Përshëndetja e Rektorit

PROF. DR. ETHEM RUKA

Email: ethem.ruka@luarasi-univ.edu.al

Universiteti “Luarasi” është institucion jopublik i arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë i liçensuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.611, datë:11.09.2003: “Për dhënien e lejes për hapjen e shkollës së lartë universitare, jopublike LUARASI”. Mbi bazën e këtij akti, institucioni ka nisur veprimtarinë e mësimdhënies, në vitin akademik 2003–2004.

Sot Universiteti Luarasi ka 4 fakultete: atë të Drejtësisë, Ekonomikut, Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit dhe Shkencave Mjekësore.
Po ashtu pranë këtij universiteti funksionon edhe Akademia e Sigurisë Kibernetike.

Universiteti Luarasi është akredituar maksimalisht për gjashtë vite, duke u renditur një ndër katër shkollat e larta më të mira të vendit. Ky certifikim është dëshmia më e mirë për cilësinë dhe besueshmërinë e lartë të diplomave të lëshuara në fund të shkollimit të studentëve. Presim që për vitin akademik 2022-2023 të hapet cikli i tretë i studimeve.

Nuk ka si të jetë ndryshe për sa kohë studentët e drejtësisë të këtij universiteti janë të vetmit ndër të gjitha shkollat e larta jopublike që plotësojnë kriteret për t’u pranuar në shkollën e lartë të magjistraturës, e për më tepër gati 80% e të diplomuarve në Drejtësi,Ekonomik, Teknologji Informacioni dhe Inovacioni fillojnë punë gjatë një periudhe kohore prej gjashtë muajsh pas mbarimit të studimeve.

Universiteti Luarasi, ndodhet në një nga zonat më të preferuara universitare të kryeqytetit. Ai ka një infrastrukturë të shkëlqyer, dhe ofron kushtet nga më të mirat për mbarëvajtjen e mësimit dhe argëtimin e studentëve. Pranë këtij Universiteti është angazhuar në mësimdhënie një staf akademik i përkushtuar dhe me profesionalizëm të lartë.

Një sërë marrëveshjesh të nënshkruara mes Universitetit Luarasi dhe shumë agjensive vendase dhe universiteteve të huaja i kanë shndërruar auditoret tona në hapsira debati konstruktiv për problemet që lidhen me formimin teorik e praktik të studentëve. Klinika Ligjore e Universitetit Luarasi, si dhe Laboratori i Kriminalistikës janë histori suksesi ku studentët dhe juristët tanë këshillojnë falas dhe aktivizohen për zgjidhjen e shumë çështjeve ligjore në favor të qytetarëve në nevojë.
Numri i studentëve pranë këtij insutucioni vetëm për vitin akademik 2021-2022 u rrit me 26%. Interesat e studentëve për një shkollim sa më të mirë mbeten prioritare për Universitetin Luarasi. Ata marrin pjesë aktivisht në vendimmarrjet e këtij institucioni dhe përfitojnë nga përvojat e universiteteve të huaja në kuadrin e programit Erasmus+. Qeveria Studentore është tepër akive dhe ndërmerr aktivitete me interes shoqëror dhe publik.

Cilësia e lartë e mësimdhënies, veprimtaria e institucionit e mbështetur fortësisht te ligji, vlera e diplomave për punësim, jeta aktive studentore, lidhja e formimit teorik me veprimtarinë e gjallë praktike, kushtet e shkëlqyera të infrastrukturës etj, janë një ofertë e hapur për maturantët që duan diploma të merituara në fushën e Drejtësisë, Ekonomikut, Teknologjive të Informacionit dhe Inovacionit, Shkencave Mjekësore.

Universiteti Luarasi është pjesë e Grupit Hysenbelliu. Ky grup përfshin një sërë kompanish që operojnë në fusha të ndryshme, ku do të veçoja kompanitë mediatike si Gazeta Panorama, Gazeta Shqiptare, Panorama Sport, Revistën Psikologjia, Televizionin NEWS24, Radio RASH, dhe portalin BalkanWeb.com. I gjithë ky potencial mediatik është vazhdimisht në shërbim të studentëve për të afirmuar personalitetin e tyre edhe në rrafshin publik. Luarasi është Universiteti juaj. Ai ju mirëpret dhe ju siguron që në fund të studimeve t’ju pajisë me një nga diplomat që ka besueshmërinë më të lartë në vend.
Ju mirëpresim në shtator në auditoret e këtijUniversiteti!

Prof. Dr. Ethem RUKA
Rektor i Universitetit Luarasi