STUDENTËT E LUARASIT JAPIN MENDIMIN E TYRE MBI NDRYSHIMET KUSHTETUESE

STUDENTËT E LUARASIT JAPIN MENDIMIN E TYRE MBI NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Ekspertët te “Luarasi” për reformën, ja çfarë ndryshon

z. Sadushi: Të shmanget politika në emërimin e gjyqtarëve

Edhe studentët e Universitetit “Luarasi” e thonë fjalën e tyre lidhur me Reformën në drejtësi. Në kuadër të konsultimeve për ndryshimet kushtetuese, grupi i ekspertëve të huaj dhe vendas u ndal dje në universitetin lider në fushën e Drejtësisë, “Luarasi”. Pedagogë e studentë të këtij universiteti zhvilluan një bashkëbisedim duke shprehur rezervat e mendimin e tyre mbi paketën e ndryshimeve, çka do të reflektohen më vonë në dokumentin final. Draft-Kushtetuta u prezantua nga përfaqësuesi i Misionit EURALIUS, Richard Regner, i cili e vlerësoi atë si një version të konsoliduar bazuar mbi barimet e gjithëpërfshirjes, transparencës e profesionalizmit. Pjesë e panelit ishte edhe Prof.as dr. Sokol Sadushi, bashkëkryetar i grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, sipas të cilit këshillat e Komisionit të Venecias kanë orientuar hartimin e draft-Kushtetutës. Ajo çka u theksua në çdo arsyetim të neneve të ndryshuara ishte synimi për të shmangur politizimin në emërimin e gjyqtarëve, për të rritur transparencën në zgjedhjen e tyre si dhe krijimin e një sistemi llogaridhënës. Në fund të prezantimeve, fjalën e kishin studentët të cilët u përqendruan në tematikat e prezantuara gjatë konsultimit duke pyetur por edhe bërë propozimet e tyre se si duhet reformuar sistemi i drejtësisë.

Propozimet

E gjithë puna e Komisionit të posaçëm u pasqyrua nga Prof.As. Dr Sokol Sadushi, i cili parashtroi ndryshimet kushtetuese që prekin dhe riformatojnë disa institucione me qëllim reformimin e drejtësisë. E për këtë, duhej nisur nga Kushtetuta. “Kemi nevojë për një gjyqësor të pavarur, efiçent dhe llogaridhënës. Niveli i lartë i korrupsionit, niveli i ulët profesional i gjyqtarëve apo prokurorëve duhet të marrin zgjidhje. Vihet re që ka një mungesë cilësie dhe koherence në rregullimin kushtetues për sektorë të veçantë, ka ndikim të theksuar të politikës në drejtësi dhe që të gjitha këto kërkojnë ndërhyrje”, vuri në dukje Sadushi. Duke patur parasysh shqetësimet që kanë penguar në realizimin e drejtësisë, eksperti bëri të ditur ndërmarrjen e disa hapave që kanë si synim ndërtimin e një sistemi llogaridhënës dhe thyerjen e ndikimit politik në sistemin e drejtësisë. Prof. As Dr Sadushi nisi prezantimin me ndryshimet që do të pësojë institucioni i presidencës, kompetencat e të cilës në drejtësi do të ulen. “Ne kemi një president me kompetenca shumë të forta, e cila është menduar të jetë një nga arsyet përse ndodhet në këtë pikë drejtësia shqiptare. Në stadin që ndodhemi ne mendojmë që nëse ridimensionojmë kompetencat e presidentit duke zvogëluar rolin e tij në drejtësi, formula aktuale mbetet e arsyeshme. Nëse nuk ndryshon raporti i presidentit në raport me institucionet ku ka ndikim, atëherë mund të ketë problematika.” Një tjetër ndryshim i prezantuar është emërimi i gjyqtarëve të gjykatës kushtetuese që do të bëhet nga 3 organe të pavarura, ndërsa kryetari do të zgjidhet nga anëtarët duke shmangur ndikimin politik e rritur transparencën. Ndërsa sa i takon prokurorisë, kërkohet të shkohet drejt një institucioni të pavarur por me elemente decentralizues. KLD është i vetmi institucion që do të riorganizohet tërësisht, do të ndryshojë formati, numri, kompetencat madje edhe emërtimi.

Konsultimet

Në kuadër të Reformës në Drejtësi, grupi i ekspertëve hartues të ndryshimeve kushtetuese kanë nisur prezantimin e konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me përfaqësues të shoqërisë civile e grupet e interesit, në qendra universitare me pedagogë e studentë të fakulteteve të Drejtësisë. Duke vlerësuar eksperiencën shumëvjeçare të universitetit “Luarasi”, ata nisën turin e konsultimeve me studentët e këtij universiteti duke marrë mendime e sugjerime që do të pasqyrohen në dokumentin final.

Korrupsioni

Fenomeni nga e cila vuan prej vitesh shoqëria shqiptare ka një trajtim të veçantë në Kushtetutë. Krahas Byrosë së Hetimit, ngrihet një strukturë e posaçme me synim uljen e dozave të korrupsionit. Sipas hartuesve të reformës, tendenca është drejt heqjes së imunitetit të gjyqtarëve e prokurove duke rritur kështu përgjegjshmërinë e tyre.