Artikull në GAZETËN PANORAMA – 16.09.2017
I pari universitet privat në vend, Kolegji Universitar “Luarasi” diplomoi brezin e trembëdhjetë të studentëve, që nga dje mund të quhen juristë dhe ekonomistë, të gatshëm për në tregun e punës.
Në një ceremoni madhështore të kuruar në detaje, me zemrat që rrahin fort, 164 studentë kurorëzuan me sukses punën e tyre disavjeçare, që kulmoi me hedhjen e kapelave të diplomimit nga “Luarasi”, tashmë një CV që u hap dyert në të ardhmen.
Përveç pedagogëve e prindër të studentëve, të emocionuar si asnjëherë më parë, të pranishëm ishin figura të larta, drejtues të institucioneve e personalitete të shquara, që për vite kanë bashkëpunuar me “Luarasi”.
Ministrja Nikolla me Presidentin Hysenbelliu dhe të diplomuarit
Ky institucion i arsimit të lartë prej vitesh ka diplomuar mbi 1500 studentë, të cilët janë të afirmuar më së miri në tregun konkurrues të punës, si në sektorin publik, ashtu dhe atë privat.
VLERËSIMET
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, zgjodhi që ditën e parë të punës në mandatin e dytë ta nisë tek universiteti elitë në vend. Në fjalimin e saj, Nikolla shprehu vlerësimin maksimal dhe krenarinë për produktin që nxjerr në treg “Luarasi”. “‘Luarasi’ ka një specifikë të veçantë, për të cilën unë do të doja të shprehja vlerësimin maksimal si qytetare e Republikës së Shqipërisë që familja Hysenbelliu investon jo thjesht dhe vetëm duke mundësuar një institucion të arsimit të lartë me parametrat më të mira të cilësisë, por investon në gjithë komunitetin apo network-un, pasi kujdeset për çdo emër që del nga kjo godinë, në mënyrë që ai nesër të jetë i suksesshëm në tregun e punës. Të ndihemi krenarë kur institucionet prestigjioze që akreditojnë ‘Luarasin’ pohojnë se kemi të bëjmë me një staf akademik të përkushtuar me standarde europiane”. Me sytë nga prindërit që përjetonin emocione të veçanta, ishte vetë ministrja ajo që iu bashkua gëzimit të tyre, duke u pohuar se djersa e tyre nuk ka shkuar dëm:
“Po, ia ka vlejtur gjithë investimi juaj. Fëmijët tuaj marrin sot një diplomë të akredituar, me standarde europiane, një diplomë që vjen e farkëtuar pas punës së mrekullueshme dhe plot pasion të këtyre profesorëve të nderuar nga më të mirët që Shqipëria ka”, vuri në dukje ministrja Nikolla. Në fund të një viti sa të mundimtë, aq edhe të suksesshëm, rektori Arben Malaj mbajti një fjalim falënderues për këdo që ka punuar fort që “Luarasi” të jetë në këta parametra të lartë akademikë, veçanërisht presidentit që investoi dhe besoi në cilësi dhe formim profesional.
Presidenti dhe zv.Presidentja e “Hysenbelliu Group”
“Mirënjohje të veçantë për familjen Hysenbelliu, që me vizionin dhe përkushtimin e tyre bënë një investim të jashtëzakonshëm, që ‘Luarasi’ të mos ishte një kujtim i së shkuarës, por një investim i përjetshëm në sistemin arsimor të vendit. Sot është dita e mirënjohjes për prindërit dhe të afërmit e studentëve, të cilët kanë investuar, shpesh dhe duke sakrifikuar për mirëarsimimin e fëmijëve të tyre; Për themeluesit, për investitorët dhe për bordin e ‘Luarasi’, të cilët na kanë dhënë mbështetjen maksimale”, nënvizoi Malaj, duke u ndalur në tri sfidat kryesore që presin “Luarasi”: modernizimin e mësimdhënies, fleksibilitetin e tregut të punës, si dhe prodhimi i liderëve të së ardhmes.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, për vite bashkëpunëtor i Kolegjit Universitar, uroi studentët që nuk kanë thjesht një diplomë në xhep, por një CV që do t’u vlejë në misionin që sapo e kanë nisur. “Duhet të keni parasysh që drejtësia nuk është thjesht një profesion, por një mision në shërbim të njerëzve që garanton zhvillimin e vendit”. Gjatë ceremonisë u ndanë edhe medalje nderi dhe certifikata për ata që kanë spikatur me dijet e tyre dhe me siguri do të jenë liderët e së ardhmes.
