Dija në Universitetin “Luarasi” i kapërcen kufijtë. Veç informacioneve të shumta nëpërmjet leksioneve, seminareve, takimeve e orëve të hapura që organizohen vazhdimisht, studentët e Universitetit “Luarasi” kanë mundësi të aksesojnë edhe në burimet financiare të Bashkimit Europian, por jo vetëm.
Ata mund të hartojnë projekte, të ndjekin studimet master me punësim apo të fitojnë tenderë. Të gjitha këto ofrohen në një paketë, në portalin “Inforicchezze”, falë marrëveshjes së nënshkruar dje mes rektores Nevila Xhindi dhe prof. Salvatore D’Alesio, profesor i “Të Drejtës e Financave të Bashkimit Europian dhe Ndërkombëtarizmit të Tregut Unik”, si dhe profesor i “Financës dhe Legjislacionit të BEsë” në dy universitete italiane.
“Jam këtu dhe jam i nderuar që jam i ftuar në Universitetin ‘Luarasi’. Është Universitet që ka vlerë, një Universitet që përfaqëson të gjithë Shqipërinë. Edhe për faktin se drejtohet nga një rektore që ka një eksperiencë të gjatë mbi shpinë, me njohuri internacionale dhe kapacitet krijues, dinamike, kapacitet për të rindërtuar, për të ridrejtuar rrugëtimin e këtij Universiteti drejt qëllimit që ka, final, ndërkombëtarizmin”, vuri në dukje profesori italian. Në portalin që ai ka ideuar, jo të gjithë mund të kenë akses. Ky i fundit ua dhuron këtë mundësi falas të gjithë atyre që janë pjesë e Universitetit “Luarasi”. Falë kësaj mundësie ata mund të krijojnë mundësi pa fund për të gjeneruar ide, fonde për projekte të ndryshme apo edhe për t’u punësuar jashtë vendit.
“Është shumë e rëndësishme që studentët tanë, përveçse të suksesshëm në tregun shqiptar, duhet të jenë të suksesshëm edhe në atë që ne e quajmë tregun ndërkombëtar të punës. Masterat me punësim, tenderët për projektet e financuara nga Bashkimi Europian janë disa nga mundësitë që kanë studentët të zgjerojnë dijet e tyre”, thekson rektorja e “Luarasit” Nevila Xhindi.
PORTALI
Marrëveshja e arritur dje është produkt i një bashkëpunimi të hershëm mes “Luarasit” dhe universiteteve të Barit dhe Camerinos, të cilët kanë hartuar këtë portal me ndihmën profesorit Salvatore D’Alesio. Jo pa qëllim portali mban emrin “Inforicchezze”, duke nënkuptuar se informacionet që përmban janë një pasuri e vërtetë.
Sipas prof. D’Alesios, “Luarasi” është simbol edhe i lidhjes midis dy vendeve fqinje, nga e cila mund të përfitojnë edhe shtete të tjera.
“Kam bindjen se ky universitet do të jetë i aftë që të lidhë dy brigjet. Dhe nëse arrin të bëhet kjo mrekulli, Europa do t’i japë Universitetit një shumë të madhe parash për t’ua shpërndarë sipërmarrësve italianë, maqedonas, malazezë etj.” Ky portal është unik në botë, jashtëzakonisht i përdorur për profesorët, studentët, sipërmarrësit, tregtarët, profesionistët, entet publike, universitetet, të papunët, në brendësi të të cilit janë disa faqe që u japin përgjigje shumë pyetjeve konkrete:
Si të lidhesh me burimet financiare të BEsë dhe ato ndërkombëtare për të marrë financime; si hartohet një projekt në përmbushje të kërkesave për t’u lidhur me burimet; oferta për punë nga e gjithë bota; thirrjet për aplikim nga BE; konsulencë online për të sqaruar e këshilluar ata që duan më shumë informacion e shumë të tjera.
http://www.panorama.com.al/luarasi-akses-ne-fonde-dhe-punesim-ne-be/