Artikull në GAZETËN PANORAMA – 09.11.2017
PROF. ASOC. REZANA KONOMI*
*Dekane e Fakultetit të Drejtësisë në Kolegjin Universitar “Luarasi”
Ditët e fundit kanë qenë të vrullshme, me shumë ndodhi e fakte dhe, siç ka ndodhur dhe ndodh, në sinkron me to, po kaq i vrullshëm është edhe diskursi politik i të gjithë krahëve, majtas, djathtas, qendër e kudo gjetkë. Natyrisht, nuk është aspak e re për arenën parlamentare që të dëgjojmë gjithfarë sharjesh, akuza e kundërakuza, epitete dhe krahasime, ngjyrime fjalësh, me dhe pa konotacion, të cilat gjuha shqipe i ka me shumicë. Nuk do mund të shkruaja për këtë fenomen, i cili nuk mbart asgjë të re dhe as interesante, për asnjë arsye. Është tashmë kaq e vërtetë dhe ordinere në të njëjtën kohë, sa të lodhurit nga pesha e ngarkesave të së përditshmes, në të cilën bëj pjesë edhe unë, nuk i bën më aspak përshtypje gjuha që përdorni ju politikanë të zgjedhur për të na përfaqësuar dhe për të mbrojtur interesat tona. Nxitjen për të shkruar dhe për t’ju drejtuar një lutje, e mora nga auditorët studentorë ku unë jetoj ditën time, mes kolegësh dhe studentësh, të cilët shpesh i shoh me admirim dhe shpesh me keqardhje. Me keqardhje, jo për mungesën e perspektivës, apo shpresës, sepse gjithë bota sot është në një dinamikë që askush dhe asgjë nuk ka me siguri e garanci. Kjo ndjesi keqardhjeje më buron nga mungesa e modeleve pozitive, e vlerave të cilat duhet të përcillen nga brezi në brez dhe duhet të respektohen si të vetmet vlera që meritojnë respekt dhe dëshirë për t’i ndjekur e për t’u ngjarë. Të nderuar politikëbërës e politikëzhbërës!
Votat që ju japim, bashkë me besimin se do të përpiqeni të keni sadopak dëshirë e vullnet për të ndryshuar të sotmen, lutem mos na i ktheni në një makth sa herë ju dëgjojmë, natyrisht jo për fatet e vendit, por duke sharë e akuzuar njëri-tjetrin deri në gjini të largët, duke na bërë të na vijë turp nga vetja, po mbi të gjitha nga fëmijët tanë, të cilëve u përcjellim nëpërmjet jush modelet më negative të shoqërisë sonë në lëngim. Dilema e brezit të ri për t’ju ngjarë, në të qenët të pasur materialisht nga ose nëpërmjet politikës, për t’u bërë të rëndësishëm sa hap e mbyll sytë, pa asnjë investim mental dhe shpirtëror, më besoni që është shembulli më i keq që e ka futur shoqërinë në tërësi në krizë identiteti, por sidomos brezin e ri, i cili ka një mungesë të theksuar orientimi, aq sa nuk di se ku do të shkojë, vetëm të ikë….. Sjellja juaj, fjalori që përdorni nga tribuna e sovranit për të tërhequr vëmendjen nga ngjarje të rëndësishme, nga vështirësitë dhe problemet që kërkojnë zgjidhje, nëpërmjet vulgaritetit, banalitetit dhe fjalorit ordiner është kontributi i vetëm negativ që po na jepni, sa herë televizionet na servirin nga “angazhimet” tuaja parlamentare ose dhe më gjerë. Një pyetje më vjen në mendje sa herë ju shoh e dëgjoj. Kur shfrytëzoni podiumet, që duhet të ishin të shenjta, që duhet të ishin arena e debatit, analizave, diskutimeve me ide dhe parime, a i keni menduar vetëm një moment fëmijët tuaj, të rinjtë, prindërit, të afërmit, si ju shohin dhe çfarë mendojnë, kur sharjet dhe fjalorin tuaj do t’i kishin zili dhe gjuhëtaret, mbledhësit dhe kultivuesit folkloristikë? Sinqerisht si prind, si edukator, dua të di se çfarë vlerash dhe këshillash u jepni fëmijëve tuaj, kur në ekran gjithë shqiptarëve, përfshirë dhe familjet tuaja, u flisni me një gjuhë vulgare rrugaçërie?!
Të nderuar politikanë! Dje, sot, ndoshta dhe nesër do të dëgjoj nëpër korridoret e auditorëve shprehjet tuaja të përsëriten, do të më vrasë qeshja e tyre, por më shumë do të më vijë turp nga vetja që ju kam besuar dhe mbi të gjitha që kam shpresuar. Do vazhdoj të ndiej keqardhje për gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, por sidomos për studentët, të rinjtë, të cilët kanë fatin e keq të jetojnë në një shoqëri me vlera njerëzore të munguara, pa asnjë vlerë morale, në rastin më të mirë dhe me antivlera, në rastin më të keq, pa parime e norma, që nga etika në komunikim, për të mos shkuar te kultura dhe shkollimi, sepse është një luks për ju. Më besoni që është shumë e vështirë t’u shpjegojmë të rinjve paradokset e shoqërisë sonë, t’u shpjegojmë dhe t’u japim arsye përse duhet të studiojnë, ndërkohë që realiteti u tregon krejt të kundërtën. E pra, në këto raste nuk mund të thuhet “se gjithë faji është i parajsës”, se shkolla është njësia që nuk di dhe nuk mundet të bëjë siç duhet punën e saj. Reformat në arsim mund të ndryshojnë sistemin, mund të sjellin risi në trajtim dhe në teknologji, po a mundet reforma në arsim të ndryshojë kulturën, etikën, vlerat dhe moralin e shoqërisë sonë?!
Të gjithë faktorët veprojnë si forca të kundërta. Reformat dhe nevoja për ndryshim vërtet janë vullneti juaj si politikëbërës, por në këto raste vlen më shumë të themi: “Mos dëgjo se ç’them unë, por bëj si bëj unë”. Unë nuk besoj dhe, për më tepër, nuk besoj kur shoh shëmbëlltyrën tuaj të nderuar “qirje politikanë” dhe mos u çudisni një ditë, kur fëmijët dhe njerëzit tuaj t’ua dinë meritën si “palikare”, sepse ju, përveçse “trima”, nuk ditët të ishit asgjë tjetër, dhe aq më pak, shembull pozitiv për familjet tuaja dhe për të gjithë ne që ju kemi në krye të sofrës. Në fund të fundit, çfarë mbjell do të korrësh. Ju lutem, bëni gjithçka mundeni për t’u vetëpërmbajtur, sforcohuni pak, shtrëngoni gjuhën, për të mirën tuaj dhe tonën njëkohë- sisht. Konfliktualiteti që përcillni te ne përkthehet në më shumë dhunë, egërsi, kriminalitet. Mos u lodhni të deformoni statistikat e krimit gjithmonë në rritje me shifra që trondisin, jeni duke kontribuar vetë në gjithë këtë situatë.
http://www.panorama.com.al/nje-keshille-per-ju-zoterinj-politikane/