personalitete shqiptarë dhe të huaj që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe jurisprudencës duke dhënë përvojën e tyre studentëve të “Luarasit”.
Bashkëpunimi
Profesoresha izraelite foli për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje mes universitetit “Luarasi” dhe Kolegjit Akademik të Tel Avivit ku punon si lektore. “Jam e bindur se studentët, veçanërisht të kolegjit akademik janë shumë të entuziazmuar për të patur eksperienca biletareale, shkëmbimi. Me anë të përkushtimit, investimit dhe këmbënguljes patjetër që do të arrijmë të kemi një marrëveshje apo bashkëpunim në të ardhmen.”
ARTIKULL NË Balkanweb