“Luarasi” në Kosovë, për ditët e falënderimit për SHBA

“Luarasi” në Kosovë, për ditët e falënderimit për SHBA

Gjithçka nisi me një ide, që studentë nga Kosova e Shqipëria të jenë një, qoftë dhe për pak ditë. E kush mund ta konkretizojë këtë projekt më mirë se të rinjtë?! Studentët e universitetit “Luarasi” për dy ditë me radhë ishin të ftuar nderi nga kolegji “Iliria” në Kosovë, në përkujtim të ditëve të falënderimit ndaj SHBA-ve për kontributin e dhënë në formimin e Kosovës shtet.

Ekipi përfaqësues i “Luarasit” zgjodhën të ishin miqtë e Kosovës, duke përshkuar qindra kilometra, për të arritur atje pikërisht në ato ditë feste, të cilat kulmuan dje në mbrëmje me një koncert të madh në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë. Por përse “Luarasi”? Marrëdhënia e atyre që organizuan këtë festë të madhe, e kthyer tashmë në traditë, daton prej vitesh. Baza e profileve që përcjellin studentë, drejtësia dhe ekonomia, profili elitar, mësimdhënia me në qendër studentin, si dhe shkëmbimi i pedagogëve janë vetëm disa nga pikat që i bashkojnë këto dy universitete, në përpjekje për të krijuar ura bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Jo rastësisht zgjodhëm këtë javë, që është ajo e Pavarësisë së Shqipërisë, por njëkohësisht për ju një event shumë i rëndësishëm, si ditët e falënderimit për atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për vendin tuaj, që është edhe yni, Kosova”, nënvizoi rektorja e universitetit “Luarasi”, Prof. Nevila Xhindi, në fjalën e mbajtur përpara studentëve.

Por, këtë marrëdhënie të nisur prej dy institucioneve e kanë në dorë vetë studentët ta çojnë më tej, duke e formalizuar me projekte në të mirën e përbashkët.

“Pjesë e stafit të ‘Luarasit’ kanë shkëmbyer eksperiencat e tyre profesionale, kanë dhënë mësim këtu, kanë shkruar në revistën e kolegjit ‘Iliria’, kanë bërë punime shkencore të përbashkëta dhe ne nuk mund ta linim jashtë vëmendjes sonë këtë marrëdhënie të mirë bashkëpunimi, veçse duke e përkthyer në atë që janë e përditshmja jonë, studentët. Kjo është arsyeja që ne kemi ardhur këtu, jo për të thënë që ne jemi profesorët, por jeni ju studentët ata që do ta lëvizni marrëdhënien e ngushtë profesionale mes dy universiteteve. Këto të fundit kanë fatin e mirë që operojnë në një hapësirë të përbashkët gjuhe, ku shkruhet e flitet shqip”, tha Xhindi.

E në fakt, studentët e “Luarasit” e kishin një ide që kur u nisën për në Kosovë. Qëllimi ishte ky: që vajtje-ardhjet të bëheshin më të shpeshta, më shumë projekte konkrete të përbashkëta. Ndaj, gjatë bashkëbisedimit mes tyre, kreu i Këshillit Studentor të “Luarasit”, Agli Plaku, ftoi miqtë e rinj në një projekt të përbashkët, një konferencë me studentë nga të gjitha trevat shqiptare. Duke e konsideruar kolegjin “Iliria” një institucion mik, Plaku u kërkoi atyre “të kthejnë vizitën”, gjatë vitit të ardhshëm. “Shpresojmë që vitin tjetër t’ju kemi në Tiranë, pranë ambienteve të universitetit tonë, ku edhe ju të njiheni me eksperiencën që ne kemi krijuar si Këshill Studentor. Ju ftoj bashkërisht për një konferencë studentore, që të sjellë së bashku studentë e problematika studentore me të gjitha trevat e Shqipërisë, ku studentët të marrin në dorë lidershipin”.

Në fund të vizitës dyditore, përfaqësues të kolegjit “Iliria” shpërndanë certifikata mirënjohjeje për rektoren Nevila Xhindi dhe dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, Altin Hoti. Sekretari i përgjithshëm i kolegjit, Arbër Reçi, falënderoi “Luarasin” duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre me vlerë në përkujtim të një periudhe të vështirë për Kosovën.

http://www.panorama.com.al/luarasi-ne-kosove-per-ditet-e-falenderimit-per-shba/