Më datë 25 prill 2016 ora 10:00 – 14:00, Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës organizoi një grup prej 12 studentësh të SHLUJ “Luarasi” dhe mori pjesë bashkërisht me ata në diskutimin e hapur “HackDay#IntegrimBE”, event i organizuar nga Rrjeti i Informimit i Bashkimit Europian-EU Info Network.
Ky diskutim i hapur u zhvillua në kuadër të plotësimit të prioriteteve të lëna si detyrë nga Bashkimi Europian, për të mundësuar hapjen e negociatave për anëtarësim të vendit tonë në BE. Gjatë diskutimeve maratonë #IntegrimBE në nivel kombëtar të organizuara në Shkodër, në Vlorë dhe në Tiranë, u ftuan të rinj, aktivistë të shoqërisë civile, studentë dhe gazetarë të interesuar, të cilët u bënë pjesë në debate për gjetjen e rekomandimeve lidhur me avancimin e axhendës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Paneli qëndror i këtij eventi përbëhej nga këto personalitetet të njohura:
- Jan Rudolph – Shef i Sektorit Politik, Ekonomik dhe i Informacionit, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Z. Jan Rudolph referoi për prioritetet e integrimit të Shqipërisë në BE.
- Eralda Met’hasani – Zv./Ministre e Integrimit. Zj. Eralda Met’hasani referoi mbi integrimin në BE, sfidat dhe mundësitë për Shqipërinë.
Më pas u zhvilluan diskutime dhe propozime të rekomandimeve mbi prioritetet e integrimit në BE, nga të cilat u konkluduan dhe u prezantuan rekomandimet finale nga raportuesit e grupeve të punës.
Hackathon#IntegrimBE solli së bashku grupe të përbëra nga 15-20 të rinj studentë të universiteteve të ndryshme, të cilët diskutuan mbi procesin e integrimit, duke ofruar zgjidhje për sfidat me të cilat përballet Shqipëria në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Studentët e SHLUJ “Luarasi” ishin pjesëmarrës në të gjitha tryezat e prioriteteve. Këto grupe të rinjsh u ndanë në pesë tavolina diskutimi sipas pesë shtyllave prioritare që janë respektivisht:
- Lufta kundër korrupsionit.
- Lufta kundër krimit të organizuar.
- Reforma e gjyqësorit.
- Reforma administrative.
- Mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Këto grupe punuan nën drejtimin e një moderatori për hartimin e rekomandimeve për secilën nga shtyllat prioritare. Studentët më të spikatur do të përfaqësojnë grupet e tyre të punës në Parlamentin e Shqipërisë në datën 12 maj 2016 dhe në Komitetin Kombëtar të Integrimit në datën 13 maj 2016, duke prezantuar dhe argumentuar rekomandimet e dakorduara, ku nga SHLUJ “Luarasi” u përzgjodhën tre studentë.
Ju urojmë suksese studentëve tanë duke i mbështetur në prezantimin e tyre dinjitoz!