Akreditimi unifikoi standardet – BalkanWeb.com

Akreditimi unifikoi standardet – BalkanWeb.com

 

Kolegji Universitar Luarasi ka mbledhur sot rektorë të universiteteve private dhe publike në konferencën shkencore “15 vjet arsim i lartë privat” të forumit të pavarur të rektorëve. Në konferencë merrte pjesë Ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla, rektori i KU Luarasi z. Ethem Ruka si dhe president i “Hysenbelliu group”, z.Irfan Hysenbelliu.

Rektori i KU Luarasi, Ethem Ruka në fjalën e mbajtur në nisje të konferencës vuri në dukje ndryshimet thelbësore në arsimin e lartë privat. Ai tha se sot arsimi i lartë i certifikuar dhe se Luarasi është një ndër 4 institucionet arsimore të arsimit të lartë jopublik të akredituara.

 

20180210-101124

 

“Kishte ardhur koha për një ndryshim thelbësor. Qeveria Rama 1 dhe zonja Nikolla në vitin 2013 ndërmorën një reformë shuëm të thellë për ta disiplinuar me një ligj arsimin e lartë, duke bërë një skaner të shkollave të larta. 18 shkolla të larta të mbyllura. Ky është guxim i madh për të vënë rregull në këtë lloj arsimi. Duke vendosur rregullin e parë për arsimin e lartë në Shqipëri. Sot arsimi i lartë është i certifikuar. Mesatarja e akredimit, 4 vite. Luarasi është një ndër këto 4 institucione të akredituara. Jemi në një nivel të thellimit të reformës. Për mua është e rëndësishme që paragjykimi për arsimin e lartë në Shqipëri ka përfunduar. Jemi në një etapë të dytë, ku shoqëria shqiptare e ka kuptuar që këto institucione që kanë mbetur në këmbë janë në përputhje me ligjin”, deklaroi Ruka, duke shtuar se sfidat për arsimin e lartë publik dhe jo publik janë të njëjta. “Në qoftëse ka një mjet ky vend për të mbytur varfërinë është dija”, theksoi Ruka.

Edhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se sot kemi një sistem të arsimit të lartë me standarde. Sipas saj, akreditimi i universiteteve unifikoi standardet
“Është përgjegjshmëri edhe vlerësim për mua të marr fjalën pas një profesori të nderuar, e po aq i nderuar në detyrën e tij si ministër i arsimit e shkencës. Jam besim plotë që edhe ky forum do jetë një ditë angazhimesh të reja për të përmbushur ato që janë parësore për të gjithë sistemin tonë arsimor të lartë në drejtim të cilësisë. Falënderoj profesorin për rezymenë e punës që bashkë me ju për të ndëshkuar një sistem fiktiv në arsimin e lartë që u rrënua, u përmbys me mbylljen e 22 universiteteve private dhe një akademia të arsimit të lartë publik por ishte një hap i domosdoshëm por i pamjaftueshëm për të thënë që kemi një nivel të arsimit të lartë siç do donim. Besoj se ky forum do adresojë në mënyrë shteruese momentet kryesore. Në këtë forum do doja të shprehja një dëshirë, që në të ardhmen të mos jemi të ndarë forumi i rektorëve të arsimit të lartë jopublik dhe publik sepse çështjet me interes për arsimin e lartë i kemi të përbashkëta”, tha Nikolla.

BalkanWeb.com

http://www.balkanweb.com/site/luarasi-konferenca-e-rektoreve-ruka-sot-arsimi-i-larte-i-certifikuar-nikolla-akreditimi-unifikoi-standardet/