Aleks Luarasi: Gur themeli në jetën tuaj!
Themeluesi, me anë të të cilit asociohet edhe emri i universitetit, Aleks Luarasi, rezervoi një urim për të rinjtë që nga sot dalin në jetë, si dhe porositi stafin akademik të vijojë të ruajë këtë cilësi dhe emër të afirmuar. “Në të ardhmen do të keni ditë të tjera të shënuara, por diplomimi është një gur kilometrik në jetën tuaj. Kolegji Universitar ‘Luarasi’ është themeluar qysh në fillim me disa parime bazë, që e dallojnë nga shumë shkolla të tjera të larta, është vazhdim i një tradite në fushën e arsimit dhe sinonim i shkollës shqipe, kombëtare dhe laike. Kolegji Universitar është themeluar me një pikësynim të vetëm: përgatitjen profesionale cilësore të studentëve në nivele bashkëkohore. Kodi moral, parimet dhe synimet e themelimit janë ndjekur në vazhdimësi gjatë 14 viteve dhe i kanë dhënë shkollës një emër të nderuar dhe besueshmëri në opinionin publik dhe në tregun e arsimit”. Themeluesi i “Luarasit” u shpreh i kënaqur që përgjatë viteve ky universitet është zgjeruar me degë dhe profile të reja, është pajisur me një ndërtesë madhështore, si dhe ka forcuar lidhjet me organet e drejtësisë, me sipërmarrjet në fush- ën e ekonomisë dhe universitetet analoge jashtë vendit.
Bregasi: Tri bursa për ekselentët
Luan Bregasi, anëtar i Bordit të Administrimit të “Luarasit”, si dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të tij, dha lajmin e mirë për ata që do t’ia besojnë këtë vit të ardhmen e tyre Kolegjit Universitar. Tre më të mirët do të fitojnë bursë të plotë nga “BiznesAlbania” dhe shoqatat e tjera të biznesit. “I kemi mbështetur universitetet private jo vetëm nëpërmjet internshipeve dhe praktikave mësimore që studentët zhvillojnë në ndërmarrjet tona. Këtë vit, ‘BiznesAlbania’ dhe shoqatat e tjera të biznesit do të mundësojnë 3 bursa për studentët më të mirë që do të mbarojnë vitin tjetër nga Kolegji Universitar ‘Luarasi’. Mirënjohje për të gjithë ata që kanë investuar në sistemin arsimor privat, jo për të nxjerrë fitime, por për të nxjerrë brezin e ri që do të marrë në dorë fatin e sipërmarrjeve shqiptare”, nënvizoi kreu i “BiznesAlbania”.
Kadare mesazh studentëve të “Luarasi”: Jeni bartës të shpresës
Ceremonia e diplomimit nisi me një përshëndetje të veçantë të mjeshtrit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare. Në një mesazh kuptimplotë drejtuar të diplomuarve të Kolegjit Universitar “Luarasi” dhe studentëve që do të vijnë në vitet në vazhdim, Kadare vë në pah se e gjithë shpresa është nga ata. “Të dashur studentë të universitetit ‘Luarasi’. Është kënaqësi për mua që po më jepet ky rast të përshëndes për fillimin e vitit të ri akademik. Ndonëse vitet e mia studentore janë të largëta në kohë, ato mbeten gjithmonë të shtrenjta në kujtesën e brezit tim. Vitet dhe kujtimet studenteske kanë diçka të pazëvendësueshme në jetën e brezave njerëzorë.
Kjo vjen ngaqë fryma e tyre është e pandarë nga fryma e lirisë, e cila është kushtëzimi i parë i qenies dhe zhvillimit të qytetërimit. Është kjo arsyeja që mesazhet e para të emancipimit janë dhënë shpeshherë nga lëvizjet e studentëve dhe është përsëri e njëjta arsye që regjimet tiranike kanë qenë kundër tyre. Fryma studenteske është përherë e nevojshme në të gjitha fazat e zhvillimit. Zbehja e sidomos shuarja e saj do të ishin një fatkeqësi për të gjithë. Ju do të keni fatin që për disa vite rresht do të jeni bartës të drejtpërdrejtë të kësaj fryme, të kësaj shprese, të këtij ngazëllimi të bukur. E bashkë me ju është tërë shoqëria që do të gjallërohet e fisnikërohet prej tij. Duke ju uruar edhe një herë për vitin akademik, juaji Ismail Kadare!”.
Artikull në GAZETËN PANORAMA – 30.05.2017
BESARATA BASHA