Praktikë në sallën e gjyqit, studentët e “Luarasi” japin drejtësi

Praktikë në sallën e gjyqit, studentët e “Luarasi” japin drejtësi

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 17.02.2017

Të veshur me togën e zezë të gjyqtarit, prokurorit apo avokatit, ata mbrojtën kauzat e të pandehurve, duke dhënë verdiktin final për fatin e disa personave. Bëhet fjalë për një seancë të mirëfilltë gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë, ku për të parën herë në historinë e saj protagonistë kishte studentë të Drejtësisë.

Janë studentët e Universitetit lider në fushën e Drejtësisë (e jo vetëm!), “Luarasit”, të cilët improvizuan një ditë më parë një seancë gjyqësore, jo si ato në filma triller, por duke marrë si kazus një konflikt pronësie të degraduar në vrasje, rast konkret në periferi të Tiranës.

Për profesorin e të drejtës penale, Sajmir Vishaj, i cili ka punuar me studentët, kjo ishte mënyra më e mirë për të provuar dijet e tyre në praktikë.

Praktikë në sallën e gjyqit, studentët e “Luarasi” japin drejtësi “Ishte një gjyq stimulues në kuadrin e provimeve të dimrit që universiteti zhvillon. Me ndihmën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, sot kemi zhvilluar një gjyq stimulues ku e pamë të arsyeshme që vlerësimin në lëndën e procedurën penale ta zhvillojmë për herë të parë në një skemë që gërsheton teorinë me praktikën. Ju e patë shumë mirë, ata u vlerësuan me nota pozitive, ku pavarësisht pozitës.

Ndonëse kjo është hera e parë që zhvillohet, premtohet që s’do të jetë e fundit. Vlerësimi i studentëve nga sallat e gjyqeve do të kthehet në traditë për “Luarasin”. “Kjo praktikë sapo ka filluar tashmë. Në të gjitha provimet që do të kemi në “Të drejtën penale”, do të kemi gërshetim të teorisë me praktikën. Ne nuk na intereson të kemi studentë që riprodhojnë në mënyrë mekanike lëndët, por ne duam që ato çfarë bëjmë në auditorë, t’i pasqyrojnë në seancat gjyqësore”, nënvizoi avokati i njohur penalist.

Secili prej studentëve të vitit të fundit kishte një rol, për të cilin janë përgatitur me javë të tëra nga tre pedagogët: Sajmir Vishaj, Julinda Gjika e Spiro Paço. Mësimi përmes rasteve konkrete, marrja e eksperiencës së zërave më të njohur në fushën e Drejtësisë nëpërmjet leksioneve e seminareve është kthyer në pjesë të punës së Kolegjit Universitar “Luarasi”.

Kjo, me qëllim mirëpërgatitjen e brezit të juristëve të së ardhmes. Me improvizimin e një dite më parë, “Luarasi” dëshmon edhe një herë se ka studentë kreativë dhe cilësorë, të gatshëm për t’u përballur jo vetëm me tregun e punës, por edhe me sfidat pas daljes nga auditorët e Universitetit.

http://www.panorama.com.al/praktike-ne-sallen-e-gjyqit-studentet-e-luarasi-japin-drejtesi/